Dërguar me email
në adresën e redaksisë
Pas ngjarjes së Charlie, ku terroristët piketuan katër karikaturistë për t’i ekzekutuar, arrestimi i një botuesi për një karikaturë në Evropë, ka ndodhur vetëm në Shqipëri dhe vetëm nga Sali Berisha. E gjithë kjo ngjarje më erdhi sot në mendje, tek shikoj këtë hipokrit të pakorrigjueshëm të sillet sikur nuk ka ndodhur asgjë në këtë vend. Në këtë vend, ky është i vetmi pushtetar që ka arrestuar gazetarë, i vetmi që ka djegur redaksi, i vetmi madje edhe në Evropë, që është shpallur zyrtarisht nga Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve në Nju Jork, “Armik i Lirisë së Shtypit në Botë”. I vetmi që ka zbuar redaksi nga zyrat dhe i ka rrethuar me policë, i vetmi që ka djegur makina gazetarësh dhe ka bërë shantazhe me gjoba prej miliona eurosh, i vetmi që ka mbyllur emisione televizive duke u tundur pronarëve gjoba për bizneset e tyre… Dhe i vetmi që nuk ka turp, që i ka bërë të gjitha këto dhe guxon e flet ende për lirinë e shtypit.
Nuk do t’ia vlente ta ripërsëritnim këtë gjë, nëse rasti i Charlie nuk do ta bënte aq të prekshëm rastin analog të Shqipërisë. Para se të jemi hipokritë me lirinë e shtypit, duhet të kujtojmë vet ç’i kemi bërë asaj. Por, me sa duket të zezën e tij më të madhe, ai ende nuk e ka pranuar që është një e zezë, por e di si të drejtë të njeriut me pushtet dhe sot mendon, që ato që ai i ka bërë shtypit, duhet doemos t’ia bëjë dhe pasardhësi i tij.
