I paharruari Agron Sulaj!

redaktor

E nderuar ‘DITA’! Po ju shkruaj për nderimin që iu bë këto ditë në Vlorë një sportisti dhe një mjeshtri të madh të futbollit vlonjat e shqiptar, Agron Sulajt, me rastin e 20-vjetorit të ndarjes nga jeta. Agroni u lind në një familje fisnike, që ka qenë e njohur për bujari, mikpritje, besë e atdhetarizëm. Ai ishte biri i Meleq Azbi Sulaj, nga Cakrani, partizan, komandant kompanie dhe invalid i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.

Agroni lindi në Vlorë në vitin 1952. Që në bankat e shkollës do të spikaste jo vetëm edukata shembullore por edhe talenti e pasioni i tij për futbollin dhe shumë shpejt ai do të bëhej një lojtar i shkëlqyer. Demonstroi për herë të parë te “Shkëndija”. Më pas do të shkëlqente edhe si drejtues i ekipit të “Flamurtarit” dhe si drejtor teknik i Federatës së Futbollit. Me inteligjencën, talentin dhe përkushtimin e tij, ai do të kthehej në një simbol në Federatën Shqiptare, sepse dijet e tij i përcolli te shumë talente të reja të futbollit shqiptar. Ai ishte Mjeshtër i Sportit.

Sa herë takoheshim, ne miqtë dhe shokët e tij, i dëgjonim me vëmendje bisedat e tij, me atë zë të ngadaltë, elokuent, për sportin dhe për probleme e halle të tjera familjare e sociale. Agroni ishte prind shembullor, bashkëshort ideal dhe mik i sinqertë. Kushdo që njihej me të, dëshironte ta kishte mik e shok. Duke qenë i përkushtuar ndaj futbollit dhe duke punuar me korrektesë të madhe për të arritur rezultate sa më të larta, ai bëri miq e shokë në të gjithë Shqipërinë, por dhe në Itali e gjetkë, sepse tregonte vlera njerëzore e profesionale. Fjala i kish peshë, mendimi – thellësi, gjykimi – arsye, bujaria i rridhte nga shpirti, dashurinë e kishte njerëzore dhe fjalët i kishte vepra. Gjithë jetën nuk u lodh, por qëndroi në ballë të detyrës si atdhetar, intelektual dhe është nderuar me titullin: “Qytetar Nderi i Vlorës”. Figura të tilla intelektuale e sportive përbëjnë një model bashkëkohor jo thjesht për vendlindjen e tij e Vlorën, por për të gjitha majat që ngjiti në sportin evropian dhe kulturën shqiptare. Shembulli i tij dha vlera të tilla, që na mblodhën e do të na mbledhin përherë për t`ua përcjellë brezave të rinj.

 

Letër e nënshkruar,

Asqeri Llanaj

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *