I pamposhtur, Berisha kyç portën e Lacios

anazapta

Etrit Berisha i ka treguar Lacios se nuk gaboi aspak që e bleu pas një lufte të gjatë me Kievon në verën e kaluar. Portieri kuqezi rrezikoi edhe pezullimin nga FIFA, për shkak të firmës së hedhur në një parakontratë me skuadrën veroneze teksa ishte ende lojtar i Kalmarit në Suedi, por tani gjithçka është harruar dhe ai është njeriu i momentit te Lacio. Mbrojtësi i portës kuqezi ka luajtur si titullar në dy ndeshjet e fundit, për shkak të dëmtimit të Marketit. Në të dy rastet e ka ruajtur të paprekur portën e romanëve, fillimisht në fitoren 1-0 kundër Interit, javën e kaluar, dhe të shtunën e fundit, me barazimin pa gola në Bolonja. Në ndeshjen e dytë Berisha ishte edhe lojtari më i mirë në fushë për skuadrën e tij, e cila ka marrë shumë kritika për lojën e dobët dhe krejtësisht pa ide që ka zhvilluar në Bolonja. Por pathyeshmëria e Berishës në portën e Lacios nuk shtrihet vetëm në këto dy ndeshje të kampionatit. Ai është aktivizuar më parë edhe tri takime të Europa League dhe vetëm në njërin prej tyre ka pësuar gol, në të parin, kundër Apolon Limasol të Qipros, fituar 2-1 nga Lacio. Që nga ai gol, i pësuar në minutën e 39-të të pjesës së parë, Berisha nuk është mposhtur më në takimet që ka luajtur për Lacion. Janë gjithsej 411 minuta, të cilat përfshijnë pjesën e mbetur të ndeshjes me qipriotët, më pas fitoren 2-0 kundër Legias së Varshavës, barazimin e bardhë me Trabzonsporin e Turqisë dhe së fundi dy takimet e kampionatit italian, ku Lacio ka marrë katër pikë.

Vlen të kujtohet se Berisha ka pasur një ecuri të ngjashme edhe me kombëtaren e Shqipërisë. Ai zëvendësoi portierin Ujkani pas gabimeve që ky i fundit bëri me Islandën dhe nuk pësoi gol në ndeshjet kundër Sllovenisë (1-0), Kamerunit (0-0) dhe Norvegjisë në Oslo (1-0 për Shqipërinë). Ai doli i dëmtuar në minutën e 23-të të ndeshjes me Lituaninë, fituar 4-1, pa pësuar gol, dhe arriti ta ruante të paprekur portën deri në minutën e 87-të të ndeshjes me Norvegjinë në “Qemal Stafa”, mbyllur në barazim 1-1.

 

Share This Article
1 Comment
  • Kater jane lojtaret nga kosova,qe e meritojne te veshin fanellen e Shqiperise,Berisha[portieri]A.Meha,M.Mavraj,V.Rama,po ti mbushet mendja edhe B.Berisha.Stop!Te tjeret nga Shqiperia.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *