Një ngjarje e rëndë në Shkodër është parandaluar ditën e sotme duke vënë në pranga autorin.
Mësohet se policia duke ndërhyrë në kohë ka bërë të mundur shmangien e një ngjarje të rëndë kriminale.
“Nga konfliktet e vazhdueshme, në fshatin Berdicë, në aksin rrugor Shkodër- Velipojë, Anton Preçi i ka ndërprerë me qëllim rrugën me automjetin e tij tip Wolksvagen me targa AA730MH, shtetasit N. D, 54 vjeç, banues në Berdicë, i cili po udhëtonte me automjetin e tij tip “Fiat”, me targa AA373 EK”- thote policia.
Sipas saj, më pas shtetasi Anton Preçi është larguar nga vendi i ngjarjes dhe ka shkuar përpara banesës së shtetasit N. D dhe ka qëlluar në ajër me armë zjarri kallashnikov dhe është larguar.
“Për parandalimin e përshkallzimit të këtij konflikti, shërbimet e Policisë në mënyrë të menjëhershme kanë shkuar në vendngjarje dhe pasi janë vënë në ndjekje të autorit bënë të mundur arrestimin në flagrancë të tij; Anton Preçi, 35 vjeç, banues në Berdicë, Shkodër”-thekson policia.
Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekustruar në cilësinë e provës materiale 2 gëzhoja, model 56, kalibër 7.62 mm.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, “Prishja e qetësisë publike”, “Kanosja” dhe “Shkatërrimi i pronës”, parashikuar nga nenet 278, 274, 84 dhe 150 të Kodit Penal.
