Zllatan Ibrahimoviç e premtoi para pak ditësh (‘Do t’i jap trofe Junajtidit që në sezonin e parë’) dhe e ka mbajtur premtimin, edhe pse është vetëm Superkupa e Anglisë, që në Britaninë e Madhe shihet thjesht si një stërvitje para kampionatit.
Sot Mançester Junajtid ka mposhtur 2-1 Lester Sitin dhe heroi i ndeshjes për “Djajtë e Kuq” ishte pikërisht Ibra ai që vendosi gjithçka, me një gol në minutën e 83-të, duke treguar se mbetet një ndër sulmuesit më të mirë në botë, edhe pse duket në fundin e karrierës.
Në pjesën e parë Lingard në minutën e 31-të kishte kaluar përpara Junajtid, pas një pasimi nga Runej, ndërsa Xhejmi Vardi barazoi në minutën e 52-të.
Kur priteshin penalltitë, në skenë u ngjit Ibra, i cili pas një krosi nga Valencia, kërceu fuqishëm dhe goditi topin me kokë në rrjetë.
Më mirë se kaq, tifozët e Junajtid nuk mund të ëndërronin, aq më shumë që nesër prezantohet edhe “mister 120 milionë euro”, Pol Pogba.
Mançester Junajtid – Lester 2-1
Golat: Lingard 31’, Ibrahimoviç 83’ / Vardi 52’
Mançester Junajtid: De Gea, Valencia, Bailly, Blind, Shaw (Rojo), Carrick (Herrera), Fellaini, Lingard (Mata), Ibrahimovic, Rooney, Martial (Rashford)
Lester: Schmeichel, Simpson (Hernandez), Huth, Morgan, Fuchs (Schlupp), Mahrez, Drinkwater, King (Mendy), Albrighton (Gray), Okazaki (Musa), Vardy
