Jetojnë nën neonët e fuqishëm të sallave të pritjes. Flenë në karrige dhe mbledhin shishe plastike, të cilat i shesin për të fituar disa qindarka për ushqim. Çdo ditë i njëjti ritual dhe… shpresa se do të gjejnë shpëtim në Gjermani. Kjo është historia e një familjeje greke, e cila është arratisur nga kriza, dhe jeton në aeroportin e Monakos. Athanasios dhe bashkëshortja e tij bullgare, Albena, nuk kanë asnjë dyshim: Kudo është më mirë se të kthehesh në Greqi.
Greqia
Në vendin e tyre, për ta nuk ka më asnjë shpresë. Athanasios i ka thënë gazetës “Sueddeutsche Zeitung”, se ka punuar si DJ në një program argëtues në një nga radiot e Selanikut. Madje ishte edhe pronar i një lokali nate. Më pas nisi kriza dhe shkurtimet, të cilat gjunjëzuan ekonominë e vendit. Ai humbi vendin e punës dhe u detyrua të shesë lokalin. Kështu, u detyrua të shiste fruta në treg. Por as kështu nuk mund të mbante veten, të shoqen dhe djalin 15-vjeçar.
Arratisja nga kriza
6 muaj më parë, burri dhe gruaja vendosën të largoheshin, me shpresën se do të gjenin mirëqenien në Gjermani. Hipën në avionin e Monakos dhe që atë ditë jetojnë në terminal. Pak javë më pas, me ta u bashkua edhe djali 15-vjeçar, të cilin e kishin lënë te gjyshja në Rumani. As ajo nuk mund ta mbante. Tani janë të tre bashkë. “Jemi më mirë këtu sesa të kthehemi në vendin tonë”, thonë ata.
Një histori e trishtë që të bën të mendosh se realiteti po imiton artin. Një situatë e ngjashme me filmin “Terminal”, ku luan aktori Tom Hanks.