Sapo bien hijet e para të mbrëmjes në Barcelonë apo Madrid dhjetra të rinj turren në drejtim të kazanëve të plehrave për të vjedhur kryesisht letër dhe kartona. Zyrtarisht plehrat janë në pronësi të bashkive përkatëse dhe përvetësimi i tyre përbën krim. Por një ton me kartona mund të shitet deri në 103 euro dhe tanimë duket sikur është kthyer në biznesin e fundit për të mbajtur frymën gjallë në Spanjën e gllabëruar nga kriza ekonomike. Vetë sindakata e policisë bashkiake mësohet të jetë shprehur se “nuk dimë si të veprojmë, të ndalojmë vjedhjen e plehrave, apo të lejojmë që këta të shkretët të fitojnë bukën e gojës?!” Më shumë se 6 milionë spanjollë, pothuajsë një e treta e popullsisë aktive, janë të papunë dhe kur nuk ka punë nuk ka as dinjitet.
Por, sipas një raporti të Bankës Qëndrore Europiane publikuar disa javë më parë, pasuria e një familje spanjolle është mesatarisht 291 mijë euro, familjet italiane gëzojnë 275 mijë euro ndërkohë që për një familje gjermane shifra është çuditërisht 195 mijë euro. Pra gjermanët, me një papunësi relativisht të papërfillshme (5,4%) janë më të varfër se spanjollët në rrënim e sipër ekonomik? Nëse përgjigjia është po, ç’kusur ka atëhërë Gjermania tu japi para hua shteteve që janë më në gjendje se vetja?
Paradoksi ëshë thjesht aparent sepse numrat duhen lexuar drejt, në kohë dhe hapësirë. Çelësi i raportit qëndron tek pasuritë e patundshme. Familjet spanjolle kanë derdhur paratë e tyre kryesisht për blerjen e shtëpisë (88%), në përgjithësi me kredi afatgjata, ndërkohë që vetëm 46% e familjeve Gjermane vendosin të jenë pronare të shtëpive ku jetojnë. Nëse shtojmë faktin se dy vitet e fundit, falë rënies drastike të fuqisë blerëse, në Spanjë pasuritë e patundshme janë zhvlerësuar prej 36%, atëhere kush është me të vërtet i pasur? Një familje e zhytur në borxhe me një pronë që vlen 1/3-tën më pak nga shifra e blerjes, apo një familje me financa të shëndosha por që jeton me qera?
Vlerësimi i një prone është thikë me dy presa: duhet marrë parasysh çmimi i tregut, apo ndonjë e dhënë tjetër? Po mirëqënia varet nga një pronë e blerë me borxhe, apo nga të hollat që një familje ka mundësi të shpenzojë për nevojat, kërkesat dhe dëshirat e veta?
Do ishte jo e ndershme dhe thellësisht e pavërtetë të krijohej hipoteza se kriza e Europës Jugore është thjesht imagjinare. Sikur spanjollët, italianët apo grekët ankohen kot, sa për të përfituar financime nga të tjerë por që ndërkohë kanë fshehur nën jastek pasuri të pandershme, a thua të ishin parazitët e mijëvjeçarit të tretë.
Përmasa e vuajtjes sociale të një kombi qëndron tek papunësia, përqindja e së cilës fsheh mbrapa drama personale dhe familjare që mund të shkërmoqin themelet e bashkëjetesës sociale. Kushdo që ka provuar makthin e të qënit duarkryq nga zori mund të kuptojë se sa e vështirë është të ruash një ekuilibër së pari psikologjik dhe më pas ekonomik në familjet përkatëse. Më shumë sesa lojrat me shifra, përparësia e politikëbërjes së Bashkimit Europian duhet të ishte krijimi i kushteve sa më të volitshme për rimëkëmbjen e tregut të punës.
Shpëtimi i sistemit kredidhënës është padyshimi një prioritet për BE-në, por për sa kohë që ata djem spanjollë do jenë të detyruar të gërmojnë nëpër kazanët e plehrave për të mbijetuar, përkufizimi i pasur apo i varfër është bosh, i pakuptimtë. Thjesht një gënjeshtër.
*PhD – E Drejta Kushtetuese Italiane dhe Europiane – Verona. Rubrika “Europa”, çdo të shtunë në DITA. Shkruajini autorit në [email protected]