Lorik Cana pothuajse e ka “harruar” Maltën, por jo për faj të tij. Kapiteni kuqezi ka dalë para shtypit për konferencën rutinë para ndeshjes, por biseda është përqendruar thuajse e gjitha tek e ardhmja e kombëtares, e cila rrezikon eksod lojtarësh drejt Kosovës. Por vetë kapiteni, i lindur në Kosovë, është i palëkundur në qëndrimin që ka shprehur prej kohësh: Shqiptarët duhet të kenë vetëm një kombëtare, atë me ngjyrat kuqezi. Cana e di se shumë njerëz në Kosovë mund të mos e pëlqejnë një gjë të tillë, por siguron se ky është ideali i tij dhe do të përpiqet sa më shumë që ta realizojë, madje duke u bërë thirrje të gjithë lojtarëve me peshë në opinion që të flasin për këtë çështje. “Nëse ndajmë këtë fanellë, atëherë do të na duhet të fillojmë të ndajmë shumë gjëra”, tha Cana.
– De Biazi bëri të ditur se do të fliste me lojtarët kosovarë, për të mësuar mbi qëndrimin e tyre në të ardhmen. Cili është qëndrimi juaj në lidhje me këtë çështje?
– Kam të njëjtin qëndrim që kam pasur edhe më par: Një kombëtare për të gjithë shqiptarët. Me De Biazin nuk kemi bërë ndonjë mbledhje. Është e drejtë që ai kërkon të dijë mendimin e të gjithë lojtarëve kosovarë që luajnë për Shqipërinë, por mendoj se tani nuk është momenti i duhur. Ne si lojtarë kosovarë do duhet të mblidhemi bashkë dhe të flasim dhe jo për të zgjedhur mes Shqipërisë dhe Kosovës, por për të vendosur disa piketa për edicionin e ri.
– Çfarë piketash?
– Nuk mund të bëjmë një zgjedhje të tillë në këto momente kur Kosova ende nuk mund të luajë ndeshje kualifikuese. Ajo ditë, sipas meje, është ende e largët, ndaj pyetja nuk mund të shtrohet për momentin. Natyrisht trajneri kërkon me të drejtë të jetë i sigurt se nuk do të ketë një ndryshim plani në mes të edicionit, siç ishte rasti me Ujkanin. Por për mendimin tim të gjithë e dinë dhe janë të ndërgjegjshëm që shqiptarët do të kenë vetëm një përfaqësuese. E kanë pasur deri tani dhe besoj se edhe më vonë do jetë e njëjta gjë.
– Ndieni ndopak përgjegjësi si kapiten dhe kosovar?
– Nuk është çështje përgjegjësie. Unë e kuptoj se ka disa lojtarë që kanë ndikim në publik me deklaratat që japin, ndaj them se gjithkush duhet të jetë i kujdesshëm në ato që thotë. Por gjykoj se asgjë më shumë sesa futbolli në këto kohë nuk ka treguar se shqiptarët janë të bashkuar më shumë se kurrë. Ne kemi qenë një, jemi një dhe duhet të mbetemi si të tillë. Në rast se ne e ndajmë këtë fanellë, atëherë kam përshtypjen se do duhet që të ndajmë shumë gjëra të tjera dhe kjo nuk do ishte në dobi të askujt. Kjo do ishte një gjë shumë e keqe, një imazh negativ, duke i treguar botës se çfarë po mendojmë për të ardhmen.
– Sipas jush, kombëtarja kuqezi duhet të jetë bashkimi i të gjithë shqiptarëve?
– Po, sepse futbolli nuk është vetëm 11 njerëz që vrapojnë pas një topi dhe të tjerët që argëtohen duke i parë. Futbolli ka ndikim të jashtëzakonshëm dhe ne duhet ta shfrytëzojmë këtë gjë. Nuk mund të pretendojmë që Shqipëria të marrë të gjithë lojtarët më të mirë shqiptarë dhe kosovarë që luajnë jashtë, pasi është shumë e vështirë, për shumë arsye. Por kemi si detyrë që të bëjmë maksimumin për t’i afruar dhe për të pasur një skuadër shumë më të mirë.
– Cili është mendimi personal në rastin e Ujkanit, i cili ka bërë edhe disa Ç’mendim keni për largimin e Samir Ujkanit?
– Samiri është miku im dhe ai ka shkuar të luajë me Kosovën në një ndeshje që e prisnin të gjithë me kënaqësi. Megjithatë, kam mendimin se për të tilla vendime duhet të flasim të gjithë së bashku.
– Duket se Federata e Kosovës nuk ndan të njëjtin mendim me ju për kombëtaren e përbashkët…
– Mendoj se lojtarët që kanë më tepër ndikim duhet të lobojnë në këtë aspekt. Unë nuk kam ekskluzivitetin e ndryshimit të gjërave dhe nuk mund të përfaqësoj të gjithë lojtarët kosovarë, por mendoj se shumica e atyre lojtarëve që dëgjohen në opinion duhet të flasin dhe të bëjnë të mundur që të gjithë lojtarët me origjinë nga trevat kosovare të vijnë dhe të përfaqësojnë kombëtaren shqiptare. Tani me këtë nuk dua që të them se ajo që them unë është e drejtë apo është e gabuar. Ky jam unë dhe kështu e mendoj. Unë kam pasur një qëndrim koherent që në fillim dhe do t’i qëndrojë deri në fund këtij mendimi. Kur të vijë momenti që edhe Kosova të mund të ketë mundësi të luajë në FIFA e UEFA, ne të vijmë në një mendim të përbashkët që është një kampionat i përbashkët për të gjitha trevat shqiptare dhe një kombëtare ku të luajnë më të mirët nga të gjithë trevat shqipfolëse. Ky është mendimi im.
– Ju vë nën presion fakti që FFK dhe Vokrri po punojnë në drejtim të kundërt?
– Unë kam një ideal dhe dua që t’i shkoj deri në fund. Unë nuk jam tipi i personit që thotë “dakord, ju e keni mirë, por nuk dua që t’u mbetet hatri atyre të tjerëve”. E kuptoj se mund të ketë në Kosovë edhe njerëz, 20-30 për qind që nuk mendojnë si unë ose janë kundër, por nuk kam çfarë të bëj. Ata nuk më ndryshojnë dot dhe unë nuk lodhem që të bëj të kundërtën.
– Nëse një ditë do të bëheni president i FFK-së, do keni të njëjtat mendime?
– Kjo gjë nuk do ndodhë kurrë, por meqë më pyetët po ju them se unë do punoja për vetëm një kombëtare.
– Ndeshjen e parë kualifikuese e kemi me Portugalinë, por vëmendja është që tani te Serbia. Si e prisni?
– Do na duhet një skuadër me lojtarët më të mirë. Si sfidë futbolli ajo ka vështirësitë e saj, pasi në asketin teknik do kemi një kundërshtar të fortë përballë. Ndërkaq, e kuptoj se edhe aspekti jashtë futbollit do jetë tejet i ngarkuar. Të shpresojmë që këto gjëra do na mundësojnë që të përfaqësohemi sa më mirë në atë ndeshje.

Bravo Lorik Cana.
Te gjithe ata qe mundohen te krijojne 2 Kombetare nuk perfaqesojne interesat Kombetare te Bashkimit Etnik te Trojeve Shqiptare por mbrojne interesat e armiqve te Kombit Shqiptar te njohur si Sllavo-Greke.
Nje pyetje z.Vokrrit:A do ta pranonte ai ndonjehere perballjen e dy kombetareve kundra njera-tjetres?
Ne jemi vetem NJE: NJE KOMB – NJE GJUHE -NJE POPULL.Nuk duhet me pase dallime e ndarje midis nesh sepse kjo nuk na nderon e nuk na afron ne ate qellim qe paraardhesit tane luftuan dhe lane gjakun e tyre per nje SHQIPERI ETNIKE.
RROFT POPULLI SHQIPETAR DHE GJITHE SHQIPETARET KUDO NE BOTE.
Pershendetje Vellazerore
Artur Caslli
Bravo Lorik!
Je njeri i mirë,sportist i mirë dhe patriot i mirë!
NE KETE RASTE ESHTE PAK TE THUHET PER PATRIOTIZEM,E DOMOSDOSHME KETU ESHTE VIZIONIQE KE PER KOMBIN.NUK MUNDE TE KUPTOHET AS VOKRRI QOFTE DHE KRYEMINISTRI I KOSOVES QE NE KETE RASTE PO BEJNE PUNEN E SERBIS.NJE KOMB NUK MUNDE TE KETE 2 KOMBETARE,KETU LORIK CANA KA TREGUAR SE ESHTE NJE SHQIPTAR VIZIONARDHE JO NJE NJERI EMOCIONAL.E PA FALESHME PER KRYEMINISTRIN E KOSOVES QE INTERESAT E VOGLA E JOSHIN PARA INTERESAVE SHUME TE MEDHA,NDERSA TI BASHKOHESH VOKRRAVE E DOKRRAVE QE PER 5 CENT SHESIN CDO GJE KETE VETEM NJERZIT MEDIOKER E PA VIZION
BARDI