Policia e Durrësit vendosi sot arrestimin e 25-vjeçarit Ismail Xhindi, pavarësisht pretendimeve të vajzës se e kishte kryer vjedhjen e parave të babait të saj, pa dijeninë e të dashurit
Pas Fatma Buziut, prokuroria e Durrësit ka lëshuar një urdhër arresti edhe për të fejuarin e saj, 25-vjeçarin Ismail Xhindi. Pas hetimeve intesive prokuroria ka arritur në përfundimin se 25-vjeçari është bashkëpunëtor në vjedhjen e shumës prej 88 mijë frangash zviceriane, si dhe 4 milionë lekësh të reja në banesën e Shkëlqim Buziut, ku ky i fundit i mbante në një kasafortë.
Mësohet se hetuesit e çështjes, ndonëse nuk kanë gjetur gjurmë gishtërinjsh në kasafortën e vjedhur, e akuzojnë të riun si bashkëpunëtor në fshehjen e krimit, si nxitës së vjedhjes.
Ismail Xhindi, 25 vjeç, me profesion elektricist, paraditen e djeshme ishte marrë në pyetje nga grupi hetimorë, por ishte lënë i lirë duke besuar se ai nuk kishte lidhjen me vjedhjen e të fejuarës së tij Fatma Buziut.
Sipas policisë, automjeti tip “Benz”, i bllokuar për verifikim, është lejuar të dalë nga ambjentet e komisaritit për shkak se nuk rezultonte të ishte në emër të të riut, ndërsa nuk i është sekuestruar asnjë nga pasuritë e tij, pasi ky i fundit nuk dispononte asnjë gjë në emër të vet.
Dy të rinjtë bashkëjetonin prej disa muajsh në një apartament të marrë me qira në qendër të Durrësit. Ndërsa paratë mendohet t’i kenë shpenzuar duke bërë një jetë luksi. Vjedhja është bërë gjatë një periudhe prej gjashtë muajsh, ndërsa është pikasur katër ditë më parë nga i ati i vajzës, Shkëlqim Buziu.
Ky version që paratë i ka shpenzuar duke bërë një jetë luksoze, është përforcuar pas publikimit të fotove të ndryshme, që tregonin frekuentimin e lokaleve dhe restoranteve më të shtrenjta brenda dhe jashtë vendit, jashtë mundësive të tyre financiare.
Vajza mësohet të ketë pranuar autorësinë e vjedhjes së shumës prej 88 mijë frangash zvicerane dhe 4 milionë lekësh, të cilën sipas saj e ka kryer e vetme, ndërsa i fejuari nuk ka qenë në dijeni, pasi shumat e parave të marra në kohë të ndryshme i ka justifikuar me faktin se ia dërgon halla e saj nga Zvicra.
Gjithsesi mësohet se vjedhja e fundit nuk është vjedhja e vetme që i është bërë Shkëlqim Buziut nga e bija. Mësohet se një vit më parë ai ktheu mbrapsh gruan e dytë, pasi e akuzonte atë për vjedhje të parave në shtëpi, të cilat i fitonte nga profesioni i peshkimit.