I lindur për të qenë egërsirë

anazapta

Grumbullit prej më se dyqind vetash që përcollën dje një grua të lindur në tetor 1944  (koinçidencë e habitshme kjo me muajin e lindjes së diktatorëve dhe tradhëtorëve të shtetit shqiptar, nga Ahmeti, te Enveri ,te Ramizi e deri te Saliu) iu ngjita edhe unë. Uh ç’më kanë zënë veshët e ç’më kanë parë sytë aty- mos u tregofshion! Por unë po i bie shkurt!

E ndjera Paquze u nda nga jeta në moshën e kryeministrit tonë, nga një sëmundje që jeta ia pat dhuruar si udhë më të shpejtë e të shkurtër për ta dërguar te motra e vet-vdekja. Ilaçet nuk i merrte dot sepse pensionin ia kishin caktuar minimalin e mundshëm. Bashkëshorti kish ikur nga kjo botë tre muaj përpara saj. Vajzës së vetme i pat dalë fati  i  martesës në Zelandën e Re, dhe u kish premtuar prindërve se do t’i merrte atje sapo të rregulloheshin dokumentet… por s’qe fat.

“Ku do ta varrosim” thoshin me hall në shpirt të afërmit e paktë të saj. “Nuk ka vënd më” – thanë ata të varrezave në Shesh-Tufinë dhe ata në Sharrë. “A kini ndonjë njeriun tuaj që t’ia nxirrni eshtrat dhe pastaj t’i varrosni bashkë?” ishte pyetja e tyre, si alternativë e mundshme, që edhe pse janë njerëz me të njëtjat halle, duan të marrin ndonjë lekë se në fund të fundit, varrmihësi do që të vdesin sa më shumë, që të mbijetojë . “Po vallë a të jenë ngrënë plotësisht mishrat e bashkëshortit të saj nga krimbat?” u përgjigj me pyetje  naive hanibaleske një nga stërnipërit e Paquzes? Heshtje.

Varrezat e kryeqyetit paskan vdekur!. Kryeministri në detyrë ka dhënë në media shumë pohime për arritjet marramendëse të Shqipërisë në këto 21 vite demokraci, por ka harruar të thotë se ç’vend zë në Evropë republika parlamentare (saktësisht duhet të thosha personale) që ai aksidentalisht po drejton për në humnerë duke i lënë banorët e kryeqytetit të vet edhe pa varr?! E llafet e njerëzve në këtë ceremoni mortore s’kanë të sosur. U ka vajtur në palcë!

“Do të vijë edhe dita  kur të gjitha gazetat shqiptare do të japin lajmin e thjeshtë por me ngarkesë emocionale, “U nda nga jeta kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha!”- shpotiti njëri. Njerëzit e pranishëm u kthyen nga ai dhe po shqyenin sytë: “Ç’dërdëllis ky i marrë?” Mirëpo folësi dukej një burrë i qetë dhe me mend. “Nuk po bëj as Nostradamusin, as  fallxhoren e rrugës e ca më pak cinikun keqdashës- tha ai qetë-qetë. Madje jam një dashamirës i doktorit si mjek. Dhe këtë e them me sinqeritet. Mirëpo edhe atë vdekja e shpejtë e pret. A nuk e dëgjuat para disa ditësh kur tha: “Shtëpia e ushtarakëve është kthyer në një vend për ceremoni mortore e dasma…” Me sa duket ëndërron që ceremonia e tij të bëhet aty, dhe për ta pasur më të lehtë, ia jep njeriut të tij edhe si pronë ligjore!”

I mjeri ai – filloi të flasë me zë të ngjirur një tjetër përcjellës. Paska lindur për të qënë egërsirë! Po çka më shtëpinë e ushtarakëve mor jahu!? Atyre ua hoqën të tëra ç’kishin! Tani po u heqin edhe atë objekt ku gjejnë vetveten me ato veprimtari që bëjnë kulturore e ushtarake.

“Do ketë parë fantazmën e vdekjes si duket!- shpotiti njëri me gojën plot. Dhe ashtu si çdo qënie e gjallë kur i afrohet fundi bën atë që nuk mund të paramendohet kurrë! Ky njeri, edhe pse drejtoi, ashtu si drejtoi kaq vjet, deri në ditën e fundit do veprojë me keqdashje ndaj shqiptarëve”- tha ai duke hedhur hapat pas arkivolit…

“Ore, po kryeministrin tonë ku do ta varrosin vallë ?”- pyeti i nxituar një idhtar i  muhabetit nga mesi i turmës ashtu siç e kemi zakon ne që qajmë për torbën e halleve të të tjerëve dhe lëmë mbi kurriz thesin e halleve tona.Të pranishmit e panë vrëngër dhe heshtën në çapitjen e tyre drejt Varrezës së vdekur…

Letër e nënshkruar: Dashamir Boçi

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *