I japin këmbëve për të mos i dhënë mendjes…

anazapta

Letër e nënshkruar

Marku, lexues Pukë.

Përshëndetje Dita! Vite më parë, ndoshta mes viteve 2003-2004, në gazetën rajonale ‘LISALBA’, me qendër në Lezhë, me titull ‘Mes paradokseve’, mes të tjerave, denoncova fenomenin e kërkesave të nxënësve për të lëvizur nga shkollat e qytetit të Lezhës, për në ato të fshatrave, duke u akomoduar tek të afërmit e tyre.

Në pamje të parë, ky veprim mund të konsiderohet normal dhe nuk ka asnjë shkelje. Ajo që të ngjall habi, për të mos thënë hipokrizi, është përgjigja që vjen prej shumë prindërve, se shkaku kryesor që e lanë fshatin dhe erdhën në qytet ishte shkollimi i fëmijëve. Dhe kjo sakrificë e prindit për shkollimin e fëmijëve meritonte një vlerësim të madh. Po, sapo fëmija bëri dy muaj mësim në një prej shkollave të qytetit në Lezhë, çuditërisht edhe me miratimin e prindit, bën kërkesën që të kthehet përsëri në një shkollë fshati, tashmë si ‘konviktor’ te daja, te halla apo diku tjetër.

Këtu, të më kuptojë lexuesi i nderuar e i shumtë i gazetës ‘Dita’ se qëllimi im i atëhershëm, po dhe i sotmi nuk është për të denigruar as punën e trupës pedagogjike të shkollës, as për t’i parë nxënësit e fshatrave me atë mendësinë ‘He mo, se ky nxënës fshati është’. JO. Po, e vërtetë është, për shumë arsye që dihen dhe nuk po i rreshtoj, niveli i mësimdhënies në shkollat e qyteteve, duhet pranuar se është dhe duhet të jetë më i avancuar. Prandaj thashë në fillim se përgjigja vjen hipokrite, se edhe të ikësh me banim nga fshati në qytet, për hir të fëmijëve e pastaj fëmija ikën në shkollën e një fshati komshi nga kish ardhur, duket absurde e pa sens. Kjo nuk do shumë mend për të dalë në përfundimin se atje nuk po shkohet vërtetë për të mësuar, por për t’u privilegjuar. Për t’u shpërblyer për paaftësinë.

Tendenca për t’i bërë bisht të mësuarit ka ekzistuar dhe më parë, biles dhe në kohën e Partisë shtet, madje dhe nga mosha të rritura, pse për mos të thënë dhe kuadro partie, që për të marrë një shkollë të mesme, ‘korrupsioni’ i tyre konsistonte jo duke dhënë bakshish, po duke kaluar dy-tre shkolla që ishin rrugës, e duke përfunduar shumë më larg, vetëm në kërkim të ndonjë miku, kuptohet, për të marrë më shumë se sa jep. Po për këtë udhëtim pati shkruar ‘Zëri i Rinisë’ me titull ‘I japin këmbëve për të mos i dhënë mendjes’, i cili bëri shumë bujë, ku përveç anës morale, nuk përbënte as dhe një shkelje ligjore..!

Po në fakt, po ta shohim pak më gjerë këtë problemin e marrjes së shkollës, dje me miqësi e sot kundrejt lekut, dëmi është shumë herë më i madh e me pasoja në gjithë shoqërinë. Të diplomohesh, nëpërmjet blerjes së saj, do të thotë që nesër ta zëmë se një mësues është i pa zoti t’u japë nxënësve dijet e nevojshme. Kështu mund të rendisim shumë shembuj të kësaj epidemie që vit pas viti u përhap në gjithë vendin. Nuk ke fshat apo qytet që nuk gjen dikë të të thotë ‘e sheh këtë, të lartën e ka blerë, po të mesmen s’e ka’. Akuza ka shkuar deri në Parlament për deputetë të ndryshëm, për blerje diplomash.

Kohët e fundit u mor vesh se ‘dora e ngrohtë’ kishte menduar edhe për djalin e Bosit, që për t’i ‘dhënë’ mendjes, u dha këmbëve deri në Tiranë, me mendimin se ‘ndotja akustike’ nuk është aq e ‘lartë’ sa në Itali, po para pak ditësh, ministri i Brendshëm tha se, krahas djalit të Bosit, qenkan të dyshuar dhe dhjetë të tjerë, nga ky shtet që kanë gjetur mundësinë e diplomimit në Shqipëri.

Më erdhi mirë nga ky konstatim, me mendimin se kjo qeveri do bëjë diçka për matrapazë të tillë, duke hapur ‘tendera’ diplomash në këmbim të mbushjes së xhepave të tyre. E megjithatë, kur po doja ta mbyllja shkrimin, merret vesh një zonjë me shkollë bujqësore, kur u zgjua të nesërmen, jo fort e largët, ishte e diplomuar mësuese, e për t’u treguar ‘tolerante’ me DA ka pranuar të jetë teta edukatore.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *