Ibrahimoviçi i ri vjen nga Shqipëria

anazapta

Suedia ka gjetur një tjetër Zlatan Ibrahimoviç te lojtari i ardhur nga Shqipëria, Valmir Berisha. Lojtari i mahniti të gjithë shikuesit me dy golat që shënoi në barazimin 3-3 kundër Nigerisë, në kampionatin botëror U-17. Goli i parë ishte me një veprim si Ibrahimoviç, me kërcim të fuqishëm në ajër dhe goditje e topit me stil taekwondo. Krahasimet që i bëhen me yllin e Paris SG janë të shumta, jo vetëm për golin e shënuar, por për gjithçka që bën në fushë dhe karakterin që ka. Të dy vijnë nga Ballkani, Zlatan me origjinë nga Bosnja e Kroacia, ndërsa Valmiri nga Shqipëria. Berisha i ri është tip luftarak. Nuk ngurron të përballet me kundërshtarin dhe t’ia thotë në fytyrë atë që mendon. Madje edhe gjyqtarit ia bëri të ditur mendimin e tij në ndeshjen e humbur me Meksikën. Ashtu si Ibra, Berishës nuk i mungon besimi te vetja, çka e shpreh hapur. “Ne jemi një skuadër shumë e mirë, në sulm dhe mbrojtje”, thotë sulmuesi i Halmstadit, i cili nuk e ka problem të kthehet në mesfushë për të ndihmuar, ndërkohë që është i papërballueshëm në ajër. “Nigerianët kujtuan se e kishin të lehtë me ne, disa prej tyre na e thanë edhe kur u pamë në hotel. U treguam se dimë të luajmë futboll, megjithëse mendoj se duhet të kishim fituar”. Ai është djalë i fortë. Një kërkim në Google për “Valmir Berisha” të nxjerr foto të tij me hundë të fashuar, për shkak të frakturës gjatë eliminatoreve evropiane. “U përpoqa të kapja një top të lartë, por më shtynë dhe në vend të topit i rashë me kokë kafkës së një mbrojtësi trupmadh zviceran”, thotë duke qeshur për dëmtimin. “M’u desh të mbaja maskë për pjesën e mbetur të turneut dhe mezi shihja, sepse ishte shumë e madhe”. Idhull i tij është pikërisht Zlatan Ibrahimoviç, të cilin ende nuk e ka takuar. Suedia është një skuadër me përbërje shumë të përzier, aty përfaqësohen dhjetë kombësi të ndryshme, me lojtarë të lindur apo me origjinë nga vende të largëta, si Maqedonia apo deri në Gambia. “Në skuadër ka shumë kultura të ndryshme”, thotë Berisha. “Është gjë vërtet interesante. Lojtarët suedezë kanë si karakteristikë fuqinë fizike, ndërsa lojtarët nga Afrika kanë të tjera karakteristika të mira. E njëjta gjë edhe me ne nga Ballkani. Është përzierje e mirë, një koktej i mirë”.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *