I vetëm në majën më të lartë…

anazapta

Ka vetëm tri ditë që është kthyer nga  maja me e lartë e Amerikës Latine, Akonkagua, 6,962 metra, në Argjentinë.  Ai është Mateo Begeja, 20 vjeç. Për të, është maja e dytë më e lartë e botës që ngjitë, ishte ëndërr, sfidë… por edhe mision për t’u përmbushur.  Ata u nisën tre, por në majë arriti vetëm njeri prej tyre. Në fillim, misioni për të ngjitur majën më të lartë të Argjentinës u ndërmor nga alpinistët Ibrahim Haçkaj, Florian Haçkaj dhe Mateo Begeja.  Dy të parët, babë e bir, për arsye shëndetësore e ndërprenë në mes udhëtimin e tyre, ndërsa Mateo, arrti deri në fund, duke ngritur në këtë mënyrë edhe flamurin shqiptar në këtë vend. Ne takuam studentin,  në një nga kafet e Tiranës, tashmë i relaksuar dhe mbi të gjitha i kënaqur për rezultatin e arritur.  Djaloshi 20-vjeçar me një trup të imët, por të formuar na tregon që në fillim se eksperienca e Everesitit ( 2 vite më parë) ishte një shkollë shumë e mirë për të. Ndaj për nga aspekti teknik, në këtë ngjitje ishte më i përgatitur, por vështirësitë ishin të mëdha, mbi të gjitha, për faktin që ai nuk arriti dot në majë me shokët më të cilit ishte nisur. Përgatitja kishte filluar disa kohë më parë, qoftë fizike, qoftë psikologjike.

 

Udhëtimi, u nisën tre, në majë përfundon vetëm njeri

“Nisma të tilla kërkojnë stërvitje të fortë. Unë kisha pak ngjeshje me oraret e shkollës dhe e neglizhova disi parapërgatitjen, por them se ia dola mirë. Bëra rreth një muaj stërvitje. Kisha besim që eksperienca e Everestit do të më ndihmonte dhe aty e kuptova që për mua ishte një pasuri ajo çka kam marrë nga ngjitja e majës më të lartë të botës. Udhëtimi gjithsej zgjati 15 ditë. Në fillim u njohëm me kontratën, se si do të organizohej gjithçka në ngjitje. Kishim ndalesa në kampe, ku edhe merrnim energji”.

Gjatë rrugës ndodhin të pa pritura. Veterani  65 vjeçar Ibrahim Haçkaj u detyrua të tërhiqej  një javë përpara se të mbërrinin në pikëmbërritje,  për arsye mjekësore. Ndërkaq, në lartësinë 6,700 metra, edhe Florian Haçkaj u detyrua të tërhiqej për arsye shëndetësore. Në fakt, ishte një ndarje shumë e vështirë e Florian Haçkajt nga Mateo, në lartësinë 6,700 metra, pra 262 metra nën majë. Florianit i kishte filluar ngrirja e gishtave të këmbëve që në fillim të ngjitjes nga Kampi 3, në lartësinë 5,970 metra, edhe për shkak të këpucëve të ngushta dhe me një shtresë. Udhërrëfyesit i këshilluan kthimin, por Floriani, një orë më vonë u bind dhe vendosi të kthehet për të mos e rrezikuar më shumë shëndetin. Kështu, “stafeta” i mbeti 20-vjeçarit  Mateo Begeja, i cili ka vijuar ngjitjen, duke arritur me sukses në majë në orën 14:05 me orën lokale, 18:05 me orën e Tiranës në datën 26 janar.  Ndërsa në rrëfen momentin e ndarjes nga shoku i tij, të duket sikur po shikon një skenë filmi, Mateo është shumë i emocionuar dhe dyshon se ndoshta ka bërë gabim me Florin,pasi sipas tij shoku duhet  marrë me vete, por ja që ndonjëherë më mirë të kthehesh pa  qenë shumë vonë.

“Ishte e vështirë për mua, pasi i thoja Florit; të lutem hajde…. t’i do ia dalësh, por guidat i thanë që ti mund ta bësh majën, por në kthim mund të humbësh edhe ndonjë gisht.  Më pas unë vazhdova, ku iu bashkëngjita guidave dhe vazhdova”. Në fakt, Begeja i ri ishte pjesë e një grupit prej 10 vetash që e” sulmuan”, por vetëm 3 alpinistë  arritën ta pushtonin majën në një mot mjaft të vështirë, ku temperaturat në maj shënonin -25 gradë Celsius.

“ Ne, nga një grup i madh, u reduktuam ne tri veta. U përshëndeta me Florin më shumë mall aty, me lot në sy, por thash që duhet t’ia dal. Ai me zemër ishte me mua në atë ngjitje” .

 

Pas dy tentativave të dështuara…

Gjatë rrugës ka pasur edhe momente dhe situata, të cilat alpinistët duhet ti nënshtroheshin, siç ishte për shembull:  Klimatimzimi. “Procesi i klimatizimit konsiston në përshtatjen e trupit në një lartësi të caktuar. Të përshtatsh trupin që të ambientohet në lartësinë ku do  të ngjitesh. Pastaj, hidratimi është më kryesori, duhet të pish lëngje që trupi të ketë një ripërtëritje  gjithmonë”.

Alpinistët shqiptarë kanë arritur ta përmbyllin kështu me sukses misionin e tyre në provën e tretë, pasi nuk kishin arritur ta pushtonin majën gjatë dy përpjekjeve të mëparshme.  Në bisedë na bashkohet edhe babai i Mateos, Xhim Begeja, alpinist i njohur. Këtu e kuptoni që ky djalosh nuk është ushqyer rastësisht me këtë pasion, tashmë të trashëguar.  Presidenti i Shoqatës “Dajti Alpino-Turistik”, z. Begeja, nuk i  fsheh emocionet, por edhe krenarinë. “ Në momentin kulmor të kapjes së majës, kam folur shumë pak sekonda me Mateon, nëpërmjet telefonit satelitor, dhe më thoshte se ishte mirë dhe se ishte krenar që arriti ta valëviste flamurin shqiptar në majën më të lartë të Amerikës Latine. Si presidenti i Shoqatës “Dajti Alpino-Turistik”, është një kënaqësi e jashtëzakonshme, që ne shkruajmë një tjetër faqe të ndritur në historinë e alpinizmit shqiptar”  na thotë Begeja.  Ndërsa Mateo na tregon se këtë ngjitje ia dedikoj një njeriu shumë të dashur për të. Gjyshit, i cili është ndarë nga jeta verën e kaluar. Ai thotë se “nëse gjyshi imë nuk do të kishte lejuar  tim atë të vazhdonte alpinizmin, as unë nuk do të isha këtu ku jam sot, ndaj e gjithë merita është e atij”- e mbyll Mateo këtë bisedë, teksa shtrëngon qepallat për të mos i shpëtuar lotët.

 

 

 

Share This Article
3 Comments
  • Bravo djaloshit,i lumte dhe e falenderoj thellesisht per trimerine e guximin qe po tregon. Kete rradhe vendosi ne maje flamurin shqiptar,se kur vajten ne Hmalaje (Everest) se bashku me te atin vune dhe flamurin e PD per ti trguar Sales se jemi demokrate dhe erdhen para ekipit per ta “festuar si fitore te PD???”

  • Te lumt,Mateo vullneti i yt të jetë shembull për shum tjerë ne te gjitha fushat e jetës jo vetëm në arritjen e majave të bjeshkëve por edhe në arritjen e majave në fushën e diturisë,dashurisë e aspekteve tjera jetësore.

  • Me siguri ky djale nuk sillet gjith diten neper bare e e rrugeve te tr, sa keq qe si ky djali nuk ka shume ne shqiperi.veq gangstera e cuba silleshin ne tr kur isha heren e fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *