Me datë 22 Korrik 2014 në fshatin Suk tëFierit, Bajram Vrapi ka vrarë dy vëllezërit, kunatën dhe mbesën e tij, 17 vjeçare. Katër të vrarë në një familje dhe brenda disa sekondash. Një kasaphanë. As në një operacion ushtarak nuk vriten kaq njerëz. Arsyeja e krimit? “Bajrami nuk është pyetur për fejesën e mbesës së tij”. A është ky shkaku i krimit apo pas një veprimi të tillë fshihen edhe mosmarrëveshje të tjera nuk ka aspak rëndësi. Edhe të tjera të jenë arsyet, krimi është makabër.
Në postimet e bëra për këtë ngjarje ka shënime nga më të ndryshmet. Ka nga ata që e quajnë budallallëk. Të tjerë, veprim prej të marri. Në fakt vetëm një i marrë mund të bëjë një krim të tillë. Të tjerë thonë mos o Zot të na ndodhë kështu. E di që opozita, mbase edhe kryetarët de jure e de fakto të PD-së, disa deputetë të angazhuar me rendin e sigurinë do të sulen kundër qeverisë e policisë së shtetit. Dhe mirë bëjnë.krimi është i rëndë.
Por nuk mjafton kritika ndaj qeverisë e ndaj policisë. Ngjarja në Suk, Fier nuk është as e para dhe as e fundit. Krime të tilla më së shumti tregojnë për një krizë të rëndë morale që po kalon shoqëria jonë. Pozita dhe opozita duhet të gjejnë e të perjashtojnë arsyet e vërteta të këtyre krimeve të rënda. Të gjithë, në shkrime e ‘’analiza’’ i rreshtojnë shkaqet e një gjendje të tillë. Pamundësia ekonomike, dallimet sociale, mentaliteti krahinor, ndryshimet e shpejta të gjendjes demografike të popullit tonë, etj, etj. Dhe në fakt këto janë shkaqe për krime të tilla. Por nuk thuhet aspak, aq më keq nuk bëhet asgjë për të parandaluar efektet negative të këtyre faktorëve. Tamam, në pjesën më të vështirë, në pjesën që ka të bëjë me njohjen dhe parandalimin e ngjarjeve të tilla qytetari shqiptar është lënë i vetëm, është braktisur nga të gjithë. Çdo hall, çdo problem, qoftë edhe si ky i familjes Vrapi, i duhet t`a zgjidhë ashtu si di e si vendos vetë. Mund të konsiderohet si i braktisuri i madh.
Janë lënë vetëm, por ama fare vetëm në hallet e tyre njerëzit. Askush nuk merret me to. Nuk merret pushteti lokal, minibashkia, komuna. Nuk merret as mësuesi i lagjes a i fshatit. Besoj se e quajnë lajthitje të kërkosh që edhe në komunitet, kudo, në bazë të organizimit të pushtetit të kemi punonjës socialë, psikologë. Nuk merret as kryetari i PS që është në pushtet, as kryetari i PD, që deri dje ka qenë në pushtet, e sot pretendon se po merret me hallet e njerëzve të cilët kjo maxhorance i ka lënë në mjerim e në mes të krimeve. Nuk merret asnje organizatë e shoqërisë civile, as ato që merren me të drejtat e vajzave, me të drejtat e grave e të fëmijeve. Nuk merret as i plotfuqishmi, përfaqësuesi i policisë, që sipas rregullave, tani bëjnë policim në komunitet. Asnjë nuk merret me qytetarin shqiptar, as edhe kur është në situata të rënda si kjo e fshatit Suk, në Fier. Qytetari ynë, në qytet a në fshat qoftë, konsiderohet vetëm si numër vote, kur vjen dita e zgjedhjeve lokale e kombëtare ose si forcë krahu, nëse arrin t`a gjejë një vend pune.
E kështu i braktisur nga të gjithë, në çdo moment dhimbje, pakënaqësie a marrëzie ai e zgjidh vetë hallin. E zgjidh kështu si e zgjidhi Bajram Vrapi, duke vrarë 4 pjesëtarë të familjes së tij.
E qeveria, partitë, institucionet, organizatat e shoqërisë civile nuk janë vetëm për projekte të mëdha, qofshin këto edhe miliarda dollarëshe. Projekti më i madh i tyre është shëndoshja morale e shoqërise.
Letër e nënshkruar
Gani Elezi

kemi harruar si e ka ngjyren e flokeve komshiu por dime mire ngjyren e lekut,te euros ,paundit e dollarit.po te behet nje deklarim pasurie i kryetareve te OJQ ata dalin milonere dhe skane kohe te merren me punen per te cilen jane ngritur.