Për profesor Moikomin multidisiplinar, eurudit i shquar, arkeolog, historian, piktor, notar, eseist, publicist etj, kanë shkruar mjaft personalitete të shkencës, artit e kulturës, shokë e miq të tij të fushave të ndryshme, bashkëkohës, shkrimtarë brenda e jashtë vendit, gjer në SHBAetj.
Unë që atë mëngjes “të akullt” të 15 qershorit 2020, sapo mësova ndarjen nga jeta të tij,pata emocione të shumta, desha të shkruaja, por nuk munda.Ky vit i ri na gjeti pa të paharruarin profesor Moikom Zeqon fizikisht, por 2021, vitet e tjera pasuese, shekujt me radhë do kenë prezent veprat e tij të shumta, punën kolosale që bëri,erudicionin e rrallë që shpalosi gjatë mbi 70 viteve të jetës së tij, duke u radhitur me të drejtë në elitën kulturore e shkencore, në nivelin e epërm të shoqërisë shqiptare.
E njihja profesor Moikomin si poet, shkrimtar, por u takuam për herë të parë në vitin 1982. Me të ishte dhe bashkëshortja e tij, profesore Lida Miraj. Bashkë me kolegë dhe kolege të tjerë, kryem specializimin dy vjeçar teoriko praktik pasuniversitar, për arkeologji dhe histori të lashtësisë, në Institutin e Arkeologjisë, i cili ishte në varësi të Akademisë së Shkencave. Kemi qenë me fat që pedagogë në ato vite kishim profesorët e mirënjohur Akademik Aleks Buda,Hasan Ceka,Skënder Anamali,Selim Islami,Frano Prendi, akademik Muzafer Korkuti, Akademik Mahir Domi, Aleksandra Mano, Neritan Ceka,Zhaneta Andrea, Bep Jubani, Dhimosten Budina, Hëna Spahiu, Damjan Komata, Aleksandër Dhima etj, të cilët ndikuan në formimin tonë për të ngritur nivelin kërkimor shkencor në veprimtarinë studimore.Profesor Moikomi krahas përgatitjes së lartë, që shprehej në diskutimet dhe përgjigjet për çeshtje të ndryshme të historisë e kulturës sonë mijëravjeçare, shkëlqente sidomos në fushën e artit antik e mesjetar gjatë këtij kualifikimi pasuniversitar. Ai manifestonte mbi të gjitha kulturë të lartë qytetare, falë formimit bazik të trashëgimisë familjare e shoqërore, vyrtyteve të tij, që shprehej në thjeshtësinëe komunikimin me të gjithë kolegët e koleget dhe bashkëbisedues të tjerë. Në saj të këtyre cilësive i paharruari profesor Moikom Zeqo vijoi kualifikime të mëtejshme, siç mund të përmend atë për Arkeologji dhe Skulpturën Antike në shkollën franceze “L’Ecole Francaise” në Romë dhe Athinë. Puna e tij për një kohë të gjatë si arkeolog në Muzeun Arkeologjik të Durrësit, mëpas specialist në Sektorin e Artit Antik e Mesjetar pranë Akademisë së Shkencave është vlerësuar nga drejtuesit e institucioneve përkatëse dhe vetë i mirënjohuri, Kryetari i Akademisë së Shkencave në ato vite, Akademik Aleks Buda, me të cilin profesor Moikomi ka patur një miqësi të veçantë.
Me vendosjen e pluralizmit në vendin tonë,profesor Moikomi në vitet 1990-1991 bëhet kryetar i Komitetit të Kulturës dhe Arteve si dhe Ministër i Kulturës së Republikës së Shqipërisë. Si i tillë përfaqësoi Shqipërinë në takimin e parë të ministrave tëkulturës të Evropës në Leon të Spanjës, si dhe në takimin e parë të ministrave të kulturës të vendeve të Ballkanit në Ankara.Njëkohësisht në këtë cilësi mori pjesë dhe në takimin e ministrave të kulturës, të organizuar nga Unesko në Athinë. Prezenca e këtij kulturologu tëpapërsëritshëm në këto takime ishte dinjitoze.
Në vitet 1992-1996 ka qenë deputet i PS në Kuvend. Në vitin 1992, në grupin parlamentar të PS, ai propozoiIsmail Kadarenë për postin e Presidentit të vendit, kandidaturën e shkrimtarin më të shquar të vendit, mjaft të njohur ndërkombtarisht.
Profesor Moikomi gjatë kësaj legjislature spikati në mbrojtjen e vlerave të trashëgimisë historiko-kulturore të vendit, të pasurisë arkeologjike të nëntokës e mbitokës, të arkeologjisë nenujore, rrënojave të monumenteve të kulturës, qytetërimit iliro arbëror,të luftës së lavdishme nacional-çlirimtare dhe mjaft çeshtjeve të tjera shumë të rëndësishme.
Puna e tij e jashtëzakonshme u shpreh dhe në funksionet e Drejtorit të Trashëgimisë Kulturore, si dhe të Drejtorit të Përgjithshëm të Muzeut Historik Kombëtar etj.
Në vitet 2000-2005 ishte këshilltar i jashtëm i Kryeministrit dhe Presidentit të vendit tonë.
Ky dijetar poliglot është autor i shumë librave në rrafshin arkeologjik, histori arti, mitologjik, letërsi, prozë dhe poezi, publicistikë, eseistikë etj. Ka realizuar mjaft botime shkencore arkeologjike në revista shkencore brenda e jashtë vendit. Ka qenë pjesmarrës aktiv në simpoziume tëndryshme ndërkombëtare për arkeologjinë dhe fusha të tjera të artit, kulturës, shkencës e politikës. Gjersa mbylli sytë në këtë jetë ishte mjaft aktiv dhe në mjetet e informimit publik, duke trajtuar me kurajo dhe kompetencë çeshtje të ndryshme jo vetëm të artit, kulturës e shkencës, por dhe të politikës.
Ai është titulluar nga Presidenti i Republikës “Mjeshtër i Madh”.
Personaliteti i tij është nderuar nga mjaft qytetete si: Qytetar Nderi i Gjirokastres, Libohovës, Mallakastrës, Beratit, si dhe nga shoqata Labëria është cilësuar “Personalitet i madh i Laberisë”.
Fushës së arkeologjisë i ka kushtuar dhe librat e tij si: Aspekte të artit antik në Durrës;Mbishkrimet e Gramatës;Monumente me mbishkrime poetikë në lashtësi;Motive arkeologjike;Albania, Guidë arkeologjike në anglisht për ekspozitën botërore të Lisbonës;Guida arkeologjike e Lezhës;Guida e Muzeut Historik Kombëtar;Historia e bujqësisë shqiptare, kapitulli i parë, të dhënat arkeologjike për bujqësinë;Kulti i Mitras;Arkeologjia si egjiptologji;Kulti i Abraxas Aparkeasit;ndërsa në studimet për historinë e artit botoi librat e tij Albumi i rinisë;Ëngjëjt e pikturës dhe Lasgush Poradeci;Nënë Tereza në Artet Figurative;Historia e artit(tekst për shkollat e mesme të Shqipërisë);Albumi i piktorit Artur Muharremi;Albumi i piktorit Helidon Haliti;Albumi i piktorit Zef Shoshi. Në fushën e mitologjisë ai realizoi veprat: Aspekte të mitologjisë ilire; Purgatori ilir etj.
Profesor Moikomi ka ideuar dhe konstruktuar shtëpi-muze të akorit të përbotshëm me origjinë shqiptare, Aleksandër Moisiu, në Durrës, muzeun e Flotës Luftarake Detare në Bishtpallë të Durrësit, ka rikonstruktuar dhe rikonceptuar pavionin e Antikitetit dhe të Mesjetës në Muzeun Historik Kombëtar, ka ideuar dhe konstruktuar tërësisht pavionin e Ikonografisë dhe Artit Mesjetar, pavionin e Antifashizmit Shqiptar në Muzeun Historik Kombëtar etj.
Në vitin 2005 ka organizuar Konferencën e Parë Ndërkombëtare Shkencore për 600 vjetorin e lindjes së Gjergj Kastriot Skënderbeut në Vjenë, në kryeqytetin e Austrisë.Ka botuar për herë të parë dhe librin në dorëshkrim që ruhet në biblotekën e Vajimarit në Gjermani të quajtur” Codec Scanderbeg”. Ai është dhe autor i pavionit shqiptar në Ekspozitën Botërore të Lisbonës, në Portugali në vitin 1999. Është konceptuesi dhe organizatori për herë të parë në Shqipëri i tre konferencave kombëtare muzeumologjike. Profesor Moikomi ka dhënë leksione ne Universitetin e Tiranës, Elbasanit, Gjrokastrës si dhe të Prishtinës.
Ai ishte anëtar i Akademisë Shqiptare tëArteve dhe Shkencave dhe vitet e fundit Zv/President i saj.
Ka fituar disa çmime kombëtare për librat e tij, është përfaqësuar në disa antologji të poezisë botërore. Në vitin 2007, shtëpia më e madhe botuese e Nju Jorkut botoi në kolanën e poetëve më të shquar një libër poetik të zgjedhur të tij.
Ndër poezitë do veçoja Vegime të vendlindjes; Qyteti Fenix;Brenda vetes;Stina e Balonave;Festa e Abetares;Skulptori i dëborës;Shtëpia e pëllumbave;Legjenda e Epidamnit;100 Zemra;Bota e krijuar nga Onufri;Shkruesi egjyptian;Libri Florimontian;Orëndreqësi qiellor;Miscellanea në disa numra;Anstisonetet e Makabe Zaharisë;Centauri etj.
Ndërsa do përmendja në prozë Kalorësit Dardanë; Pedagogu i Kopernikut; Dialog në lëvizje; Princi i Vjeshtës; Vjeshta e Princit; Fjalëkryqet e Babilonisë; Njeriu jeshil; Gjumashët e Efesit; Papagajte e Nembrotit; Adami i fshehur; Abraxas, mbreti i botës; Mujo Ulqinaku; Onufri;
Ndër librat studimorë të tij mund të përmendim Rexhep Qosja dhe çështja kombëtare shqiptare;Veprën kushtuar shkrimtarit të majave të letërsisë shqipe, me të cilin ka patur dhe shoqëri të veçantë, Dritëro Agollit, të titulluar “Liriku i tokës, demoni i fjalës”. Po kështu ka shkruar dhe vepra të tjera si: Shqiptarët dhe Globalizmi; Jashtëtokësorët e Shqipërisë; Kombëndriçuesit, Naim Frashëri dhe Gjergj Fishta; Lufta Antifashiste Nacional-Çlirimtare; Libri i Skënderbeut; Migjeni, arkitekti i nëndheshëm i qiellit; Një flamur, një komb; De Rada, rishpikja e Arbërisë; Lasgush Pordeci,Shitja e Hënës, Sagë Palimseshtes, Vetullat Hyjnore, Ofelia me Mjekër, Anija Misterioze, Plagosja e Kujtesës, Deti Kanibal, Bilici i Engjejve, gjer tek libri i fundit “Fata Morgana” etj.
Profesor Moikomi çmonte shumë krijimtarinë e De Radës, Naim Frashërit, Migjenit, Nolit, Konicës, Fishtës, Kadaresë, Agollit, Qoses, etj.

Në bisedat me të si dhe në shkrime të tij shprehte dashurinë për veprat e tyre, bënte analizën e thellë për sfondin historik e kulturor kur janë botuar, përmbajtjen e tyre etj. Ndër ta mund të citoj veprën e tij ” De Rada “Rishpikja e Arbërisë”, ku, në mes të tjerash, vlerëson shekujt paraardhës letrarë nga Meshari i Gjon Buzukut deri në shekullin e XIX si element shumë të rendësishëm, duke arritur në përfundimin se romantizmi shqiptar përfaqësohet nga De Rada dhe Naim Frashëri, të parin e cilëson “Ati i madh i romantizmit shqiptar” dhe të dytin “At binjak” etj. Në këtë vepër ai ireferohet poetëve dhe shkrimtarëve të shquar që kanë vlerësuar veprën e De Radës, singa majat e kulturës botërore Viktor Hygoi, Frederik Mistrali, poet i shquar i shek.XIX, nobelist në letërsi, poeti i shquar i shek.XX Guillaume Apollinaire etj, si dhendër më të spikaturit përmend takimin e De Radës me poetin e famshëm francez Alphose de Lamartine etj.
Mjaft libra, ose pjesë të tyre, janë përkthyer në gjuhë të huaj, si: frëngjisht, anglisht, gjermanisht, danisht, turqisht, greqisht, spanjisht, portugalisht, bullgarisht, sllovenisht, serbo-kroatisht, italisht, persisht, kineze, japonisht etj.
Një pjesë të librave të profesor Moikomit i kam blerë, por shumicën e tyre ai, sapo bënte kopjet e para, m’i jepte me dedikim. Ata janë në bibliotekën time, të cilat i çmoj jashtë mase unë dhe fëmijët e mi, të cilët kanë biseduar shpeshherë me të.
Kur mbusha 60 vjet, krahas të tjerave, më uroi ditëlindjen dhe përmes veprës së tij “Micellanea 11”.
Unë kam patur fatin të jem një nga shokët që jo vetëm e kam njohur prej kohësh, por kam përfituar nga erudicioni i tij, duke qëndruar shpesh me të,ku bashkë me ne ka qenë dhe profesor Zyhdi Pepa, që e çmonte shumë dhe i dedikoi një nga veprat e tij. Në njëintervistë në një nga mediat vizive, në vitin 2017, profesor Moikomi e pohoi se rri me shumë shokë, por kohën më të shumtë e kalonte me profesor Zyhdi Pepën dhe mua.
Me profesor Moikomin kemi marr pjesë në konferenca të ndryshme që lidhen me arkeologjinë si në Tiranë dhe në rrethe. Ndër ta do theksoja simpoziumin “Rikthim në Iliri”; konferencën kushtuar At Shtjefën Gjeçovitdhe aktivitetet kushtuar Migjenit etj. Erudicioni i rrallë, komunikimi brilant, orotaria plot sharm i bënte të pranishmit ta ndiqnin me ëndje dhe të gjithë mësonim shumë prej tij. Memoria e tij e jashtëzakonshme vështirë të gjej një “vëlla binjak”.
Në nëntor 2015 kthehet nga Londra. Si zakonisht takoheshim pasdite bashkë më profesor Zyhdiun tek lokal Çajupi, pranë të cilit kishte dhe shtëpinë e tij. Ai erdhi dhe na tha: kam dy lajme, një të mirë dhe një të keq. I miri është se kam martuar djalin dhe i dyti është se jam me leuçemi. E uruam për martesën e djalit, por u hidhëruam shumë për sëmundjen që i kishte rënë. Kur shkonte të kurohej me ditë të zgjatura në spital jemi përpjekur t`i qëndrojmë sa më afër, siç e kanë vizituar shumë miq e shokë të ngushtë të tij, personalitete të shquara të kulturës, shkencës, artit, medias, politikës dhe qytetarë të panumërt të këtij vendi që e çmonin aq shumë.
Profesor Moikomi edhe në spital moralin e kishte shumë të lartë, mendjen shumë të kthjellët, ishte një vigan që e përballoi sëmundjen me shumë dinjitet. Pranë i qëndronte bashkëshortja dhe tre trashëgimtarët e tyre të shkëlqyer.
Në një vizitë që kryem në Luginën e Preshevës në nëntor të vitit2015, ku bëja pjesë në delegacionin e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, në kthim me iniciativë të deputetit Fatmir Toçi,bëmë një vizitë në Prishtinë, në shtëpinë e personalitetit të madh,bereqetplotit të kombit shqiptar, Akademik Rexhep Qoses, që na priti aq mirë dhe me diturinë e thjeshtësinë e tij na krijoi kushte tepër komode komunikimi. Akademik Rexhep Qosja e vlerësonte shumë profesor Moikom Zeqon. Duke biseduarmë tha që kam marrur Moikomin ne cel po nuk më del. I dhashë numrin e fundit të tij. Pas kthimit në Tiranë, profesor Moikomi më dërgoi mesazhin që ikishte ardhur nga akademik Rexhep Qosja, i cili i shkruante:
“Shumë i dashuri Moikom,
Jam i informuar që sa ditë për gjendjen tënde shëndetësore. Dhe, përmes një numri tënd të vjetër telefonik dhe përmes një tjetri të ri që ma dha Muhamet Bela kam bërë shumë përpjekje të marr lidhjen me ty, por nuk arrita dot. Sot të çova një mesazh në njërin prej këtyre telefonave. Nuk e di a e more.
Gjendja shëndetësore më pikëllon shumë. Dy viteve të fundit edhe vetë i kam përjetuar disa kriza shëndetësore. Këto ditë pata operacion në sy nga kataraktet. Jam me terapi qe tri javë të cilën duhet ta vazhdoj edhe dhjetë ditë.
Gjendja jote më pikëlloi sepse në asnjë mënyrë s’mund ta imagjinoja atë gjendje. Ne pamjen time gjithnjë ishe energjik, i fuqishëm, i lëvizshëm dhe krijues i palodhshëm.Po kjo palodhshmëri mund të jetë tragra që i paguajmë asaj- palodhshmërisë krijuese, edhe ti edhe unë. Po mirë, o Zot. E vlen. E vlen të vdiqet duke krijuar, duke lënë pas vepra që e mundin vdekjen. Ky duhet të jetë Ky duhet të jetë për ne ngushëllimi më i madh. Kjo, pra krijimtaria dhe fëmijët, nipa e mbesat që lëmë pas.
Me zemër e me mendje jam te ty e me ty. Por njëkohësisht jam plot hidhërim ndaj gjithë atyre që s’kan treguar për ty kujdesin që e meriton si Moikom Zeqo: si poet, si eseist i pashoq, si publicist, si historian, si intelektual i palodhshëm e i papajtuar me të këqijat.
Uroj shërim të suksesshëm dhe uroj që shpejtë të shihemi e të bisedojmë për shumëçka.
Yti me dashuri vëllazrore,
Rexhep Qosja”.

Kafeja e fundit ishte me profesorin e paharruar Moikom Zeqon me 6 qershor 2020. Duke biseduar me të më tha që do shtrohem përsëri në spital dhe më dhuroi veprën e tij të botuar së fundmi “Fata Morgana”.
Biseduam shumë atë mëngjes, i urova shërim të shpejtë. Pas shtrimit të tij në spital, në pavionin e hematologjsë, kam komunikuar vetem në celular, sepse rregullat në kohë pandemie nuk na lejonin ta vizitonim.
Ky personalitet i madh i kulturës, shkencës, artit, medias etj, e mbylli jetën gjithnjë në kriijimtari të vazhdueshme, gjersa i mbylli sytë. Profesor Moikomit i shkojnë për shtat thëniet e Viktor Hygoit, në gusht të vitit 1850, në lamtumirën e fundit për Honoré de Balzak: ” Jeta e tij ishte e shkurtër, por e mbushur; e mbushur më shumë me vepra se sa ditë”.
Kurrë nuk e mendova se do ikte aq shpejt. Iku po duket që jeton, me gjithçka që bëri në jetë la pavdeksinë i paharruari profesor Moikom Zeqo!

Autori i shkrimit Prof.Asoc.Dr. Muhamet Bela, se shoh qe paskeni harruar ta shkruani.
Shume bukur dhe dinjitoz, i kujdeseshem dhe vemendeshem jeni treguar ne kete shkrim qe ju publikoni per te madhin Moikom Zeqo.
Moikomi dinte qe te zgjidhte shoket dhe ju jeni nje nder me te miret i nderuari Muhamet Bela.
Nje shkim i ralle sa i sakte.Per ate te rralle-si Moikon Zeqo. Faleminderit As.Dr.Muhamet Bela.