Një 38-vjeçar hyri në shatërvanin Trevi i veshur si një romak i lashtë, duke iu drejtuar grumbullit të turistëve në buzë të pishinës së madhe në zemër të Romës, si të ishte senator.
Për të ndërprerë shfaqjen e tij, tashmë video e postuar në Twitter nga kryebashkiakia Virginia Raggi, një polic i trafikut, pa u menduar dy herë hyri në shatërvan dhe e nxori “senatorin romak” nga uji, duke e dënuar atë me një gjobë prej 550 euro.
Burri, një 38-vjeçar italian, e kishte organizuar këtë akt demostrativ në favor të viktimave të Kamorës në rajonin Campania me kryeqëndër Napolin, gjithashtu donte të takonte e të fliste me Ministrin e Brendshëm Salvini.
“Monumentet tona duhet të respektohen dhe burimet historike të Romës nuk janë pishina”, shkruajti në Twitter kryebashkiakia Virginia Raggi.
“Kushdo që vendos të bëjë banjë në burimet e Romës, do të dënohet me një gjobë prej 550 euro dhe me masën e ‘Daspo Urbano’, siç i ndodhi dhe senatorit piktoresk romak dhe si do t’i ndodhë kujtdo që do të ofendojë trashëgiminë historike dhe artistike të qytetit, e cila i takon të gjithëve”, tha ajo.

j.l./ dita
