Pas pesë javësh, skuadra e Napolit është rikthyer sërish te humbja, teksa ndaj Udineses është mundur me rezultatin 3-1.
Një rezultat ky që e çon në 6 pikë diferencën nga Juventusi i vendit të parë, duke e bërë gati të pamundur misionin për fitimin e titullit kampion të Seria A.
Pjesë e këtij zhgënjimi ishte edhe mbrojtësi i Kombëtares kuqezi, Elseid Hysaj, i cili është vlerësuar dobët për performancën në fushë.
Duket se tërheqja e parakohshme nga aktivitetet e Kombëtares, për tu vënë në dispozicion të ekipit të Napolit nuk ka shërbyer për asgjë.
Përkundrazi, Hysaj, ndryshe nga 10 ditë më parë kur në ndeshjen ndaj Sassulos ishte një sulmuesi i shtuar për ekipin napoletan, dje ndaj Udineses, shqiptari ka harruar totalisht që të shtyjë ekipin në ofensivë, teksa është sunduar nga kundërshtari i tij direkt, Armero, që ka dominuar në lojën nga krahu.
