Po t’u hysh historive të politikanëve të Shqipërisë, nxjerr perla karagjozllëku, por Shpëtim Idrizi ka një prej kërcimeve më interesante, nga ish-mobilier në drejtor doganash dhe deputet. Historia e tij i dedikohet ekskluzivisht Fatos Nanos.
Një nga këshilltarët e tij, Emin Barçi e nxori Idrizin nga anonimati i ish-mobilerisë në një nga punishtet e “Misto Mames” dhe ia prezantoi Nanos. Me një kërcim të jashtëzakonshëm, ish-mobilieri falë Nanos u emërua Drejtor i Doganave dhe ia bëri mirë yzmetin postit. Pas kësaj, erdhi karriera politike. Nga Doganat kaloi në Kuvendin e Shqipërisë, si deputet i PS. Më pas kërceu nga gjiri i Nanos në gjirin e Ramës dhe papritur rreth 3 a 4 vite më parë mësoi që ishte edhe çam nga Margëlliçi. Më pas Idrizi kërceu te Berisha, dhe nuk dihet ku do kërcejë prapë, por fakt është që prej muajsh, komuniteti çam ka një lëvizje politike të re që i është kundërvënë me forcë Idrizit.
Historia e një ulliri
Në 30 qershor 2012! Në Qafë-Botë, në Kllogjer, u zhvillua ceremonia e fillimit të ndërtimeve të varrezave të 2960 viktimave të Çamërisë. Në përurim të punimeve Idrizi mbolli një rrënjë ulliri. 28 tetor 2012- e në vazhdimësi… në Kllogjer, në Qafë-Botë. Ajo rrënjë ulliri, e mbjellë, për të përkujtuar gjenocidin grek ndaj popullsisë çame, është tharë nga thatësira e harresës, e shpërfilljes, dhe bri ullirit të tharë dhe një gur varri i…pavarrë! Është ai gur, i cili u cilësua nga kryetari i PDUI-së, Shpëtim Idrizi, si guri i themelimit të çështjes Çame, tashmë është…gurë varri i …pavarrë!
Nuk mundi kaq kohë Kryetari i PDUI-së, që të hidhte një kazmë për të ndërtuar varrezat e premtuara të 2960 viktimave të gjenocidit grek? Kush e pengoi? Udhëheqësit e PDUI-së, e kanë harruar betimin që dhanë në 30 qershor 2012 në Kllogjer, derisa deri më sot, jo vetëm nuk kanë hedhur më asnjë gur në ndërtimin e varrezave të 2960 martirëve çamë, por edhe atë ulli që mbollën, e lanë të thahet. Për kujtimin e 2960 martirëve çamë, që vdiqën 67 vjet më parë, aty në Kllogjer, të persekutuar nga gjenocidi i grekëve, më të shumtit gra e fëmijë, nuk u mundësua nga askush, që ai ulli i mbjellë, të ujitej me përkujdesin e respektit e të mirënjohjes? 67 vjet më parë, në tokën e tyre, Çamëri, u vranë rreth 3000 vetë, kryesisht gra, pleq e fëmijë, ndërsa rreth 2960 të tjerë vdiqën në kufirin e Çamërisë me Shqipërinë, në Kllogjer. Çfarë ka penguar deri më sot, që të vazhdohen punimet për ndërtimin e varrezave të viktimave të gjenocidit grek? Dhe ku? Në tokën tonë.
Ndërkohë, kur grekët, për të respektuar të vrarët e tyre, po bëjnë gjithçka në tokën tonë, zhvarrosin të parët tanë në Boboshticë dhe Kosinë dhe me kockat e tyre po rindërtojnë varreza të ushtarëve të tyre. Dhe ndërsa udhëheqësit e PDUI-së, më 30 qershor 2012, duke mbjellë ullirin dhe duke inauguruar gurin e parë të varreve, bënin fjalë, për “”hoqëm pllakën e turpit, mundëm harresën dhe neglizhencën, që i bëri shteti komunist kauzës çame”. Por tharja e ullirit nga thatësira e harresës dhe e shpërfilljes, është plaka më e rëndë e turpit mbi udhëheqësit e PDUI-së.
Në rastin e Avni Rustemit, Berisha e përdori Idrizin si një peshqir për të fshirë nga fytyra e Esad Pashe Toptanit pështymën e kombit shqiptar.
Ka një debat mbi arsyet përse partia çame e Idrizit u përdor nga Berisha për të hapur një debat provokues lidhur me emrin e Avni Rustemit. Ka akuza të forta kundër tyre, dhe natyrisht kundërshtarë të tyre përfituan nga kjo gafë skandaloze. Së pari, ky akt i rrezikshëm e vendosi komunitetin çam mes dy zjarresh. Propozimi natyrshëm që ngjalli emocione të forta negative, shumë prej të cilave rëndojnë dhe do të rëndojnë mbi partinë e Idrizit. Ligësia e Berishës për t’i defaktorizuar si parti është perfekte. Avni Rustemi nuk është produkt i komunizmit në Shqipëri, por një njeri për të cilin në vend u bë një revolucion për vrasjen e tij. Sheshi Avni Rustemi është i vetmi shesh me kuptim në Tiranë, pasi lidhet me vendin ku është vrarë. Ai e vrau si i gjallë Esat Pashë Toptanin dhe e mundi i vdekur Ahmet Zogun, nipin e tij, i cili u detyrua të ikte në Serbi dhe të kthehej andej me mercenarë radikalë serb dhe bjellogardistë të ikur nga rënia e regjimit të Carit prej bolshevikëve.
Në krah të Avni Rustemit në vitin 1924 ishte ajka e shoqërisë shqiptare, intelektualët më në zë të shoqërisë, figurat e shquara të kombit shqiptar, të cilët pas marshimit në Tiranë të bajonetave ruse dhe serbe emigruan dhe u dënuan me vdekje prej Ahmet Zogut. Kjo është një ngjarje që e ndan shumë thellë historinë e Shqipërisë.
Vet Sali Berisha si njeri i pacipë që është, i ka përdorur të dy anët e këtij zhvillimi. Në vitin 1994, kur ishte president, i duhej të ishte në anën e fanolistëve dhe kremtoi me madhështi 70 vjetorin e Revolucionit të Qershorit, vuri bustin e Nolit tek Akademia dhe zboi nga fobia Leka Zogun nga Hotel Dajti brenda tri orëve. Në vitin 1997, kur Leka Zogu i duhej, e përdori po ashtu për xhandar me shpresë me se do përmbyste rezultatin e zgjedhjeve. Tani ka aq shumë pushtet dhe para sa nuk i duhet as Ahmet Zogu, as Fan Noli, por ka problem vetëm modelin e Avni Rustemit, e njeriut që të vret kur shet Shqipërinë dhe kur me para dhe pushtet përpiqesh të blesh gjithçka. Pikërisht viktimë e kësaj frike të fshehtë të Sali Berishës kanë rënë drejtuesit e partisë së çamëve në Shqipëri, duke i bërë Berishës dy shërbime të mëdha. E para, të hiqni sysh Avni Rustemin, e dyta të defaktorizojë çështjen çame në Shqipëri dhe t’i bëj ata të urryer si në Greqi ku i etiketuan pa të drejtë si bashkëpunëtorë të fashizmit.
E dyta gjë e rrezikshme është se Berisha e përdori Idrizin si një peshqir për të fshirë nga fytyra e Esad Pashe Toptanit pështymën e kombit shqiptar. Përpjekja tinëzare për të rehabilituar Esat Pashë Toptanin duke nxirë atentatorin e tij politik, është një hap i guximshëm që Berisha nuk do ta kishte bërë kurrë nëse nuk do haste në një mendjelehtësi të padurueshme të krerëve të kësaj partie.
Esat Pashë Toptani është ekzekutuar politikisht dhe atentatori i tij është mbrojtur politikisht si njeri që ka ekzekutuar një njeri që donte të shkatërronte lindjen e shtetit shqiptar. Esat Pashë Toptani prehet në varrezat e ushtarëve serbë në Francë dhe arkiva e veprimtarisë së tij kundër çështjes shqiptare gjendet në Beograd, ndërsa Avni Rustemi e ka vendin aty ku është vrarë. Pa gjestin e tij mund të kishin ngelur pa atdhe jo vetëm çamët, por gjithë shqiptarët.
Idrizi shkaktoi që komuniteti çam, që i ka votat në shumicë në Vlorë dhe në lagjen ngjitur me sheshin Avni Rustemi në Tiranë, të vihet para reaksionit të qytetarëve të këtyre dy qyteteve ku Avni Rustemi është një memorie e fortë historike.
E treta gjë e rëndë më duket tek lehtësia me të cilën Tahir Muhedini apo Shpëtim Idrizi duan doemos një shesh me emrin Çamëria në Tiranë, pa e menduar gjatë dhe qartë simbolikën e tij. U pa qartë se nuk e kanë menduar gjatë, pasi sapo e panë reaksionin që ngjalli përzgjedhja e sheshit Avni Rustemi, e cila ishte qartazi në një lojë politike e Sali Berishës, kërkuan një shesh tjetër me po aq nxitim sa të parin për t’i vënë emrin “Çamëria”. Bëhet fjalë për gjithë ata që e njohin Tiranën për një shesh para restorantit dhe zyrave të Xhoi Travel, atje ku nisen autobusët e linjës Tiranë- Athinë, ku asnjë çam nuk hipën dot për të shkuar në vendlindjen e tij.
Në fakt ai nuk është as shesh dhe as rrugë, por një lloj parkimi ku shiten makina, shumë më i shëmtuar se ai që quhet tregu çam dhe që ka më shumë identitet se kjo rrugë mes makinave, autobusëve për Greqi dhe restorantit të ish- kryeministrit. I theksojmë këto detaje për të treguar se kërkesa për të gjetur një shesh dhe për t’i vënë emrin Çamëria duket që nuk ekziston si një projekt konkret në kokën e drejtuesve të partisë çame, por si një “qokë” që duhet bërë në kuadrin e atmosferës së mbarsur me patriotizëm dhe flamuj kuqezi. Si e tillë ajo është fyese. Më në fund gjetën diçka më të hairit. Sheshin Ali Demi, një emër simbolik i një familje të madhe çame që ka dhënë kontribut në historinë e këtij vendi. Edhe këtu duket se Berisha ka zgjatur dorën të heqë emrin e një çami që ka kontribuar kundër fashizmit, për t’i dhënë një koncesion emrit Çamëria. Në një farë mënyre morën diçka që e kishin, ose më mirë të thuhet nuk morën asgjë dhe derisa arritën këtu, ata i bënë boll dëm çështjes së tyre dhe profilit të vet politik.
Shpetim Idrizi eshte sinonimi i politikanit te ketyre 22 vjeteve :PA MORAL….
Ti po i kundervihesh Idrizit jo per ceshtjen came, por per ceshtjen tende.
Kur e zbulove qe ishe cam, kur u ktheve nga emigracioni.
Diku tjeter je betuar qe je rrace tjeter. Apo jo?
Na sqaro ne takimin tjeter elektoral, po presim me padurim.
Zemra po na digjet te na udheheqesh, ti zevendesojme ullirin qe i eshte thare Idrizit.