I keni rënë ndonjëherë nga Kina?

anazapta

Kur mora ftesën për të udhëtuar dhe kaluar disa ditë në Xishuangbanna, në jug të provincës Yunnan mendova se ky do të ishte një udhëtim me tepër që do t’i shtonte listës së vendeve të vizituara nga unë edhe një emër tjetër si dhe një piketë të re në hartën e botës. Udhëtimi filloi me fluturimin disaorësh nga Tirana për në Pekin, ku pas mbërritjes patëm një pritje shumë të ngrohtë nga organizuesit e këtij evenimenti turistik, Radio e Jashtme e Kinës e më konkretisht nga Seksioni i Gjuhës Shqipe i përbërë kryesisht nga shokë kinezë që flisnin gjuhën Shqipe në një mënyrë perfekte, duke më surprizuar jo vetëm me gjuhën, por edhe njohuritë e tyre për vendin tim.  Meqenëse koha nuk premtonte, në një pasdite të vetme u njoha me historikun e Radios së Jashtme të Kinës si dhe me aktivitetet e ndërmora nga Seksioni i Gjuhës Shqipe, ku pas një pune kolosale u arrit krijimi i Radios “Ejani” dhe transmetimi i suksesshëm i saj në Shqipëri.  U largova nga Pekini me një ndjenje krenarie për vendin tim sepse po përjetoja një ngrohtësi miqësore në një vend aq të largët.

 

Kontrast

Arritja ne fshatin Jinuo,portaPas dy fluturimesh të tjera nga Pekini, mbërrijmë në Xishuangbanna. Nga Pekini modern dhe dritat e pafundme të tij, në një xhungël të vërtetë që fshihte brenda një qytet mjaft të këndshëm të modelit “slow city”, një term i përdorur për qytetet në të cilat jeta rrjedh më ngadalë, më natyrshëm dhe me më shumë kënaqësi për banorët.  E kuptojmë që jeni në një vend subtropikal nga bimësia e harlisur dhe nga pemët e egra të bananes brenda kopshteve të qytetit, për më tepër lumi Mekong ndan qytetin në mes si për të na kujtuar që ndodhemi në një zonë vërtetë ekzotike te Azisë. Me kolegët e huaj (nga Evropa) që më shoqëronin në këtë organizim, fillojmë të flasim e të fotografojmë, si për të memorizuar fizikisht gjithçka.  Edhe pse udhëtimi ishte i lodhshëm, së bashku me njërin prej kolegëve ishim shumë kurioze të eksploronim qytetin të vetëm, jashtë kontekstit të guidës së organizuar, ndoshta për ta përjetuar qytetin në një prizëm me personal dhe rastësor. Edhe pse në një orar të vonë të darkës, pamë vitalitetin e këtij qyteti dhe nuk u habitëm kur në një nga baret e qytetit u njohëm me shumë njerëz të tjerë nga Evropa, të cilët kishin zgjedhur të jetonin përkohësisht apo përgjithmonë në Xishuangbanna. Edhe pse të lodhur, biseduam deri vonë me këta njerëz, për të njohur në avancë më shumë rreth qytetit dhe jetës së përditshme të tij, duke u kthyer në hotelin tonë në orët e para të mëngjesit gjithë kërshëri për të filluar një ditë të re.

 

Vizitë në Fshatin karakteristik të kombësisë Jinuo

Në mëngjes nisemi herët për në Fshatin karakteristik të kombësisë Jinuo dhe Luginën e  Elefantit të Egër. Një pjesë shumë interesante e turit ishte organizimi nga CRI i udhëtimeve brenda komplekseve turistike me biçikletë, duke na krijuar mundësinë ta ndjenim më afër ambientin rrethues dhe natyrën e mrekullueshme. Pas një rrugëtimi të shkurtër me biçikletë nëpër pyll, arrijmë në portën e fshatit karakteristik Jinuo ku valltarë të kombësisë Jinuo na mirëpresin me veshjet e tyre karakteristike dhe notat e muzikës së gjallë që ata luajnë. Pa humbur kohë vijojmë eksplorimin e fshatit, i cili gjendet sipër portës pas disa qindra shkallëve prej druri që gjarpërojnë përmes xhunglës. Mësojmë se kombësia Jinuo është një nga pakicat më të vogla në Kinë, me një popullsi prej rreth 20.000 njerëzisht, të cilët jetojnë pothuajse të gjithë në zonat rreth Xishuangbanna.

Fshati përbëhet nga 103 shtëpi ku jetojnë në mënyrën karakteristike rreth 700 persona. Përveç aktiviteteve të përditshme të një fshati normal, një pjesë e banorëve merren vetëm me pritjen e turistëve dhe demonstrimin e mënyrës se jetesës dhe të punës. Surprizohemi që në këtë fshat shumë punë (pothuaj të gjitha) bëhen siç janë bërë shumë shekuj më parë, me elemente baze drurin dhe vegla të thjeshta. Gjithashtu, është shumë e vështirë që të gjesh në këtë fshat vegla apo pajisje shtëpiake moderne. Duket sikur koha ka ndalur, për të na treguar mbi jetën e thjeshtë që njerëzit kishin para industrializimit global.

Në çdo objekt që vizitojmë njihemi dhe me traditat e shoqërisë Jinuo, objektet e kultit që ata adhurojnë, rregullat sociale dhe ceremonitë e ndryshme si martesa etj. Njihemi gjithashtu edhe me njerëzit miqësore të cilët na përshëndetën edhe me një koncert këngësh dhe vallesh karakteristike Jinuo, një eksperiencë vërtetë e rrallë dhe shumë spektakolare. Largohemi nga fshati Jinuo me një ndjenjë shume pozitive nga gjithçka që pamë dhe përjetuam.

 

Lugina e Elefantit të Egër

Pasi largohemi nga fshati Jinuo, drejtohemi për më në jug, drejtë Luginës së Elefantit të Egër, një eksperiencë të cilën e presim të gjithë me padurim dhe ndoshta me pak skepticizëm sepse u informuam që elefantët e egër në këtë zonë (Kufiri mes Kinës, Myanmar dhe Laos) ishin të rrallë dhe numri i individëve në natyrë nuk i kalonte 200. Fillojmë të eksplorojmë duke udhëtuar me biçikletat tona në rrugën e drunjtë që vijon brenda pyllit tropikal e duke komentuar çdo bimë të veçantë që shikonim e sigurisht duke shijuar natyrën madhështore përreth. Pas pak kilometrash ndeshemi me një familje elefantësh të egër të cilët ushqeheshin të pashqetësuar rreth 10 metra larg nesh. Ky ishte vërtetë një moment magjik, i paharrueshëm për të gjithë ne, aq sa nuk mund të flisnim asnjë fjalë dhe gjithçka që dëgjohej ishte vetëm fëshfërima e pyllit dhe zhurma e elefantëve që po ushqeheshin. Më pas u informuam nga personeli i parkut që ishim vërtetë me fat që pamë elefantët e egër nga aq aferë, pasi zakonisht ata preferonin të ishin larg vëmendjes së njerëzve duke qëndruar thellë në pyll.  Duke lënë pyllin e egër, i afrohemi Muzeut të Elefantit Aziatik si dhe Qendrës Shkencore për Ruajtjen e Species së tij, një sipërmarrje e Qeverisë Kineze në bashkëpunim edhe me autoritetet e vendeve fqinje.

Vizitë në Fshatin e Kombësisë Hanji, Pyllin e Egër Tropikal dhe Liqenin e Artë

Pas eksperiencës fantastike me elefantët aziatike, nisim një ditë të re me vizitën në Fshatin e Kombësisë Hanji. Befasohemi nga pritja që na bëjnë grupet e vajzave Hanji veshur me kostume tradicionale shumëngjyrëshe, duke performuar kërcime, këngë dhe lojëra që na shoqërojnë derisa mbërrijmë në zemër të fshatit ku njihemi me traditat shumë të pasura të kësaj kombësie.  Edhe ky fshat, me mbështetjen e qeverisë qendrore dhe lokale Kineze, është shndërruar në një destinacion turistik shumë të veçantë dhe atraktiv, duke mundësuar ruajtjen e traditave shekullore, arkitekturore, gjuhës së kësaj kombësie, por edhe duke ndihmuar në mënyrë ekonomike këtë fshat përmes turizmit të zhvilluar dhe mirëstrukturuar.  Prej aty, fillojmë një shëtitje brenda pyllit të egër tropikal, të cilin vendasit e quajnë “Pylli origjinal” për të treguar që ky pyll jeton dhe zhvillohet në mënyrë natyrore, dhe ku dora e njeriut nuk ndërhyn. Dhe është evidente, prania e lianeve dhe pemëve të vjetra të rrezuara nga faktorët atmosferikë e demonstrojnë më se miri këtë. Pas kësaj shëtitjeje bëhemi pjesë e eksperiencës së “Spërkatjes me Ujë”, një traditë popullore ku të rinjtë hyjnë në një basen me ujë dhe spërkasin njëri tjetrin. Ky ishte vetëm një demonstrim pasi festa paganë mbahet në muajin Prill, për të festuar ardhjen e pranverës dhe është një festë popullore në të gjithë rajonin e Xishuangbanna.

 

Vizitë në Fshatin e Kombësisë Dai (Menglai)

Pasi kalojmë qytetin Menglai dhe mbërrijmë në pikën kufitare mes Kinës dhe Myanmar, me biçikletat tona drejtohemi për në fshatin e Kombësisë Dai. Dai, do të thotë “Njerëz të Lirë” dhe një traditë e gjatë edukimi dhe kulture i ka bërë ata minoritetin më të avancuar në provincën Yunnan. Pritemi shumë ngrohtësisht nga banorët Dai, të cilët na shoqërojnë për në fshat duke kaluar pikësepari përmes një tempulli të madh Budist ku nuk humbasim rastin të bejmë fotografi të paharrueshme (në foto “Tempulli Budist Dai”).  Më pas futemi në thellësi të fshatit i cili ka edhe një treg të pasur dhe shumë atraktiv për gjithë turistët. Fruta ekzotike të panjohura, punime artizanale të poçerisë, të tezgjahut, të drurit apo punime të tjera me dorë na magjepsin me thjeshtësinë dhe bukurinë e tyre. Akomodohemi në shtëpitë karakteristike Dai, ku gjithashtu shijojmë edhe mikpritjen e banorëve, për tu zgjuar herët në agim, rreth orës 6 kur zhvillohet ceremonia e donacioneve nga banorët për murgjit budist. Kombësia Dai i përket Budizmit Teravada, një sekt i besimit Budist i përcjellë në kombësinë Dai rreth 1.000 vite më parë.  Ceremonia fillon duke na përcjellë emocione të veçanta, një traditë e lashtë që është po aq e gjallë dhe e vërtetë sa mijëra vjet më parë. Murgjit e vegjël parakalojnë në heshtje dhe njerëzit u dhurojnë ushqime, veshje e të mira të tjera materiale për të përmbushur nevojat e tyre në kushtet e një jete të dedikuar besimit dhe ritualeve fetare. Pas kësaj vizite, jemi njëzëri të bindur që Xishuangbanna ka një potencial turistik të madh, dhe që ka shumë për të ofruar për çdo lloj turisti, qoftë ai në kërkim të aventurës, qetësisë shpirtërore, kulinarisë (kuzhinës), kulturës, besimit fetar etj.

Kemi parë vende të cilat as nuk mund t’i imagjinonim, u jemi afruar kafshëve më ekzotike dhe jemi njohur së afërmi me to, kemi provuar gatime spektakolare duke njohur shije të reja dhe tani që po fluturojmë sërish drejtë Pekinit po mendoj që ajo që i dha më shume kuptim gjithçkaje ishin njerëzit, historitë e tyre, traditat, zakonet, mikpritja dhe ngrohtësia që na ofruan gjatë gjithë qëndrimit tonë, miqësitë e reja që krijuam me homologët tanë të CRI dhe dëshira e vullneti për ta ruajtur dhe zhvilluar këtë miqësi në emër të miqësisë tonë personale dhe popujve që përfaqësojmë!  Tani që jam duke marrë rrugën e kthimit për në vendin tim kuptoj që Xishuangbanna nuk është thjeshtë një destinacion turistik, jo për mua atë paktën. Ky vend i ngrohtë, gjithë ngjyra dhe njerëz të mrekullueshëm më la mbresa të thella dhe besoj se dhe unë lashë diçka nga vetja pas.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *