Një profesor amerikan ka thënë: “Një familje me kuletën plot janë të dobishëm për veten e tyre, komunitetin dhe për shtetin”. Bizneset e vogla sot vetëm mbijetojnë duke ushqyer veten. Kur merr një punëtor hallexhi në punë, i bie me e nda atë fitim të vogël bukën përgjysmë në tavolinë. Por qeveria po ua merr frymën edhe atyre. Ku të ankohesh. Te Ligji apo te Maliqi?
Sindikatat e pavarura nuk ndihen fare se janë futur te mbathjet e qeveritarëve. Vjeshta po vjen, e bashkë me gjethet duhet të bien dhe disa qeveritarë se ekonomia e popullit po shkon nën zero dhe jo në ngritje. Populli ju dha votën e besën për një ditë më të mirë, por kur shikojmë që disa qeveritarë duan t’i heqin bukën e gojës këtij populli, gjithë njerëzia nga jugu në veri zemërohen dhe nuk pyesin për Maliqin që e ka bërë Ligjin për Monopolet e veta. Prandaj nëse ka masa të ashpra, unë jam dakord, por prangat duhet t’u vihen ujqërve të tërbuar dhe jo popullit.