Kapet në kryeqytet i kërkuari ndërkombëtar Emiljan Burba, për trafikim ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Agjentët e Sektorit Kundër Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme arritën të lokalizonin orët e vona të së hënës vendndodhjen e 42-vjeçarit banues në Tiranë. Arrestimi është kryer për qëllime ekstradimi drejt Italisë, pasi nga zyra e Interpol Tirana ishte person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma. Gjykata e Apelit në Torino, me vendimin e datës 15 prill 2014, e ka dënuar me 21 vjet burgim, për veprën penale të “trafikut të drogës”. Gjatë aksionit Burba nuk ka bërë rezistencë, ndërsa u njoftua Interpoli për arrestimin dhe nisjen e procedurave të ekstradimit. Do të jetë drejtësia italiane që do vendosë nëse dënimi do konvertohet në Shqipëri apo do ekstradohet dhe gjykata do japë masën e sigurisë për të lejuar apo rrëzuar kërkesën për ekstradim.
