Një argjendar në zonën e Yrshekut është grabitur e më pas është kërcënuar nga 3 persona, të cilët i kanë kërkuar një shumë të konsiderueshme parash në formë gjobe. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës, ndërsa brenda 24 orëve është zbardhur nga Policia që ka bërë të mundur arrestimin e dy prej autorëve të dyshuar.
Autori i tretë është shpallur në kërkim, ndërsa mësohet se është sekuestruar shuma e parave që argjendari do t’u dorëzonte të dyshuarve.
Burime nga Policia e Tiranës thanë se tre të dyshuarit akuzohen për shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie dhe vjedhje me dhunë të kryer në bashkëpunim. Pasi i kanë grabitur një çantë me para dhe bizhuteri me diamante, autorët i kanë vënë gjobë 10 mijë euro të dëmtuarit, duke e kërcënuar që të mos e denonconte ngjarjen në Polici.
Megjithatë, i dëmtuari me iniciale R.S. ka vendosur ta kallëzojë ngjarjen në Komisariatin nr.6 dhe menjëherë kanë nisur hetimet. Burimet thanë se është vendosur që për operacionin të përdorej metoda e dorëzimit të kontrolluar, në mënyrë që autorët të arrestoheshin në flagrancë.
Në këtë formë është arritur arrestimi i dy prej të dyshuarve, në momentin që argjendari po u dorëzonte çantën me para e bizhuteri. Por njëri prej tyre ka arritur të largohet dhe është shpallur në kërkim nga Policia.
OPERACIONI
Policia e Tiranës tha dje se gjatë operacionit të koduar “Diamantet” është bërë i mundur arrestimi i dy personave që i kishin vënë gjobë një tregtari. Të arrestuarit janë Enea Duraj, 26 vjeç, nga Kuçova, dhe Renato Toska, 28 vjeç, nga Ballshi. Ndërsa bashkëpunë- tori i tyre, që është shpallur në kërkim, është shtetasi me iniciale E.H., 31 vjeç.
Operacioni për arrestimin e tyre është zhvilluar të dielën në mbrëmje nga shërbimet e Komisariatit nr.6, në bashkëpunim me oficerët e Krimeve të Rënda dhe ata të Forcës së Posaçme Operacionale të Policisë së Tiranës.
Burimet thanë se operacioni u zhvillua pas hetimeve intensive lidhur me ngjarjen e ndodhur të shtunën në mbrëmje, kur të dyshuarit kanë grabitur me dhunë shtetasin me iniciale R.S. në fshatin Yrshek, duke i marrë një sasi parash dhe disa bizhuteri që kishte në çantë.
Nga hetimi me metoda speciale rezultoi se këta persona më pas e kanë kanosur shtetasin R.S., me qëllim përfitimin e shumës monetare prej 10 mijë eurosh. Në momentin e ndërhyrjes nga Forca Operacionale, janë konstatuar shtetasit Enea Duraj dhe Renato Toska, të cilët janë arrestuar në kohën e dorëzimit të kësaj shume monetare.
Gjatë kontrollit u janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 5 mijë euro dhe 300 mijë lekë të rinj, të cilat ua kishte dhënë shtetasi R.S.
