Ka një gjë të përbashkët në gjithë zhvillimet e kësaj jave, që vulos regresin e Shqipërisë para syve të botës. Është fjala për strategjinë e qeverisë, e cila mendon të bëjë politikë jo përmes debatit ballafaques, por përmes nxitjes së protestave kundër opozitës. Nuk ka rëndësi se protestat nuk kanë bazë dhe protestuesit janë aktorë. E keqja është se në një vend të lirë, standardet e lirisë verifikohen nga liria e opozitës dhe medies kritike dhe jo nga nxitja e protestave kundër tyre. Kjo e fundit ndodh vetëm në Iran, Kore dhe pjesërisht në Kinë.
Kriza e parë që shoqëron këtë fushatë, që fyen në thelb shoqërinë shqiptare, është kriza e aktorëve që përfaqësojnë “revoltën” e qeverisë kundër opozitës.
Një zëdhënëse e Partisë Demokratike u shfaq disa ditë para kamerave duke lexuar deklarata të “egra” kundër gruas së kreut të opozitës, pastaj u zhduk. Media e qeverisë bëri kujdes të thotë se ishte zëvendësuese, pasi zëdhënësja tjetër ishte me leje lindje, por kjo ra poshtë pasi siç shihet zëdhënësja tjetër ende nuk ka lindur dhe po del përditë. Një gazetë më afër opozitës shpjegoi se zëdhënësja ishte martuar në një familje komuniste, tek një nip i Shefqet Peçit dhe kish pasur probleme. Të tjerë thonë se ka pasur presion nga familja e vet tiranase, e cila njihet me familjen Basha dhe e di që ato që reciton vajzë e tyre janë shpifje. Nuk jam në gjendje të gjykoj kush nga këto versione na e hoqi nga sytë bukuroshen e egër, por e sigurt është se ajo vetë shihej qartë se nuk kuptonte gjë nga ato që lexonte dhe nuk kish formimin e duhur as për tu tërhequr dhe as për të vazhduar. Thjesht ishte një kukull një përdorimëshe e Berishës, e cila mund të rikthehet sërish në rolin e kukullës. Por e vërteta është se ajo nuk e përfaqësonte atë që thoshte.
Njësoj si zëdhënësja, kushërirat e Saliut dhe Lirisë që mbërritën para shtëpisë së Linda Bashës, nuk përfaqësonin dot atë që Berisha donte ta shpikte si zemërim të lagjes. Kushërirat e Familjes, disa gra të lodhura nga jeta, të sistemuara për shkak të fisit si kujdestare godinash, janë gati të bëjnë çfarë u kërkojnë Liria dhe Saliu, por puna është që nuk e përfaqësojnë dot atë që Berisha mendon se ekziston, pakënaqësinë e banorëve ndaj gruas së kryetarit të opozitës.
Për ta çuar në ekstrem këtë formalitet, hyri në garë dhe Jozefina, e cila mbledh firma infermieresh, mamish, motrash e vëllezërish ministrash, dhe i paraqet si intelektualë që janë të shqetësuar për mosmiratimin e tre ligjeve. Habitem pse e ka bërë me 100 e jo me 100 mijë, pasi administrata publike është 100 mijë vetë. Problemi është se shqiptarët nuk binden për rëndësinë apo parëndësinë e tre ligjeve nga firmat dhe peticione, por nga ballafaqimi publik i atyre që e përfaqësojnë këtë problem. Nuk besoj se nja 70 mjekë apo mami që kanë firmosur peticionin, të binden dhe vetë përse duhen ato tre ligje, kur vetë Evropa thotë që statusin do ta merrni kur të bëhen zgjedhje të lira dhe kur të luftoni dhe dënoni korrupsionin.
Përpjekja e qeverisë për të bërë politikë me protesta kundër opozitës, është një regres i pashembullt politik dhe kulturor për shoqërinë tonë. Qeveria është shumicë dhe ajo ka fuqinë të veprojë. Nëse është me leje apo pa leje shtëpia e rindërtuar e familjes Basha, këtë e di kryetari i Bashkisë, Lulëzim Basha, i cili duhet të ketë burrërinë të firmosë urdhrin për prishje të saj, nëse është e jashtëligjshme, pa qenë nevoja të dërgojë Saliu dhe Liria kushërirat e veta dhe të Argitës në lagje si në kohën e revolucionit kinez, kur Berisha ka hyrë në parti.
Nëse ka apo jo Linda Basha pasuri të paligjshme në deklaratën e saj të pasurisë, duhet të flasë ILDKP dhe të veprojë prokuroria, jo një kukull që e bëjnë të shëmtuar me zor, duke i krijuar me zor imazhin e një budallaqeje. Nëse e marrim apo jo statusin me tre ligjet, e thotë Bashkimi Evropian, ambasadorët e BE këtu, Stefan Fyle dhe vetë politika shqiptare, e cila i ka tashmë të qarta kushtet që po i përsëriten çdo ditë me kryekushtin për të bërë zgjedhje të lira.
Por në gjithë këto lëvizje nuk është shqetësuese çfarë mendon qeveria, por çfarë bën ajo. Në një vend demokratik me aspirata perëndimore, demokracia duket se si funksionon dhe nga fakti se sa e lirë është opozita të protestojë, sa e lirë është media kritike, sa e lirë është shoqëria civile të jetë roje e standardeve demokratike dhe lirive të njeriut në vend. Shoqëria jonë po adapton një standard korean, ku protestohet ndaj opozitës, zërave kritikë dhe shoqërisë civile. Ky standard është aq vrasës për imazhin e vendit tonë dhe standardin e demokracisë, sa dhe sikur tre ligjet të ishin miratuar dhe sikur zëdhënësja e PD të ishte vajzë e zgjuar, biles dhe sikur kushërirat e Saliut dhe Lirisë të ishin “tironse”, ne do na e hiqnin statusin nëse e kishim marrë.
Vetëm në Iran, Ahmadinexhadi ka mbajtur tubime kundër opozitës dhe ato duke ndjellë njerëz në shesh me mish dhe ëmbëlsira si Berisha më 28 Nëntor. Berisha dhe këtë fuqi e ka humbur. Atij i kanë mbetur vetëm kushërinjtë e vet dhe të Lirisë për të protestuar kundër opozitës dhe rrogëtarët e shtetit, të cilët nisen të hedhin firmën për të marrë rrogën dhe u përfundon firma në peticione kundër opozitës. Mjafton ideja që Shqipëria po tenton të hyjë në Bashkim Evropian me një qeveri, e cila proteston kundër opozitës, për të na bërë jo vetëm qesharakë dhe joseriozë, por dhe të neveritshëm dhe talibanë në raport me standardet e një shoqërie të lirë.
I gjithë regresi vjen thjesht nga fakti që Sali Berisha është konsumuar në ekstrem dhe nuk ka më as ide për debat politik, as aktorë për beteja politike, dhe as të drejtë për të udhëhequr një betejë kundër opozitës. Ai e ka ngushtuar rrethin e aktorëve dhe mbështetësve tek kushërinjtë e vet dhe të Lirisë, tek zyra e Topallit, tek lista e rrogëtarëve të shtetit dhe natyrisht tek shpresa se mund të prekë votat. Kjo e detyron të sillet si pushtetar i një vendi ku opozita denigrohet dhe ndëshkohet publikisht. Siç nuk e do Perëndimi!