Në stërvitjen e paraditës së sotme Ansi Agollit dhe Elseid Hysajt vrapuan të veçuar, por pasdite ata janë bashkuar me grupin dhe për të dy liderët nga ka problem. Të dy jan stërvitur normalisht në seancën e pasdites me pjesën tjetër të grupit. Problemet fizike për dy mbrojtësit titullarë të krahëve mund të cilësohen të kaluara dhe ata do të jenë gati, për të qenë dy prej shtyllave të ekipit në sfidën e 6 tetorit në Alicante përballë Spanjës.
Por në seancën e pasdites mungoi portieri titullar Etrit Berisha, si pasojë e një viroze gripale të stinës. Sipas stafit mjekësor kuqezi, “gardiani” do të jetë normalisht në portë, maksimumi do të mungojë edhe në seancën e paradites së nesërme.
Në seancën e pasdites nuk ishte i pranishëm as Enea Koliçi, por kjo thjesht për një çështje burokratike. Aq surprizë ishte grumbullimi në Kombëtare, ku zëvendësoi të dëmtuarin Thomas Strakosha, saqë portieri duhet të udhëtonte në vendlindjen e tij në Pogradec për të nxjerrë pasaportën e re.
Mungesat e dy “gardianëve” e detyruan trajnerin e portierëve, Ilir Bozhiqi që të paktën për një pasdite, t’i dhuronte Angelo Tafas së AEK-ut, nga përfaqësuesja e 19-vjeçarve, të përgatitet me Kombëtaren A përkrah Alban Hoxhës. Kuqeziu i vetëm që zhvilloi stërvitje të diferencuar ishte prurja më e re në skuadër, Emenuele Ndoj, me mesfushorin që ka pësuar një lëndim të vogël në ndeshjen e fundit me Brescian në Serie B ndaj Perugias.