Elseid Hysaj është fare pranë rinovimit të kontratës te Napoli. Me gjithë interesin e shfaqur nga disa prej skuadrave më prestigjioze të Europës, mbrojtësi shqiptar duket se ka zgjedhur të qëndrojë në “San Paolo” dhe të vazhdojë rritjen si lojtar në klubin e Serisë A.
Së shpejti presidenti Aurelio De Laurentiis dhe menaxherit e 22-vjeçarit do të takohen për të rishikuar kushtet e kontratës së lojtarit. Marrëveshja aktuale e Hysaj-t përfundon në vitin 2020 dhe duket se aspekti i vetëm për të cilin do të diskutohet është ai financiar.
Aktualisht kuqeziu përfiton 500 mijë euro neto pagë vjetore në sezon, shifër që e bën lojtarin më pak të paguar mes titullarëve të pazëvendësueshëm të Napolit.
Kjo është arsyeja përse në takimin me drejtuesit e klubit, përfaqësuesi i lojtarit do të kërkojë të paktën dyfishimin e rrogës. Një milion euro në sezon për një lojtar të formacionit, që ka tërhequr vëmendjen e klubeve si Barcelona, Atletico Madrid, Bayern Munchen apo edhe Arsenal e Chelsea, duket një shifër e arsyeshme.
Në diskutimet për rishikimin e kushteve financiare të kontratës së Hysaj-t, nuk përjashtohet edhe zgjatja e marrëveshjes me Napolin deri në vitin 2021.
