Kroson Hysaj, shënon Maccarone. Kështu Empoli prish festën e Destros dhe ndalon Milanin të regjistrojë fitoren e dytë radhazi në shtëpi. Miqtë regjistruan kështu të 7-in barazim në transfertë ku nuk fitojnë prej 6 ndeshjesh. Në “Giuseppe Meazza” sfida filloi në shenjën e miqve të cilët në 17′ e para rrezikuan portën vendase me Pucciarellin, Zielinskin dhe Ruin. Herë Diego Lopez e herë konkluzionet e gabuara ruajtën portën e Milanit dhe rezultatin te pandryshuar. Për kuqezinjtë rasti i parë i rrezikshëm krijohet nga Bonaventura, i cili gjithsesi nuk e gjen dot katërkëndëshin mik. Keisuke Honda dhe Andrea Poli kombinojnë me njëri-tjetrin, por Luigi Sepe është në vendin e duhur në kohën e duhur. Kjo deri në minutën e 40-të kur përpara Destros për vendasit ishte Valdifiori për miqtë që provon të kalojë Empolin në avantazh. Prej pak ditësh në Milano, Destro shfrytëzon një kombinim me Bonaventuran për të zhbllokuar rezultatin. I pari gol i tij me kuqezinjtë që mbyllin pjesën e parë në avantazh. E dyta që në start është më e mirë për Milanin, që me Rami tregon se nuk kënaqet me avantazhin minimal. Gjë që e konfirmon edhe Menez, por francezi përcaktues në një sërë ndeshjesh, nuk është në ditën e tij.
Miqtë dërgojnë në fushën e lojës Tavanon dhe veterani krijon të parin rast të rrezikshëm për Empolin pas intervalit. Rui dhe Zielinski kthejnë rrezikshëm sytë nga porta e Diego Lopez. Këto ishin sinjalet e barazimit që vjen me Maccaronen pas krosit të Elseid Hysaj. Për shqiptarin ky ishte asisti i dytë gjate këtij sezoni, ndërsa për sulmuesin goli i 5-të që e konfirmon si bomberin e Empolit. Deri në fund kishte edhe 22 minuta kohë, por kuqezinjtë nuk gjejnë dot golin e avantazhit me Destron dhe Cercin.
Në minutën e 84-t Lopez ndëshkohet me karton të kuq për prekje të topit me dorë jashtë zonës së tij. Në fushë Abbiati që zëvendësoi autorin e golit. Edhe pas tre minutave shtesë, rezultati nuk ndryshoi dhe Milani, që tani numëron 30 pikë, gjen të parin barazim në 6-të ndeshjet e fundit ku regjistron edhe një fitore. Ndërsa për Empolin ky ishte barazimi i 3-të radhazi dhe rezultati i katërt pozitiv në të njëjtin numër sfidash, duke grumbulluar 24 pikë.
