MOIKOM ZEQO
ËNDËRRA MBRETËRORE
Një farë aristokrati spanjoll ALRD KSTR në 22 mars 1889, (në ditën e ekuinoksit) e pa një vegim në formën e një salamandre me dy kokë me kurorëza ari brenda kabinetit të tij plot libra dhe portrete.
U trondit.
Gati i ra të fikët, por u mbajt.
S’e humbi vetëdijen.
Ndoshta është thjesht një halucinacion, mendoi.
S’kam parë kurrë një gjë të tillë më përpara.
Këto kohë kam lexuar shumë.
Jam pak i lodhur.
Më janë dobësuar nervat,- ç’qe kjo salamandër e mistershme?
U shfaq dhe u zhduk.
Pse vallë?
Natën në gjumë e pa sërish salamandrën, por këtë herë me krahë, të mëdha sa shqiponjë.
Tamam një figurë heraldike antike.
Të nesërmen u zgjua në një gjendje neuroze.
U përpoq të harronte gjithçka.
Për një javë ndenji më shumë në shtrat dhe nuk lexoi asgjë.
ALRD KSTR qe trupmadh, 44 vjeç, përveç ca stërvitjeve me skermë, udhëtimeve, lojës në kazino dhe pasionit të leximit kishte bërë një jetë këndellëse, të plogët si në një boshllëk.
Qe i martuar me një femër nga një familje belge, por me origjinë austriake, natyralizuar si franceze, më pas shndërruar si spanjolle, shumë e pasur mbas vdekjes së burrit të saj të parë, bankier holandez, me të cilin nuk pati fëmijë.
Pasi pati një flirt romantik me spanjollin ALRD KSTR, e bleu një kështjellë të rrënuar që e restauroi në Arkashon, në bregun francez të Atlantikut.
Por martesa me ALRD KSTR qe një lloj lumturie fiktive, e shkurtër.
Mbas 5 vjetësh nuk bashkëjetuan më.
Por nuk u divorcuan zyrtarisht.
Brenda kështjellës në Arkashon ALRD KSTR y zhyt në një vetmi të qetë duke lexuar libra të historisë dhe të alkimisë. Poezinë s’e pëlqente.
Simbolet poetike i quante të lehta dhe flurore.
Shkëputej nga leximet dhe udhëtonte si i përhumbur dhe depresiv nëpër kazinotë e Europës, sidomos në Montekarlo.
Në Montekarlo i takoi dy njerëz të çuditshëm: një piktor rus dhe një fallxhore baske.
Piktori kishte shpikur një lloj të ri të letrave të bixhozit, të rafiguruar me figura ndryshe përveç letrës së fanti spathi.
Fanti spathi është letra për t’u bërë mbret, i tha në mënyrë enigmatike piktori.
Fallxhorja kishte ardhur nga Bilbao, ajo në fakt qe hermafrodite, por kishte aftësi profetizuese befasuese.
I hodhi fall spanjollit të shqetësuar me letrat e bixhozit që ja kishte dhuruar piktori i fandaksur rus.
I përzjeu letrat dhe i tha të tërhiqte njërën, për hir të rastit hyjnor, apo të domosdoshmërisë së vrazhdë spanjolli tërhoqi letrën e fantit spathi.
Fallxhorja u shtang, sytë ju zbardhën, heshti gjatë dhe i tha spanjollit në latinisht: “Rex”, dmth “Mbret”.
Kumti qe i qartë: ALRD KSTR do të bëhej Mbret.
Ideja se do të bëhej Mbret e pushtoi befas dhe përfundimisht
Pati një rinim të papritur shpirtëror, ose një ndriçim të shqisave dhe të mendjes.
Ju fut përsëri librave për të hetuar ngjashmëri dhe përafërsi të logjikshme.
I klasifikoi dy teori të bërjes Mbret, përtej pemëve gjenealogjike të ndërlikuara.
Teoria e parë përgjithëson historinë e sozive të pafund. Kjo teori është e dyzuar. Sozitë janë të rreme, por në disa raste (ose shumë raste) sozitë ishin në fakt trashëgimtare të vërtetë, por të ironizuar .
I rreshtoi disa shembuj.
Lajmi mbi vdekjen e çuditshme të birit të Ivanit të Tmerrshëm – Dimitri – provokoi shumë thashetheme: thuhej se princi ishte gjallë dhe se fshihej tek njerëzit më të besuar të sundimtarit të atëhershëm Boris Godunovit.
Nën mbrojtjen e polakëve të Rusisë më vonë në Moskë hyri njeriu që thoshte se ishte princi Dimitri, kështu historianët filluan ta quanin Dimitri i Rremë.
Megjithatë, me vdekjen e tij legjenda nuk vdiq, sepse pas tij doli në skenë Dimitri i Rremë II dhe III dhe më pas u paraqitën bijtë e tyre. Kështu Carigradi më 1649 “fitoi” princi Ivan Dimitrieviç dhe menjëherë pas tij u paraqit në Poloni një Ivan Dimitrieviç tjetër.
Në shekullin XVIII në Rusi gjendja ishte tepër e acaruar. Luftërat, thatësirat etj. na japin sot një pasqyrë të mjerë. “Profetët” e ndryshëm që i nxirrte një kohë e tillë “parashikonin” fundin e botës!
Thuhej se cari s’kishte vdekur por ishte fshehur dhe priste momentin për të dalë e për ta udhëhequr popullin drejt ditëve më të mira.
Dhe, me të vërtetë, në 1775, “cari” u paraqit, por shumë shpejt u arrestua. Nën identitetin e tij u zbulua fytyra e vërtetë e ushtarit Gavril Kiemnjov i cili u internua në Siberi.
Por edhe kjo gjë nuk e pengoi paraqitjen e dytë të carit. Kozaku nga brigjet e Donit, Pugaçov, në të vërtetë dhe me të vërtetë ishte Pjetri III.
Me paraqitjen e tij populli bërtiste: “Pjetër Fjodoreviç është gjallë!” Pjetri III dukej që ishte këmbëngulës dhe që nuk donte të zhdukej. Hija e mbretit të vdekur endej nëpër Rusi sa si ushtar, sa si kozak, gjithmonë në trupin e sozisë. Duke mos qenë i kënaqur me Rusinë, Pjetri III kaloi kufijtë dhe u shfaq në Mal të Zi. “Ishte mesatar, i zbehtë dhe me flokë të shpeshtë që i binin në ballë”, thonë bashkëkohësit. E thërrisnin “grabitës”, ndërsa shumica dërrmuese përdornin sinonimin “rrëmbyesi i vogël”, pseudonim ky që e bëri të njohur dhe me të cilin e njeh literatura.
Një farë kapiteni i quajtur Tanoviç dëshmoi i përbetuar se “rrëmbyesi i vogël” (Shqepan Mali) dhe Pjetri III ishte i njëjti person.
Këtë deklaratë Tanoviç e dha në Petrograd. Dyshimet e fundit ranë poshtë kur në një manastir u gjet portreti i carit e në këtë rast u konkludua se kopja dhe origjinali ngjanin si dy pika uji.
Qeverisja e perandorit rus në Mal të Zi zgjati 6 vjet.
Atë e vrau shërbëtori i tij i paguar nga turqit.
Kështu cari rus vdiq për herë të tretë.
Një fat tepër enigmatik pati edhe marshalli i Napoleonit, Nej apo siç quhej ndryshe “trimi mbi trimat”. Kur Napoleoni u internua në ishullin Shën Elena, sipas urdhrit të Luigjit XVIII, në 7 dhjetor 1815, në mëngjes, u pushkatua marshalli Nej. Më 1819, në anën tjetër të Atlantikut, në shtetin amerikan Karolina e Veriut, u shfaq një njeri me emrin Piter Stuart Nej, duke iu lutur autoriteteve lokale që ta pranonin në punë si mësues në shkollën e vendit.
Atë kohë në Amerikë kishte shumë francezë ish bonapartistë të cilët me entuziazëm e përshëndetën Piter Nejin, ndërsa oficeri polak Lemanovski, i cili për vite të tëra kishte qenë në shërbim të Napoleonit, kur rastësisht takoi Nejin, e përqafoi dhe e përshëndeti me lot në sy si ish oficerin e lartë. Piter Nej, punoi 27 vjet si mësues derisa vdiq duke marrë me vete edhe sekretin e madh.
Nga pushkatimi tek muret e Luxemburg Park më 7.12.1815, e deri në vdekjen e tij natyrale në 1857, mbeten plot 42 vjet enigmë.
Teoria e dytë që më grishëse. Ajo qe teoria e rimishërimit.
Platoni, filozofi i Greqisë së Lashtë, besonte se shpirtrat rimishërohen çdo 1000 vjet. Svedenborgu përmend vazhdimësi rimishërimi shumë më të afërta në kohë, në disa vjet apo brenda disa dhjetëvjeçarësh.
Për shembull, në njërin prej librave të tij përmend një bashkëkohës i cili paraqitej për herë të tretë në planin tokësor, pra po jetonte jetën e tij të tretë mbi tokë.
Nga ana tjetër kemi dhe 547 rimishërimet e Budës Gautama.
Përkryerja nuk është e mundur në një trup material para se ai të ketë ardhur të paktën 30 herë në planin tokësor.
Por kemi edhe mishërimet në grup, gjë që është më e pëlqyeshme dhe që ndodh kur në epoka të caktuara takohen periodikisht njerëz të cilëve do t’u duhet të kryejnë diçka së bashku.
Këta janë të ndjeshëm ndaj po të njëjtave vibrime kështu mund ta gjejnë njëri tjetrin në jetën tokësore.
Në një rimishërim të caktuar mbi Tokë nuk ndikojnë plotësisht të gjitha rimishërimet e mëparshme, por vetëm një pjesë e tyre.
Si rrjedhojë personaliteti ynë aktual mund të jetë tepër i ndryshëm nga pararendësit. Jo të gjitha ndikojnë në një moment të caktuar.
Kjo varet nga ajo që është vendosur për t’u bërë nga njerëzit në jetë.
Gjërat ndodhin kështu: ne gjendemi të rimishëruar në një eksperiencë jete të ndryshme dhe nuk punojmë në drejtimet e eksploruara më parë (kjo sepse ne nuk e ndjejmë më nevojën për këtë gjë, apo sepse nuk jemi të ndërgjegjshëm për veprimtaritë e mëparshme dhe nuk jemi ndikuar nga ato).
Vetëkuptohet se mund të rimishërohemi edhe në familje. Së bashku në të mirë dhe në të keq. Të gjithë ata që mund të kenë humbur një person të dashur do të mund ta gjejnë atë. Nëna mund të gjejë të birin apo të bijën në një jetë tjetër, me po ato raporte prind-fëmijë, por edhe në raporte të tjera, burrë-grua, vëlla-motër etj.
Ekzistenca si burrë apo grua, domethënë mashkull ose femër është e përkohshme.
Kështu ne e zgjedhim seksin sipas programit të dëshiruar. Dikush që ka dashur deri në dhimbje një femër të cilën nuk e ka marrë për grua, mund ta gjejë në jetën e ardhshme si grua, por edhe si motër apo nënë.
Të dy teoritë sado e ngazëllenin prap edhe e frikësonin. Të bëhesh Mbret nuk është aq një çështje teorike se sa një zhvillim praktik, materializim i një vullneti të epërm.
Të bëhesh Mbret i Rremë, ose Mbret i rimishëruar janë dy aventura të paracaktuara. Të bëhesh Mbret me vullnet do të thotë ta shpikësh vetë Mbretin. Në 1789 ndodhi në Francë ajo gjëmë madhështore që u quajt Revolucioni Francez. Njerëzit u shpallën të lirë, të barabartë, vëllezër. Një djalosh ëndërrimtar i papërfillshëm nga Korsika (ishulli i pasioneve të mëdha dhe të frikshme) me talent strategjik, Napoleon Bonaparti, u bë Konsulli i Parë i Republikës. Epoka e mbretërve kishte marrë fund. Ah, gjenealogjitë abstrakte të gjakut mbretëror, zambakët heraldik, paruket e imituara egjiptiane, parfumet dhe pleshtat, ballot dhe maskat e arta! Të gjithë u bënë thjesht qytetarë. Pa tituj! Napoleoni shpartalloi mbretërit e Europës. Arriti plotfuqishmërinë më të paëndërrueshme nga askush. Qytetari Napoleon, Apokalipsi i mbretërve (që i përbuzte me të drejtë) vendosi (pa dilema) të bëhej Mbret i Mbretërve, dmth Perandor. I kurorëzuar nga Papa i Romës, (ja mori kurorën nga duart Papës dhe e vuri vetë mbi kokë!)
Pra as i Rremë as i Rimishëruar!
Ja modeli i ri absolut!
Sulmoi Rusinë, humbi në Vaterlo dhe vdiq në 1814 në Shën Helenë. Por të gjithë e quajnë dhe do ta quajnë, Perandor! Çdo model rinovues është ekstrem. Po ALDR KASTR çdo gjë e re si vullnet vetjak e grishte. Napoleoni u bë Perandor nga ushtritë e tij të mëdha.
Ku ta gjente ALDR KSTR një ushtri? Mendja e tij ngacmohej nga ftillesat mistike. S’mund ta harronte fallin e fantit spathi. Kjo e nyjëzonte imagjinatën e tij pak të lodhur, por dhe të harlisur. Po vegimi i salamandrës fluturuese me dy kokë me kurorëza ari? U mendua gjatë. Letrën e fantit spathi e derdhi në argjend. Vendosi ta fiksonte në shpatullën e djathtë si tatuazh figurën onirike të Salamandrës. Përsëri i ripa librat e alkimisë, por dhe të doktrinës së bekuar të Kabala-s. U shty në ngasje (ndjesi demoniake) që ndërmjet kombinimit (fallit) të germave hebraike ta ringjallte një qenie abstrakte, por gjithsesi edhe konkrete, vetvetiu si një Golem Mbret.
Ah, Golemi Mbret! Në kështjellën në Arkashon qenia e tij dukej se rrezatonte madhështi dhe shpresë. E kishte një shpurë shërbëtorësh, që përkujdeseshin për të në heshtje dhe pa fjalë. Por monotonia qe domethënëse. E hulumtonte vetveten, jeta e të tjerëve s’i interesonte.
Befas i erdhi lajmi se e shoqja e tij kishte vdekur nga sifilizi në një nga klinikat e Parisit. Mori pjesë (dukej i tronditur) në varrimin e saj në Per Lashezë, ku pati shumë njerëz, që ai s’i njihte, mes të cilëve ishin edhe 33 dashnorët e saj, por edhe 9 lesbike intime.
U lehtësua shumë nga kjo vdekje.
Kjo e ndihmonte të përqendrohej tek vetja.
U kthye në Arkashon dhe i ndërpreu udhëtimet.
Arkashoni ka plazhin e tij, ku dyndeshin shumë turistë të joshur edhe nga gocat dhe midhjet shumë të shijshme që i përmend kaq me entuziazëm hedonist edhe Fransua Rablea. Në një ditë përvëluese gushti ALRD KSTR shkoi në plazh. U zhvesh dhe u fut në det dhe notoi si në mjegull, me një ndjesi të përafërt me ëndërrimin syhapur. E zuri ngërçi, s’i lëvizte sot gjymtyrët, e ndjeu se mund të mbytej.
Klithi për ndihmë. Vox in desertio!
Ah! Thithi i tmerruar ujin e kripur. Shija e Hadit. Po i humbte gjykimi. Ndjeu që dikush e kapi me forcë. E ngriti, e tërhoqi drejt bregut. Drejt shpëtimit.
Hapi sytë. E kishte nxjerrë nga deti një djalosh afro 33 vjeç me një mjekër jupiteriane dhe sy gri.
Ai ja rrotulloi trupin mbi rërë dhe pa tatuazhin e salamandrës dykokëshe, krahëhapur. Tani ishte djaloshi i panjohur që klithi i mahnitur.
Djaloshi qe një shqiptar i lindur në Stamboll që kishte mbaruar studimet në Oxford dhe jetonte si emigrant i lirë në Europë.
Ishte specializuar për filologji dhe muzikë, punonte si gazetar anarkist në Bruksel, Paris dhe në Londër, kishte një trill donzhuanist për femrat, pëlqente Swifti dhe Moxartin, qe gjaknxehtë dhe vizionar.
Quhej SPR THNGB. Ai dalloi tatuazhin në shpatullën e ALRD KSTR dhe e konceptoi si një shqiponjë heraldike me dy kokë. Njohu stemën sfiduese të Gjergj Kastriot Skënderbeut të shqiptarëve të paepur të shekullit XV që luftoi me osmanët. Shqiptari qe edhe Volterian, deri në cakun e rrezikshëm të ateizmit militant. Por kishte ndjesi të holla dhe besëtytni intelektuale. I takonte besimit mysliman nga origjina e familjes, qe edhe rrethprerë (qe bërë synet që fëmijë.) Por në moshën 22 vjeç në një meshë në katedralen Notre Dame të Parisit e dëgjoi në organo Fugen në Re Minor të Sebastian Bahut, ndjeu një tronditje (frymëzim transcendental), u prek, dënesi dhe u pagëzua, u bë i krishterë me emrin e shën Benediktit të bekuar. Po pas tre ditësh në normalitet harroi konvertimin pasionant dhe e kuptoi se ai kishte lindur për të jetuar vetëm si mendimtar i lirë. Ky qe ndriçimi i parë mendor që i kishte ndodhur.
Ndriçimi i dytë lidhet me tatuazhin e kompiluar në shpatullën pa qime, si shpatull femre të spanjollit të ditur ALRD KSTR. Ky spanjoll i rikthyer në jetë nga një shqiptar hokatar dhe erudit mësoi se tatuazhi qe kushti i epërm i gjenealogjisë si pasardhës i Gjergj Kastriot Skënderbeut, tashmë të legjendarizuar. Kaq u habit spanjolli sa nuk guxoi t’i tregonte djaloshit shpëtimtar (satirik) se tatuazhi qe i një salamandre të shfaqur në vegim, por një ngjashmëri misterioze e bënte gati një shqiponjë dykokëshe gjithashtu njëmijëfish misterioze.
Tek çdo ngjashmëri s’kanë rëndësi hollësirat. Yjet në qiell duken njësoj ndonëse janë të ndryshëm. Salamandra dhe shqiponja qenë kështu e njëjta gjë. Praruar nga një simbolizëm sinkretik. Fati nuk është asnjëherë i rastësishëm, ndonëse maskohet në formën profane të rastit. Një farë projekti i padukshëm nga qiejt kishte bërë që të takoheshin në një çast aksidental spanjolli me shqiptarin.
Si Virgjili që e drejtoi Danten në Botën e Përtejme shqiptari do ta drejtonte tani e tutje mendjen e shqetësuar të spanjollit. Spanjolli e çoi atë në kështjellën e tij gati faustiane. Ishin si dy binjakë dioskurë.
Jetuan bashkë mes librave në kështjellë. Debatuan, njohën njëri-tjetrin gjer në intimitete.
Spanjolli mësoi bëmat skënderbejane, lidhjet e tij me dinastinë spanjolle mbretërore të Aragonës.
Kishte qindra libra në gjuhët europiane mbi heroin shqiptar. Studioi fizionomitë ikonografinë e portreteve me ngjyra dhe grafikë të Skënderbeut dhe pa diçka të përafërt me fytyrën e tij. Shqiptari i rrëfeu se gjatë një vizite në qytetin Valencia të Spanjës në manastirin katolik të San Trinidad e kishte zbuluar varrin monumental të Donikës, vejushës së Skënderbeut, që pas vdekjes së të shoqit ishte vendosur në Napoli dhe mbas Napolit kishte mbyllur sytë në Valencia. ALRD KSTR e bëri një pakt: i premtoi shqiptarit një sasi të madhe të hollash që ai të shkonte në Valencia dhe të gjurmonte dokumente dhe gojëdhëna për pikëtakimet e mundshme (të domosdoshme) të familjes së mërguar së Skënderbeut me të parët e hershëm të vetë ALRD KSTR. Shqiptari u bind, iku nga Arkashon për në Valencia.
U zhduk për 3 muaj.
U kthye në Arkashon i ngazëlluar. Shpalli me krenari se kishte gjetur faktet ndërlidhëse, dokumentet (në të vërtetë apokrife) se spanjolli ALRD KSTR ishte as më pak, as më shumë pinjoll i Skënderbeut në linjën femërore, nga ana e nënës së tij. Çdo gjë e pati një qartësi verbuese. ALRD KSTR u bind me modesti dhe përvujtësi. Në dejet e tij kishte gjak mbretëror. Skënderbeu qe Mbreti paraardhës, ALRD KSTR. Mbreti pasardhës.
Rrethanat e mjegulluara u ndriçuan, tani e ardhmja po strukturohej.
Shqiptari qe egoja e dytë e spanjollit. E bënë bashkë plot pasion, nostalgji dhe krenari legalizimin e ëndrrës mbretërore në rrafsh europian. Shqipëria qe në suazat e Perandorisë Osmane. Shqiptarët kërkonin liri dhe sovranitet. Ata ishin në shekuj kryengritës dhe rebelë. Robëria nuk i kishte zhbërë, përkundrazi. ALRD KSTR do t’i kushtohej Çështjes Shqiptare. Do të sakrifikonte tërë pasurinë e tij, gjithçka. Së bashku me shqiptarin e projektuan një aksion diplomatik universal në kancelaritë europiane dhe shtypin e botës. Krishtlindjet e vitit 1899 në kështjellën e Arkashonit qenë vezulluese dhe gazmore. Qenë ftuar shumë emigrantë shqiptarë, që tani kishin mësuar (dhe besuar) se e kishin Mbretin e Ri të Shqipërisë.
Kështu nisi anabasa e konferencave dhe shkrimeve të pafundme për fatin e ardhshëm të shqiptarëve. ALRD KSTR intervistohej nga reporterët më të famshëm. Në fund të intervistave spanjolli i çuditshëm dhe kërkues si në një ritual zbërthente këmishën dhe tregonte tatuazhin e tij profetik. Emocionet gëlonin, buja dhe fama e rrethuan me një auro mistike historinë e re (për shkak të lashtësisë të së drejtës historike të fronit) të ALRD KSTR.
Ai nuk e njihte Shqipërinë reale, por e bëri një Shqipëri imagjinare. Mblodhi tërë librat e shekujve të ndryshëm që flisnin për Shqipërinë, madje edhe dorëshkrime të pabotuara, porositi flamuj të kuq me shqiponjën dykokësh të Skënderbeut, stampoi hartën hipotetike të Shqipërisë, mijëra kartolina që paraqisnin heroin mesjetar shqiptar dhe fotografitë e vetë ALRD KSTR me veshje kombëtare shqiptare. Me këto elemente e thuri mitin e tij europian vetjak.
Kështu vazhdoi dhjetë vjet rresht midis të Panjohurës, i sigurt për një ëndërr të pakapshme, lëvizëse, flurore. Kjo e eksitonte mrekullisht, duke i dhënë jetës së tij kuptimin që në rini i kishte munguar.
Afishi për Shqipërinë qe si i një shkrimtari që trillon një libër, jo me germa, pra jo me një shkrim grafik, por me imazhe dhe vetëm imazhe, me imazhe të pafund të parandjera, të shpikura, frymëzuese, vemëndjendezëse, qetësuese, një terapi mendore e shumëformëshe, pra një delir të papërmbajtshëm. Shqipëria ishte në kohë dhe në hapësirë, por ai po e rikonstruktonte në konkurrencë me gjenezën biblike të Zotit. Krijonte kështu Shqipërinë, – mbretërinë e tij, vendoste emrin e një kryeqyteti të saj, strukturonte financat, ushtrinë, flotën detare, aeroportet, listën e statujave e prej mermeri dhe bronzi, plazhet, ndërtimet, fushat për garat e kuajve, kazinotë, Akademinë e Shkencave, gazetat, shtypshkronjat, bile edhe burgjet. E donte çdo gjë të përsosur me një vesk intelektual (të mirëfilltë. Rregulli për të qe një simetri fizike dhe shpirtërore. Sa për politikën e jashtme ai, i ndikuar nga idetë e Sen Simonit (jo pa një motivim alkimist), mendonte ta kthente Shqipërinë pikën koncentruese të Europës së Bashkuar (një e ardhme plotësisht e arritshme).
Por raportet e tij me shqiptarin SPR THNBG nuk qenë fatlume. Shqiptari qe me njohuri të pakufishme, poliglot, shkruante me një stil letrar, lakonik dhe të rrallë, qejfli femrash, naiv dhe zemërak, natyrë e ndërlikuar hipokondrike.
Shqiptari e kishte nxitur ëndrrën mbretërore të spanjollit, por shpejt e kuptoi se niveli kulturor i spanjollit qe më i ulët se sa e kishte menduar (ditur) në fillim.
Kjo e bëri nervoz.
Nuk mund t’i shërbente një farë aristokrati fodull dhe mediokër, më pak të ditur se ç’ishte (apo synonte të ishte) vetë shqiptari. U grind edhe për kurnacërinë dhe sjelljet hipokrite, apo dhe për mungesën e mirënjohjes së spanjollit të përkëdhelur. Shqiptari ishte kingmaker, spanjolli e financonte për ëndrrën inkube për t’u vetëshpallur Mbret i Shqipërisë, i fronit vakant të Skënderbeut, por kur e rrudhi dorën (s’e pagoi më) ahere shqiptari u rebelua. Bënë fjalë, shqiptari e ftoi në duel, por spanjolli nuk pranoi për shkak të diferencës së rangut”. Kjo qe e rëndë dhe fatale. Shqiptari s’mposhtej dot. Ai shkroi artikuj në revistat më autoritative të Europës shkrime ironike dhe të pamëshirshme për Mbretin e Rremë të shqiptarëve, që s’dinin dhe s’do të dinin asgjë për të. Spanjolli u tmerrua. E humbi toruan. Po vazhdonte ta luante rolin e tij në teatrin e halucinacioneve dhe të surprizave. Por ndihej i lodhur dhe i zhgënjyer.
Në 1912 mësoi se Shqipëria u shpall Shtet i Pavarur. Askush më s’pyeste me për të. U kthye në kështjellën e Arkashonit për epilogun e vetmisë. Çuditërisht qe i qetë. Ah, Shqipëria!
Ai kishte tashmë Shqipërinë e tij mbretërore, le ta kishin shqiptarët Shqipërinë e tyre (për fat të keq jo mbretërore!) Ai kishte Shqipërinë ideale, të bukur, mrekullindritëse, shqiptarët Shqipërinë e një realiteti nopran, kontradiktor, paradoksal. Spanjolli nisi të shkruajë kujtimet e tij, tamam kujtimet e një Mbreti.
Ai ndihej Mbret, pra ishte Mbret.
E ç’rëndësi kishin gjërat e tjera, banale dhe të vrazhdëta! Kujtimet e tij kishin mëtimin e një modeli.
Nga kjo pikëpamje ai në mënyrë testamentale do të formulonte një promemorie për të ardhmen edhe të Shqipërisë reale.
Si këshilla futurologjike për dy shekujt e ardhshëm drejt të cilëve do të shkonin shqiptarët për të mbijetuar apo për degraduar. Mendja e tij ishte një perpetuum mobile. Ishte gati në përfundimin e dorëshkrimit të madh të kujtimeve, kur i ra një paralizë, që i mori gojën. Mjekët e kuruan gjatë, u bë më mirë, mund të lëvizte lirisht, por e folura s’i erdhi më. U mësua me këtë fatkeqësi, madje u ngushëllua shpejt – dihet se ai vitet e fundit qe mbyllur në një vetmi gati si e asketëve të mëdhenj dhe fliste pak dhe shkurt (disa urdhra për shërbëtorët e kështjellës), i kishte prerë takimet, apo festat me të tjerët. Të flasësh s’është ndonjë gjë e madhe, të shkruash po. Dhe ai vazhdoi të shkruante përsëri. A nuk ishte verbuar vetë Demokriti, filozofi antik, vetëm e vetëm që të mendonte më mirë dhe më thellë? Mungesa e të folurit e bënte të mendonte dhe të shkruante më me sqimë. E mbaroi dorëshkrimin.
Bëri dhe aktin noterial që pas vdekjes së tij çdo të ndodhte me dorëshkrimin dhe pasurinë (i kishte dy mbesa binjake, – nga ana e së motrës martuar me New York të Amerikës, të divorcuar, dhe të vdekur në një spital psikiatrik, – mbesa që punonin si balerina në Muzic Holl në Manhatan dhe që s’dinin asgjë për dajën e tyre.)
Një mëngjes e ndjeu një dhimbje të fortë në shpatull. Duhet të jetë nga lodhja e të shkruarit, mendoi. Me kalimin e ditëve dhimbja ju bë e padurueshme.
Thirri mjekët.
Ata i thanë se tatuazhi në shpatull qe kancerizuar. E këshilluan të bënte një operacion. Nuk pranoi. E ndjente se jetës së tij i kishte ardhur fundi.
E pse duhet të jetonte më tepër? Është si t’i shmangesh fatit?
E pse t’i shmangej?
Metastazat e kancerit e rafiguruan pak ndryshe figurën e salamandrës, apo të shqiponjës dykokëshe dhe filluan t’i përhapeshin në shpinë, në shpatullën tjetër, nëpër lëkurën e duarve, të këmbëve, në gjoks, tek organet gjenitale, në fytyrë.
Një kancer tërësor si një kostum mbretëror prej ari.
Mjekët u habitën nga ky zhvillim kanceri i paparë ndonjëherë.
Për ta lehtësuar nga dhimbjet e bënë shoshë me gjilpërat e morfinës.
Dha shpirt në Krishtlindjet e vitit 1914. 69 vjeç.(Durrës, 8 gusht 1988, Tiranë 12 qershor 1998 )
PERRALLA…me MBRET !!!