Sejdo Harka
Shkrimtari Viron Kona, ka një jetë të tërë që shkruan e shkruan pa mbarim. Guximi, pasioni dhe vullneti i tij i madh, janë aleatët e tij të përhershëm, të cilët kanë bërë, që ai sot të bëhet i njohur si një nga krijuesit më prodhimtarë të kohës. Krijimtaria e tij është, sa e gjerë, aq edhe e larmishme në prozë e poezi, për të rritur e për të rinj, por veçanërisht për fëmijë. Para se të ndalemi te problematika e këtyre shënimeve të shkurtra, po përmendim me pak fjalë disa nga momentet më kryesore të jetës dhe veprimtarisë së tij krijuese.
Ai lindi më 24 qershor të vitit 1950 në qytetin Vlorës, ku mori mësimet e para dhe arsimin e mesëm. Studimet e larta i kreu në Universitetin e Tiranës për gjuhë-letërsi. Deri në vitin 1990 punoi në sektorin e administrimit, të edukimit, arsimit, kulturës dhe artit,deri në nivelet e larta. Më pas punoi mësues dhe drejtor në disa shkolla 9-vjeçare dhe të mesme të kryeqytetit. Ndërsa në vitet 2004-2015, redaktor në gazetën “Mësuesi” dhe specialist në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës (Sportit). Ka botuar mbi 40 libra me tregime, novela, monografi e romane për fëmijë e të rritur. Për krijimtari të bollshme e cilësore Viron Kona është nderuar me 7 çmime të ndryshme, ndërsa për librin më të mirë, fitues të vitit 2006 ”Eh, more Bubulino!”, është nderuar e çmimin “UNICEF”. Librat e tij më të mirë janë përkthyer dhe vazhdojnë të përkthehen në Suedi.
Vitet e fundit, shkrimtari Viron Kona është shfaqur edhe si vjershëtor i suksesshëm. Pas sprovës së parë “Thashë, të bëhem edhe unë poet!”, V.Kona rishfaqet me dy vëllime të reja poetike për të rritur e fëmijë si “I Zemëruari” dhe “Firaunë e Zhonglerë”. Objekt i këtyre shënimeve të shkurtëra, është libri me epigrame poetike “I Zemëruari”. Siç thekson edhe vet autori në krye të librit, fjala “epigramë” vjen nga greqishtja e vjetër ”epigrama”, epi-mbi, grama-shkrim, që shqip do të thotë mbishkrim. Për grekët e lashtë epigrama s`është gjë tjetër veçse një mbishkrim i shkurtër në vargje, mbi një tempull, enë, apo mbi piedestalin e një statuje. Ndërsa latinët më pas, me epigramë do të kuptonin vjershën e shkurtër satirike. Ky kuptim është thelluar më tej nga e gjithë letërsia e sotme moderne botërore e shqipe. Me këtë kuptim të ri satirik e sarkastik e gjejmë të lëvruar epigramën edhe në librin e ri poetik të Viron Konës “I Zemëruari’. Në thelb epigramet poetike të këtij libri janë sentenca filozofike të shprehura në vargje me kolorit popullor, brendia e të cilave burojnë nga përvoja popullore dhe ajo personale e autorit. Ato janë mbishkrime poetike, sa filozofike,pohuese e promovuese, aq edhe sarkastike, me nota fshikulluese e mohuese ndaj të keqes,ligësisë dhe veseve të njerëzve, në kohë e sisteme të ndryshme. Aq e vërtetë është kjo, sa mund të themi me plot gojën se “I Zemëruari” është një “kamxhik”, sa real, aq dhe metaforik e satirik, që godet ashpër mbi vesin dhe ligësinë e njeriut, kryesisht për ta ndrequr, dhe jo për ta asgjësuar atë.
Objekt të brendisë së këtij lloji të veçantë vjershërimi, V. Kona bën dukuri të rëndësishme të jetës së njerëzimit, siç janë: lindja dhe vdekja, vlerat dhe antivlerat, liria dhe skllavëria, virtyti dhe vesi, drejtësia dhe padrejtësia, sinqeriteti dhe dredhia, e mira dhe ligësia, besa dhe pabesia, frika dhe trimëria…
Libri çelet me epigramin poetik ”Shqipëria”. Përmes gjuhës së thjeshtë poetike, autori do t`u thotë lexuesve se ç`është për të Shqipëria: ”Ajo është ëndrra dhe shpresa/vendlindja e bukurive të Dheut” ,sepse vetëm aty, ai ndihet ”i lirë si shqiponja” dhe “i fortë si Anteu” (fq. 9).
Në epigramet e Viron Konës, nocioni i ligësisë karakterizohet jo vetëm si mortajë, por edhe si një virus, që infekton dhe bren të tjerët. I ligu, që ecën shaluar mbi ligësinë:“Kur u largua nga kjo botë la trashëgim,/një sënduk të madh me ar e argjend,/Që pasardhësit t`mos ia harronin zakonin,/brenda sëndukut fshehu dhe një nepërkë”.(fq. 12)
Me ironi të thellë, që shkon deri në sarkazëm therëse, përshkruhen diktatorët. Duke u fshehur pas fjalëve të bukura propagandistike, se gjoja gjithçka e bëjnë për popullin, ata bëhen më të egër, por edhe tepër tinëzarë. Shfaqen si humanë, e në të vërtetë janë vrasës të lirisë. Thonë se janë shërbëtorë të popullit dhe në të vërtetë mashtrojnë…”Ai(diktatori) e do popullin me një trup dhe me një fytyrë,/mundësisht me një kokë dhe me një gojë,/do që ta përdorë si makinë me kurdisje,/që ta ndezë dhe ta fikë sa herë të dojë”(fq.15). Si pjella dhe mbartës të egoizmit e ligësive,të dhunës e dredhisë, fundi i tyre është,sa i paracaktuar,aq dhe grotesk.Ata,“vijnë me gjëmime dhe ikin me mallkime”. Për t`i mbajtur njerëzit përjetësisht të nënshtruar, diktatorët dhe shtetet që ata përfaqësojnë, përdorin veglat e tyre qorre,si çimkat dhe spiunët , të cilët “Si qentë,/ nga larg përgjojnë,/heshtazi të ndjekin pas,/ çastin presin të të kafshojnë”.(fq. 14).
Në këtë vëllim poetik janë të shumta epigramet që fshikullojnë veset e njerëzve të shtresave të ndryshme shoqërore. Në epigramin “Mjafton një kockë”, autori satirizon njerëzit, që për interesat vetjake dhe për të fituar sa më shumë para, tradhtojnë këdo.Për të thumbuar njerëz të tillë,autorit i mjaftojnë vargjet fabuliko-satirike:”Zagari që humbi të zotin,/gjeti një tjetër zotëri,/ai që në hundë i tundi një kockë,/u bë menjëherë zoti i tij i ri.” (19)
Në shenjestër të satirës, Viron Kona vë edhe qafirët, njerëzit pa karakter dhe pa moral.Ata shfaqen kudo e kurdoherë si trimat pas beteje,gjë që shprehet qartë përmes vargjeve satirikë:“Shuhet zjarri,/mbetet hiri,/Pas betejës,/mbërrin qafiri”. Kurse ata që vuajnë nga dëliri i madhështisë, autori i fshikullon nëpërmjet vargjeve:”Je bërë “i famshëm”,/duke iu ngjitur pas anijeve madhështore,/herë si midhje e zezë, herë si gaforre”. Njerëzve të tillë poeti kërkon t`u përçojë mesazhin vetpastrues,(katarsik) proverbial:“Ose fluturoni si shqiponjat, maleve dhe pyjeve./Ose zvarrituni si breshkë, ferrave dhe shkurreve…”(41). Njeriun, që miqtë e shokët i do me interes, autori e fshikullon përmes vargut satirik ”S`qenke mik, por tregtar”(49), Mburravecin e quan “tullumbace, që pëlcet nga një gjemb”(48). Ndërsa, lajkatarin e demaskon me vargjet:”Ai rreth teje vete e vjen,/t`ndodhet pranë orë e çast,/bëhu i fortë, zboje nga vetja,/ si një mizë që ke në qafë.” Nëpërmjet epigramit proverbial me titull: “Ke vënë ujkun bari”, autori përmes vargjeve alegorikë kritikon ato raste, kur në vende drejtuese të rëndësishme për fatet e popullit, vendosen njerëz të të paaftë e të këqij,me huqe dhe vese të shumta, të cilët, pasi zënë vend,hedhin rrënjë të thella,aq sa është tepër e vështirë t’i shkulësh nga vendi.Që të mos gabojmë në përzgjedhjen e tyre, autori na këshillon përmes vargjeve alegorikë:“…, kujdes, mos gabo,/në zgjedhjen që po bën,/ se nga posti s`e heq dot,/ujkun që bari ke vënë!?” (56) Ndërsa ,përmes vargjeve të epigramës “Bëj kujdes!”, ndonëse në mënyrë didaktike, autori këshillon njeriun të tregohet vigjilent në jetë: “N`rrugën e pashkelur më parë,/bëj kujdes, kur hapin hedh,/ nga humnera një fije t`ndan,/ grabitqari t`pret në shteg”(68). Populli thotë,se edhe fjala e keqe është si kafshimi i gjarprit, veçanërisht, kur njeriu ngutet dhe akuzon dikë pa të drejtë. Mesazhin proverbial të kësaj sentence popullore, Viron Kona e përçon përmes vargjeve të thjeshta metaforike: “Merre jetën shtruar, qetë,/nis nga vetja, kur gjykon,/plagën që e hap me fjalë,/s`ka ilaç që e shëron”.(72).
Janë të shumta epigramet poetike, përmes të cilave autori përçon vlera didaktiko-edukative, por dhe gjithëkohore. Për të kuptuar vlerat universale të poezive të tilla, mjafton të citosh vargjet: “Po e ngacmove qenin, të kafshon,/po e ngacmove grerëzën të thumbon,/po i preve rrugën gjarprit, të pickon,/po e lëndove njeriun, më keq e pëson”(73). Mburravecëve, që veten e quajnë filozof e udhëheqës të mëdhenj, autori, për t`i demaskuar, u bën pyetjen sugjestionuese: “Hiqesh filozof,/hiqesh shkencëtar,/hiqesh udhëheqës,/hiqesh dijetar./Këto vlera të mëdha,/ta zëmë se i ke,/një gjë s`po na thua,/njëri, je, apo s`je?” (85). Në themel të brendisë së epigramit “I zemëruari”, me të cilin autori pagëzon titullin e librit, qëndron përvoja popullore, e cila tregon pasojat që rrjedhin nga zemërimi i pakontrolluar i njeriut.Në epigramin e tij, Viron Kona e shpreh kështu këtë ide: “Nëse do të dish se,/kur je i zemëruar me cilin ngjason,/atëherë krahasoje veten me një dem,/që ka shpëtuar nga zgjedha dhe s`di për ku vrapon,/Krahasoje dhe me një tren,/që del nga shinat dhe dihet si përfundon,/por, po deshe krahasoje,/ edhe me një shofer të dehur në timon” Dhe, përfundimi e pasoja, vetëkuptohen:“në të gjitha rastet, i zemëruari,/vetëm prish dhe shkatërron.” (106).
Objekt i poezive të këtij libri janë bërë edhe shumë dukuri e nocione të tjera të jetës e shoqërisë, të moralit dhe të etikës. Dhe, në mbyllje të këtyre shënimeve të shkurtra, po përmend epigramin “Si drita në errësirë”, ku autori shpreh idenë se forcat e errëta dhe sidomos diktaturat, mund ta privojnë njeriun nga të drejtat dhe liritë e tij, por në të vërtetë: “Askush s`e pengon dot mendimin e lirë,/ai e çan vet rrugën, si drita në errësirë.”
Së fundi mund të themi se “I Zemëruari”i V.Konës është një libër që përçon ide dhe emocione me vlera universale.Epigramet e këtij libri, jo vetëm që tregojnë poetikisht fundin e pashmangshëm e grotesk të së keqes e ligësisë,por dhe nxit e inkurajon mbartësit e veseve e të veprimeve të gabuara,që të luftojnë për t’u vetëshëruar përmes katarsit(vetpastrimit)shpirtëror.Brendia e këtij vëllimi poetik,shpalos para lexuesëve, jo vetëm mesazhe të rëndësishme ,por dhe një mozaik plot ngjyra, që buron nga realiteti i ditëve tona.Është kjo,ndaoshta, asyeja kryesore,që e bën këtë libër të lexohet me kënaqësi.
