Kërkohej prej pesë vitesh si i dënuar në mungesë për trafik droge në Palermo të Italisë, arrestohet i fshehur në Lushnjë për qëllime ekstradimi. Agjentët e Sektorit Kundër Trafiqeve dhe Narkotikëve njoftuan dje se ndaluan të kërkuarin ndërkombëtar Shkëlqim Hyzmo, 48 vjeç, banues në Çermë të
Lushnjës, me gjendje gjyqësore i dënuar më parë për veprën penale “prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”. Sipas dosjes hetimore të dërguar nga Interpol Roma, me vendim nr. 1715/08 të datës 28 nëntor 2008 të Gjykatës së Apelit Palermo, është dënuar me 6 vjet burg për veprën penale “trafik droge”. Pas operacionit është vënë në dijeni edhe drejtësia italiane nëpërmjet Interpol Tiranës, që të kryejë procedurat e ekstradimit për të ndaluarin Hyzmo. Ndërkohë që gjykata do vendosë masën e sigurisë për 48-vjeçarin, po për qëllime ekstradimi. Po dje në Itali, u ndaluan edhe 2 shqiptarë që drejtonin një gomone 5 metra të gjatë në trafik të dyshuar droge mes dy vendeve.
