Matura Shtetërore 2013 hartohet rregullorja e provimeve e cila brenda javës së ardhshme do të ndahet në të gjitha shkollat e mesme të vendit. Ndryshime thelbësore sa i takon provimeve, maturantët do testohen vetëm në dy lëndë me zgjedhje dhe plotësimet e formularëve do bëhen online
Pranvera Kola
Zbardhen ndryshimet që do të pësojë Matura Shtetërore 2013. Zyrtarët e Ministrisë së Arsimit bëjnë me dije se është hartuar tashmë rregullorja e provimeve të maturës e cila do të ndahet elektronikisht në të gjitha shkollat e mesme të vendit brenda javës që vjen. Në këtë formë i hapet udhe përgatitjeve për provimet e maturës, rezultatet e të cilave janë vendimtare në sigurimin e të drejtës për të vijuar studimet e larta në universitetet publike gjatë vitit të ri akademike 2013-2014.
“Rregullorja e Maturës Shtetërore është në momentet e fundit, ka kaluar shumë në duar, është marrë komiteti për maturën shtetërore, është parë nga ministri dhe ka bërë vërejtjet dhe ndërhyrjet e përgjithshme, është parë nga sektori juridik dhe sot ai mund të shkojë për miratim tek ministri”, konfirmon kreu i arsimit parauniversitar në MASH, Fatmir Vejsiu.
Sa i takon ndryshimeve që pëson matura e këtij viti, Vejsiu shton se një ndër më thelbësoret është rikthimi i renditjes së dy lëndëve që maturantët do të japin si provime me zgjedhje. Brenda këtyre zgjedhjeve maturantët nuk do të mund të përzgjedhin dy gjuhë të huaja që janë zhvilluar si lëndë të para në shkollat e tyre të mesme. Renditja e lëndëve që do të jepen si provime me zgjedhje, kushtëzohet edhe nga kreditet.
Maturantët penalizohen me përjashtim nga provimet nëse gjatë plotësimit të formularit A1 dhe A1Z do të caktojnë dy lëndë që nuk përmbledhin në total minimumi tetë kredite. Gjatë muajit shkurt do të nisë edhe plotësimi i formularëve për provimet e lëndëve me zgjedhje. Aktualisht bëhet me dije se janë hartuar edhe programet orientuese të gjitha lëndëve që do jepen provim, në përmbajtje të cilave detajohen temat që maturantët do të duhet të përvetësojnë gjatë periudhës përgatitore.
Sa i takon ndryshimeve Vejsiu shton se të gjithë formularët ndryshe nga vitet e kaluara, do të plotësohen në mënyre elektronike. “Në këtë rregullore parashikohet aplikimi online dhe për formularët A1, A1Z dhe për formularët A2. Aplikimi në këto dy dokumente të rëndësishme të maturantit dhe kandidatit është e legalizuar që do bëhet online dhe kjo është parashikuar dhe në këtë rregullore”, shprehet Vejsiu. Ndërkohë që sa i takon procesit të korrigjimit të testeve të maturës nuk pritet të ketë ndryshime. Vlerësimi i provimeve të maturës, sipas Ministrisë së Arsimit ka rezultuar i efektshëm, pasi nuk është konstatuar shtim të ankimimeve nga maturantët në testimet e një viti më parë.