Hysaj, Empoli nuk ngutet për ta shitur

anazapta

Empoli nuk ngutet për të shitur Elseid Hysajn dhe nuk shqetësohet aspak nga fakti që bisedimet me Lacion për shqiptarin kanë mbetur në vendnumëro. Drejtori sportiv i klubit toskan, Marcelo Karli, e pranon se ka interesim fillestar të romanëve për mbrojtësin, por ditët e fundit kanë munguar kontaktet. “Lacio nuk është bërë më e gjallë. Patëm një takim të parë dhe mund të them se interesi për Hysajn ekziston. Kjo është e vërteta, por për momentin gjithçka ka mbetur në vend numëro”, thotë Karli. Presidenti Lotio dhe Igli Tare e pëlqejnë lojtarin shkodran, por çmimi konsiderohet i lartë, aq më tepër që Lacio e dëshiron të gjithë kartonin dhe jo ta ketë në bashkëpronësi.

Nga tjetër, Empoli nuk ka ndërmend ta shesë nëse oferta nuk është ajo e duhura. “Empoli nuk ka asnjë nxitim për ta shitur. Bilancin e kemi në rregull dhe dëshirojmë më të mirën për djaloshin. Nëse do të ketë një ofertë serioze, e kemi të qartë që lojtarë tillë nuk mund të mbahen”, thotë Karli. Ai ka shtuar edhe se Hysaj është entuziast për transferimin e mundshëm, por edhe e kupton situatën.

“E tepërt ta thuash që ai do të ishte jo i kënaqur, por i entuziazmuar për të ardhur në Romë. Megjithatë, edhe pse shumë i ri, është inteligjent. Është i vetëdijshëm që duhet të rritet shumë dhe ne jemi këtu për këtë”. Duke pasur parasysh llogaritë afatgjata, më i fituari në këtë mes mund të jetë pikërisht Empoli. Hysaj është ndër emrat më të lakuar të merkatos, por vetëm në fillimet e karrierës së tij, që parashikohet e shkëlqyer. Ndaj, në çdo sezone merkatoje, çmimi i tij do të jetë më i lartë, ndaj edhe Karli duhet besuar kur thotë se Empoli nuk ka pse të nxitohet për ta shitur mbrojtësin kuqezi. “Ai është shumë i ri, lindur më 1994 dhe tashmë luan me kombëtaren shqiptare. Ka mundësi të mëdha përmirësimi dhe për ne është pikë referimi. Në thelb po flasim për një lojtar që mund të jetë në merkato edhe sezonin e ardhshëm. Nuk ndjejmë nevojë që ta shesim. Tani i takon vetëm Lacios të tregojë se është i interesuar dhe pastaj të shohim se çfarë mund të bëjmë”, shpejgon Karli. Aktualisht, vetëm Lacio është shprehur i interesuar për Hysajn, por e ardhmja me siguri që do të sjellë oferta të tjera, sidomos në rast se Empoli arrin rikthimin në Serinë A, pas dështimit në play-off në sezonin e fundit.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *