Ditët e fundit shtypi i shkruar dhe botuesi Henri Cili i ka kushtuar disa editoriale që siguruan edhe përgjigjen e Berishës për mungesën e intervistave të tij në studiot e emisioneve politike.
Kryeministri i ktheu një përgjigje të qartë të gjithë atyre që ishin shqetësuar për zgjedhjen e tij për të qendruar larg medias tradicionale duke konfirmuar dashurinë e tij të madhe për rrjetet sociale dhe kontaktin e drejtpërdrejtë me qytetarër që garantojnë këto mjete komunikimi.
Pavarësisht romuzeve dhe batutave të analistëve dhe gazetarëve nën zë që aludojnë se lëvija e Cilit ishte e orkestruar me Kryeministrin për të justifkuar mos përballjen e tij me gazetarët politikë në vend rezultati i këtij operacioni të marrëdhënieve me publikun ja arriti qëllimit. Berisha konfirmoi se është “trim” dhe nuk i druhet askujt prej gazetërëve në tregun televiziv, porse ka zgjedhur një dimension të ri të komunikimit me qytetarët shqiptarë përmes rrjeteve sociale dhe interaktivitetit që ato sigurojnë.
Nëse analizon vendimin e Kryeministrit për të evituar ekranet kur kundërshtari i tij është rikthyer në Klan pas disa viteve bojkot duhet pranuar se zgjedhjet e politikanëve janë personale dhe ata mbajnë përgjegjësi të plotë për pasojat e tyre. Ndaj nuk duhen gjykuar e aq më pak paragjykuar edhe pse komunikimi me rrjetet sociale nuk ka arsye pse të përjashtojë intervistat apo debatet televizive të Berishës në emisione që ai i konsideron miqësore apo armiqësore. Përdorimi i teknologjive të reja të komunikimit nuk i ka penguar homologët ndërkombëtarë të Berishës të përdorin Tëitterin, Facebook-un dhe përballjet televizive në emisionet politike. Në fund të fundit, pavarësisht Shqipërisë dixhitale që Kryeministri përmend me mburrje, shifrat e audiencës janë ende të larta për televizionet shqiptare sidomos në emisionet kryesore politike.
Personalisht mendoj se problemi nuk qëndron as tek Berisha dhe as tek Rama. Përgjegjësinë për përkuljen përpara politikanëve dhe përzgjedhjeve të tyre e kanë vetë gazetarët që bëjnë emisionet politike. Janë ato katër ose pesë emra që herë flasin dhe herë nuk flasin me njëri tjetrin që duhet të kishin rënë dakort bashkarisht për mbajtjen e disa standardeve gazetareske në emisionet e tyre, pavarësisht nga interesat e pronarëve të televizioneve ku punojnë dhe marrëdhënieve që këta të fundit kanë me politikën. E kam fjalën për një aleancë të drejtuesve të emisioneve politike në vend të ndërtuar mbi parimet e integritetit profesional që i mbyll derën cdo pazari me politikanët, cdo negociate për pyetjet dhe formatin e debatit dhe që ngre një bllok profesional mbi cdo përpjekje amatore për të kontrolluar preferencat e politikanëve për gazetarët e tyre apo të opozitës, sic ja kanë dalë me sukses ti kategorizojnë dhe rrjedhimisht ti sulmojnë me vajtje në formë qokash apo bllokadë primitive.
Kur them që të gjithë fajin e ka media përfshij edhe veten time, jo si përgjegjëse e situatës së krijuar, por si një prej alternativave të debatit politik në vend që ka bërë kompromis me refuzimet e politikës në kurriz të mungesës së përballjes së politikanëve që janë votuar për t’iu përgjigjur pyetjeve të publikut cilido qoftë krahu politik që ata përfaqësojnë. Jam e bindur se ato katër ose pesë emrat që s’po i përmend këtë herë edhe pse nuk kam asnjë kompleks të ballafaqohem me ta nuk do të bashkohen kurrë bashkë, qoftë edhe në emër të profesionalizmit. Së pari, sepse nuk kane respekt për njëri tjetrin. Së dyti, sepse kanë interesa të drejtpërdrejta me politikanët kryesorë në vend të cilët e kanë transferuar axhendën e tyre politike në studiot e të përzgjedhurve të tyre. Së treti, ka një mungesë të pashpjegueshme aleance mes kolegësh në këtë vend që shpeshherë behen pjesë e bllokadave politike për kolegun rival dhe në rastin më të mirë injorojnë cdo arritje profesionale që nuk ndodh brenda studios së tyre.
Në një treg të pjekur mediatik aleancat profesionale nuk e përjashtojnë konkurrencën, përkundrazi e përforcojnë atë. Nëse media do të vendosë të bashkohet rreth parimeve për të cilat duhet të ekzistojë atëherë do të ishin gazetarët që do ti ngrinin trarin politikanëve jo e anasjellta. Prandaj, në kushtet e bojkotit dhe përcarjes që kanë me njëri tjetrin është e lehtë të thyhen dhe neperkëmben nga kundershtarët e miqve të tyre politikanë. Zgjidhja e asaj që duhet se po lë pa gjume analistët e medias së shkruar është e thjeshtë dhe nuk duhet të vijë nga politikanët, por nga vetë gazetarët e emisioneve politikë. Gjë që nuk ka asnjë gjasë të ndodhë, të paktën edhe për disa vite kur të pershkallëzohet presioni i audiencës që ka filluar të shfaqë shenjat e lodhjes dhe përbuzjes ndaj medias.