Në diarrenë e përditshme të zëdhënëses së Partisë Demokratike, sot pati një detaj që tradhton gjithë mekanizmin mbi të cilin Berisha mbështet pushtetin e vet dhe kontrollin mbi qeverisjen. Për të bindur shqiptarët që ato që thotë Taulant Balla nuk janë të vërteta, ai padashje zbuloi mekanizmin e vet se si i detyron dhe përdor njerëzit rrotull vetes apo njerëzit që u jep pushtet. Thjesht u ka një dosje. Aq natyral e ka këtë dimension në shkollën e vet politike, sa nuk mund ta kuptojë që një deputet i opozitës të bëjë detyrën e tij pa pasur një dosje peng tek kryetari i opozitës.
Ky mentalitet dominues në mënyrën se si ai bën politikë rrezaton qartë në përpjekjen e tij të dëshpëruar për të mbrojtur të bijën e vet nga dhjetëra fakte kokëfortë që dëshmojnë se ajo është bërë miliardere duke shitur pushtetin e babait dhe duke kapur shtetin. E gjitha dëshmon se çdo veprim i vajzës së tij ka pasur miratimin e babait. Ai i ka pritur biznesmenët në zyrë, ai i ka çuar tek studioja ligjore, ai ka rekomanduar çmimet e vajzës dhe ai i ka përzënë kur nuk kanë qenë të gatshëm të paguajnë. Ka dhjetëra histori që flenë ende nga frika e pushtetit të tij, që përsëritin këtë skemë. Mund të pyesni kush e kishte në fillim konsulencën e mjedisit të hidrocentraleve të Devollit dhe si u transferua formalisht në një kompani tjetër për t’u ripaguar sërish Familja. Ka pasur një strategji të tërë të kapjes së shtetit nga pushteti i Familjes, duke ndërhyrë në kuadrin ligjor në mënyrë klienteliste duke punësuar njerëz konfidencialë në poste administrative kyçe për bizneset e tyre dhe për të fshehur formalisht gjurmët nga kthimi i pushtetit në kombinat miliardash për Familjen.
Por edhe pse e gjithë kjo ka ndodhur me koshiencë të plotë të Berishës, ai nuk e kupton dot se si këtë betejë atij mund t’ia bëjë një deputet opozitar, i cili mund të jetë njeri i lirë. Ai ka vetëm një kriter në kokën e tij, kriterin që ky njeri duhet të ketë një dosje, të cilën ia mban të kyçur Edi Rama. E vendos veten në vend të Edi Ramës dhe kujton kë përdor ai në PD për të sulmuar kundërshtarët. Ose njerëz me dosje, ose njerëz të degraduar apo nga bota e drogës dhe prostitucionit, ose personazhe të njohura semaforësh që përfundojnë deputete, ose anonimë që kanë dhënë prova se mund të distancohen edhe nga vetvetja për të dhënë prova, ose në fund të jetë njeri i Familjes. Nuk mund ta kuptojë dot që dikush të hidhet në luftë kundër tij pa qenë i detyruar ta bëjë këtë. I duhet patjetër t’i bindë të gjithë se ata që flasin kundër tij dhe Familjes, ose kanë një dosje, ose paguhen shtrenjtë nga Edi Rama. E mendon sikur ta bëjë vetë këtë punë. Ka një jetë të tërë në politikë që armik kryesor ka vetëm njerëzit e lirë. Nuk e pranon dot që kundërshtari i tij të ketë partnerë në luftën e tij po njerëz të lirë. I duhet një dosje për të shpjeguar botën e tij të errët.
Online nga adresa: gazetatema.net