Dërguar me email
në adresën e redaksisë
Im atë më telefonoi nga Tirana të më thoshte se kish vdekur Shaban Demiraj. Dhe tani kam përpara copa të vogla kujtimesh mbetur si gurëza deti.Kam thënë gjithnjë që falënderimet për njerëzit që në një mënyrë apo një tjetër të ndryshojnë jetën, u duhen dhënë drejtpërdrejt dhe kur ata janë ende gjallë. Dhe profesor Shabanit unë jam përpjekur t’i them falemnderit, kur ende ishte.
Ka vdekur profesori im i mirë, i mençur dhe punëtor. Një njeri që i takonte një brezi me edukatë dhe shkollim thellësisht tradicional, por që shkencërisht dhe etikisht janë shkëmb i modernes, pararendës të ideve dhe tezave që s’kanë mbërritur ende. Unë besoj se i bën të tillë respekti absolut për punën dhe ndershmërinë shkencore, për vjelje të dhënash që gjithnjë mund të ishin më shumë, dhe për lexime pa fund të asaj që të volet dhe asaj që s’të shkon për shtat. Po ashtu i bën të tillë modestia prej njerëzish të mençur e të përulur që dinë mirë se shkenca as nuk nis dhe as nuk mbaron me ta.
