I pandehuri Huta: Si i mbaja lidhjet agjenturore të Koçi Xoxes me Rankoviçin dhe emisarët e Titos

anazapta

Ekskluzive / Gjyqi kundër Koçi Xoxes, seanca e tretë. Përplasja e Xoxes me të pandehurit e tjerë. Deklaratat e nënshkruara pas urdhrit të Enverit nga drejtues të Partisë dhe shtetit për analizën e vetëvrasjen së Nako Spiros

 

Refuzimi i Koçi Xoxes: Kam besim dhe respekt për trupin gjykues, por unë këtu ndodhem para Prokurorit Bedri Spahiu, i cili më ka hetuar mua për 5 muaj me radhë dhe rëndon padrejtësisht pozitën time!

 

Dëshmive të të pandehurit Koçi Xoxe në datën 13.5.1949, në seancën e tretë gjyqësore, akuzave të Komisionit të Posaçëm Hetimor, i shtohen deponimet e të pandehurve Pandi Kristo, Nuri Huta, etj… Deponimet, shoqëruar me debate të ashpra me Xoxen, e rëndojnë më tej pozitën e ish-Ministrit të Brendshëm… “Unë, isha i besuar i Koçi Xoxes dhe i emëruar prej tij në Beograd jo vetëm me detyrat e propagandës, por dhe me ato ushtarake. Ai më besoi korrespondencën e tij me udhëheqjen jugosllave dhe të ngarkuarit e tij. Korrespondenca, komunikimi im me Koçin bëhej dhe në rrugë private”, -dëshmon mes të tjerave në këtë seancë i pandehuri Nuri Huta…

 

(Vijon nga numri i kaluar)

 

SEANCA E III, 13/5/1949

(Sot më datë 13.5.1949 u çel seanca e tretë e procesit kundër grupit trockist dhe armiqve të popullit, Koçi Xoxe me shokë.

-Trupi gjykues në formacionin e mëparshëm. Gjithashtu, edhe akuza publike.

-Vazhdon pyetja e të pandehurit Koçi Xoxe.

-I pandehuri Koçi Xoxe tha: Kërkoj të pyeten shokët e Komitetit Central se kush ka qenë iniciator për bisedime me jugosllavët, pasi dje, në këtë drejtim më ka bërë pyetje Prokurori. Të pyetet edhe Nesti Kerenxhi se çfarë i kam thënë për Sekretarin e Përgjithshëm Enver Hoxha. Të pyetet dhe Liri Belishova dhe Abdyl Këllezi se ç’u kam thënë në Plenumin e II-të.

-Kryetari i Gjyqit tha se do të vazhdojë pyetja e të pandehurit dhe do të mbahet shënim për dëshmitarët mbrojtës që ti kërkon të pyeten.

(Dosja gjyqësore, Seanca e tretë, Faqja 20).

 

Prokurori(Bedri Spahiu): -Unë përleshem në gjyq me të pandehurin, kriminelin dhe armikun e popullit Koçi Xoxe, si mbrojtës i drejtësisë së popullit dhe Gjykata do të dëgjojë e shqyrtojë me gjakftohtësi këto prova dhe do të japë vendimin e saj… Të pyetet i pandehuri Koçi, a qëndron deri në fund në rrugën e tradhtisë, si qëndroi Nako Spiro?

 

Koçi Xoxe: -Po, Nako vazhdimisht vazhdoi në rrugën e tradhtisë, gjer në fund.

 

Prokurori: -Ku është Nako Spiro?

 

Koçi Xoxe:- Ka vrarë veten.

 

Prokurori: -Të na thotë i pandehuri Pandi Kristo se deri kur ka vazhduar në vijën e tradhtisë Nako?

 

Pandi Kristo: -Deri në rishikimin e Beratit. Pastaj Nako ktheu dhe unë nuk e kuptoj përse i pandehuri Koçi Xoxe thotë të kundërtën.

 

Koçi Xoxe: -Unë kërkoj të thirren për t’u pyetur Anëtarët e Komitetit Central.

 

Kryetari(Frederik Nosi): -I pandehur këtu je përpara gjyqit dhe nuk mund të manovrosh si të duash ti…

 

Prokurori: -I pandehur Koçi Xoxe! Unë nuk përgjigjem, se më parë dua të shpjegoj se si qëndrojnë disa gjëra për të cilat nuk po më jepet leja të shprehem.

 

Kryetari: -I pandehur. Ti duhet të kesh respekt dhe besim tek trupi gjykues dhe në drejtësinë e popullit.

 

Koçi Xoxe: -Unë kam besim dhe respekt për trupin gjykues, por unë këtu ndodhem para Bedri Spahiut, i cili ka qenë dhe në hetime për 5 muaj me radhë, si dhe në Plenum e Kongres.

 

Prokurori(Bedri Hazbiu): -Shokë gjyqtarë! Ju duhet të dini se cilin keni përpara. Ky është poshtërsia vetë. Një njeri i poshtër dhe trockist, siç është i pandehuri, nuk mund të besoj tek njerëzit e ndershëm, komunistët tanë… Çështja është se unë këtu nuk flas gjëra të mia personale, nuk bie asgjë nga eksperienca ime e hedhur me këtë njeri, por unë paraqes këtu faktet dhe deklaratat e të pandehurit… Të na thonë të pandehurit Vaskë Koleci dhe Vango Mitrojorgji, a janë vërtetuar në vendin tonë me urdhër të të pandehurit këto gjëra, kjo veprimtari armiqësore…

 

Vaskë Koleci: -Kanë ndodhur.

 

Vango Mitrojorgji: -Po, kanë ndodhur me urdhër të tij.

 

Prokurori: -Të na thotë i pandehuri Koçi se a kanë qenë të disiplinuar ndihmësit e tij dhe a kanë pasur ata respekt për të?

 

Koçi Xoxe: -Ndihmësit e mi kanë qenë të disiplinuar, ata kanë pasur respekt për mua.

 

Prokurori: -Të pyetet Vaskë Koleci nëse ka qenë i informuar rregullisht i pandehuri Koçi Xoxe për veprimtarinë e Ministrisë së Punëve të Brendshme?

 

Vaskë Koleci: -Të gjitha informatat i shkonin të pandehurit Koçi Xoxe. Ky ka kënduar raportet përmbledhëse të seksioneve si dhe verbalisht ka qenë i informuar. Në këtë mënyrë kam vepruar unë, kështu ja bënte edhe Vango dhe shokët e tjerë…

 

Vango Mitrojorgji(I pandehur): -Në këtë mënyrë veprohej në Ministrinë e Brendshme…

 

Prokurori: -Të pyetet Vaskë Koleci, nëse janë bërë gabime të rënda?

 

Vaska Koleci: -Janë bërë gabime të tilla të rënda që pushtetin popullor e paraqisnin si pushtet tiranik.

 

Prokurori: -Të pyetet edhe i pandehuri Vango Mitrojorgji për këtë.

 

Vango Mitrojorgji(I pandehur): -Po, janë bërë gabime shumë të rënda. Për shembull unë dua të përmend arrestimin e 200 personave që u urdhërua nga i pandehuri Koçi Xoxe, megjithëse ne kishim material vetëm për 60 vetë. Kur ne i thamë se nuk ka material, ai na tha se “nuk ka sot por do të ketë nga proceset nesër” dhe nxori e na dha një listë me 20 veta që duhet t’i arrestonim. Shumica e të arrestuarve ishin njerëz pa asnjë faj, veçse ishin takuar me këtë apo me atë, apo dhe me njëri-tjetrin…

 

Prokurori: -Ky është vetëm një rast, shokë gjyqtarë… Por ka dhe të tilla më të rënda bile, vrasje në masë… Dhe çështja është se këto veprime e kanë dëmtuar popullin dhe Republikën tonë. I pandehur Koçi, kush ka pasur më shumë influencë, ti tek Pandi, apo Pandi tek ti?

 

Koçi Xoxe: -Unë kisha besim tek Pandi, por dhe ai kishte besim tek unë. Pandi mund të jetë influencuar më tepër nga unë…

 

Prokurori: -Të pyetet i pandehuri Koçi Xoxe se përse bëheshin këto ndryshime në Byro…?

 

Koçi Xoxe: -Në Byro u shkarkua Bedri Spahiu dhe erdhën Nesti Kerenxhi e Xhoxhi Blushi dhe kështu u bë zgjerimi i saj…

 

Prokurori: -A e ke dërguar ti i pandehuri Koçi Xoxe në Beograd Nuri Hutën?

 

Koçi Xoxe: -Nuri Huta u dërgua në Beograd nga Komiteti Central, u dërgua me mision ushtarak me Vasil Konomin dhe sillte që andej material propagandistik…

 

Prokurori: -A ke pasur ti i pandehur korrespondencë personale me Rankoviçin dhe çfarë i ke thënë Nuri Hutës kur u nis për në Beograd?

 

Koçi Xoxe: -Korrespondencë personale nuk ka pasur me Rankoviçin. Mund të ketë ndonjë telegram që mund të kem nënshkruar por që nuk ka qenë personal. Nuri Hutës i kam thënë që të merresh me shtypin dhe të sillte material propagandistik në Komitetin Central.

 

Prokurori: -Të na thotë i pandehuri Nuri Huta çfarë i ka thënë Koçi Xoxe para se të nisej për në Beograd.

 

Nuri Huta: -Koçi Xoxe më thirri në dhomën e tij, duke qenë i veshur me uniformën e gjeneralit… Dhe e mbaj mend, se nuk qëndronte i ulur, por shëtiste në këmbë dhe më ka thënë se ti do të jesh ndërlidhësi midis dy Komiteteve Centrale. Letrat ky m’i dërgonte personale. Koçi më tha se do të jem njëkohësisht ndihmës i misionit tonë ushtarak…

 

Koçi Xoxe: -Asnjë letër nuk i kam shkruar në emrin tim Nuri Hutës por i kam shkruar në emrin e Komitetit Central. Nuri Huta do të justifikojë veten e tij si agjent i jugosllavëve që u bë…

 

Prokurori: -Që kur u bë agjent Nuri Huta?

 

Koçi Xoxe: -Nuri Huta u bë agjent sot. (Pastaj i pandehuri Koçi Xoxe ktheu, u tërhoq dhe tha: Ky u bë agjent pas informacionit të “Informbyrosë”)…

 

Prokurori: -A keni pasur dyshime më parë se Nuri Huta ka pasur lidhje me jugosllavët?

 

Koçi Xoxe: -Nuri Hutën e kam quajtur si njeri të ekzaltuar, si aventurier, si anarshist, por nuk kam pasur dyshim se kishte lidhje me jugosllavët… Nuri Hutën e mbrojti në Plenum Liri Belishova…

 

Prokurori: -Po pas ardhjes së akuzave nga Jugosllavia a e ke thirrur ti Nuri Hutën dhe çfarë i ke kërkuar?

 

Koçi Xoxe: -Kur erdhi akuza e dytë dhe pasi kishte vrarë veten Nako Spiro, nga fundi i dhjetorit e kam thirrur Nuri Hutën dhe i kam thënë shumë gjëra, deri dhe për rrugën e Sejfullait…

 

Prokurori: -I pandehur Nuri Huta! Çfarë të ka thënë i pandehuri Koçi Xoxe?

 

Nuri Huta: -Jam thirrur në zyrat e Koçi Xoxes prej Bajram Sinoymerit që para vrasjes së Nako Spiros dhe më ka pyetur me sa më kujtohet që pas Plenumit të V-të për arritjen, shqetësimin, Parti-Rini… Unë i thashë se nuk e kisha ngritur unë, por gjatë rezolucionit që punoi shoku Nako Spiro e kisha pyetur këtë (Nakon) për këtë çështje… Pastaj më ka pyetur për çështjen e  Federatës, ç’thotë Fadili dhe çfarë flet Nako. Pastaj më ka thënë të jem i rezervuar… Po kështu më ka thënë edhe për Manush Myftiun.

 

Koçi Xoxe: -Nuk e pranoj, ky është i kurdisur!

 

Nuri Huta: -Ky ka qenë aty dhe më ka pyetur dhe ishte i veshur me uniformën e gjeneralit e shëtiste nëpër dhomë. Kjo ka qenë para vrasjes së Nakos dhe më kërkoi që t’i paraqes një relacion Komitetit Central…

 

Kryetari: -I pandehur Koçi Xoxe, a keni pasur ju një bisedë të tillë me të pandehurin Nuri Huta?

 

Koçi Xoxe: -Po, kam pasur, por jo ashtu siç thotë ky. Dhe kjo ka ndodhur pas vetëvrasjes së Nakos. Kjo ka ndodhur kur mblidheshin deklarata për çështjen e Nakos…

 

Prokurori: -Çfarë u thoshte i pandehuri Koçi, në ç’mënyrë i kërkoje këto deklarata?

 

Koçi Xoxe:- Ai, Koçi Xoxe më thoshte se “Komandanti(Enver Hoxha) ka thënë që të merren deklarata nga të gjithë që e njihnin Nako Spiron.” I kemi thënë Naxhije Dumes e Kiço Ngjelës.

 

Prokurori: -Për Mehmet Shehun, është marrë ndonjë deklaratë?

 

Koçi Xoxe: -Për Mehmet Shehun nuk është marrë asnjë deklaratë.

 

Prokurori: -Po Fadili, a nuk konsiderohej në fraksionin e Nakos?

 

Koçi Xoxe: -Fadili ishte konsideruar se përkrahu fraksionin e Nakos dhe deklarata u kërkua për oportunizmin e Fadilit dhe për vijën me jugosllavët.

 

Prokurori: -Po ti kishe besim tek Nuri Huta, tek agjenti i jugosllavëve?

 

Koçi Xoxe: -Pas Rezolucionit të Informbyrosë mora vesh se Nuriu ishte agjent i jugosllavëve…

 

Prokurori(Bedri Spahiu): -Po pse e arrestove ti Nuri Hutën, vetëm pse ishte pro Titos?

 

Koçi Xoxe: -Nuri Hutën e arrestova pasi mora pëlqimin e Komitetit Central dhe ky u arrestua për pikëpamjet e tij, pse bënte propagandë të hapët për jugosllavët…

 

Prokurori: -Ai nuk ka ardhur në bankën e të akuzuarve vetëm për faktin se ishte kundër rezolucionit të Inform-Byrosë, po për faktin se ka qenë agjent i jugosllavëve si dhe ti, siç je edhe ti vetë. Prandaj e mbajte sa e mbajte dhe për të mos dalë lakrat në shesh, e fute brenda.

 

(Vijon nesër)

 

Përgatiti për botim: Kujtim Boriçi

 

NESËR DO TË LEXONI:

-Dëshminë e Koçi Xoxes në gjyq: Si u përgatit nga Mehmet Shehu rezolucioni i Plenumit të XI-të që godiste Komitetin Central dhe pse e sulmoja vazhdimisht unë Liri Gegën!

-Debatet e prokurorit me Koçi Xoxen e Pandi Kriston lidhur me lokalizmin (emërimin e pothuaj gjithë titullarëve) që ish-ministri Xoxe krijoi në Ministrinë e Brendshme.

-Shpjegimet e të pandehurit Xoxe për raportin anti-Parti e pro-jugosllav që Koçi mbajti më 2 dhjetor të vitit 1947 në Shkollën e Partisë.

Share This Article
3 Comments
  • Redaksise se gazetes ” Dita”,
    Lereni Kocit Xoxen ti prehen kockat se po merreni me shume me te se me E.Hoxhen.
    K.Xoxe ka deklaruar se cdo gje eshte bere me urdher te E.Hoxhes.
    Krimet e bera ne kete periudhe ka qene si rezultat i sistemit te instaluar tek ne pas 1945, keto krime i tejkaloi E.Hoxha krimineli me i ashper i Europes Lindore.
    Gjyqe te ngjashme me kete ,u bene me porosi te Stalinit ne te gjithe Europen Lindore dhe te gjitha perfunduan me denime kapitale.
    Enveri ja veshi te gjitha fajet Kocit dhe si pasoje kjo periudhe u quajt koha e K.Xoxes.
    Ne fakt nuk ka pasur asnjehere kohe te Kocit ,gjithnji ka qene koha e Enverit dhe Koci eshte viktime e kesaj kohe.

    • Ke te drejte. Qe kur Popovici, nje jugosllav e vuri Enverin ne krye te partise dhe deri diten qe Enveri vdiq ka qene koha e Enverit qe burgosi dhe pushkatoi edhe shoket e tij te armeve duke i akuzuar si tradhetare e komplotiste kur ata ishin thjesht vegla te bindura ne duart e tij, qe i shfrytezonte dhe i flakte si limona te shtrydhur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *