Idrizi: Më parë do ngremë strukturat, më pas trofetë

redaktor

Lëvizjet e shumta të futbollistëve te Flamurtari nuk përbëjnë më lajm. Në çdo sezon dhe në të dyja periudhat e merkatos së futbollistëve, kuqezinjtë mbeten skuadra rekord e afrimeve dhe largimeve. E njëjta gjë po ndodh edhe në këtë periudhë të lëvizjeve të dimrit, me vlonjatët që mbajnë numër rekord si në hyrje dhe në dalje në grupin e futbollistëve.

Gjatë këtyre ditëve të para të vitit 2016, Flamurtari ka bërë disa afrime cilësore, duke nisur me futbollistë të njohur si mbrojtësit Berisha dhe Krasniqi për të përfunduar me të panjohur si braziliani Lucas Kanixhia, që shihet si një premtim edhe për të ardhmen.

Pas problemeve të shumta financiare të fund vitit të shkuar, situata është normalizuar, madje drejtuesit e klubit kanë kryer përpara kohe detyrimet financiare ndaj futbollistëve për 3 muajt e ardhshëm. Por nëse lojtarët kanë ngrohur xhepat, diçka e tillë nuk mund të thuhet për klubin, që pritet të ketë të tjera probleme financiare, pasi rezulton debitor ndaj ish-futbollistëve si Bajevksi, apo edhe ndaj të tretëve për shkak të mosrespektimit të kontratave të hotelerisë.

Administratori i klubit Flamurtari, Sinan Idrizi, flet rreth kësaj çështjeje për Supersport, duke akuzuar ish-drejtuesit e klubit për situatën e krijuar: “Problemi i faturave është bërë i zakonshëm për ne. Ose t’i dalim për zot kësaj pune, ose të humbasim kohë si në këto 4 apo 5 muajt e fundit. Ne kemi marrë përgjegjësitë tona, ndërsa ata që e kanë shkaktuar këtë situatë meqenëse nuk mund të mbajnë përgjegjësi materiale të mbajnë të paktën përgjegjësi morale”.

Afrimet e kryera gjatë këtyre ditëve janë shumë cilësore dhe Flamurtari shihet si një skuadër për t’u mundur. Megjithatë administratori Sinan Idrizi e kalon me humor, teksa kërkon që skuadra të jetë simboli i qytetit dhe të sjellë emocione për tifozerinë vlonjate. Ai thekson: “Çështja e objektivave është bërë si historia me ujkun, që kur erdhi nuk e besonte askush. Ne duam të ribëjmë një ekip që të emocionojë qytetin. Dëshirojmë të bëjmë një markë dhe qëllimi i markës është krijimi i emocioneve. Kurrë nuk kam thënë që do dal kampion dhe kjo mund të duket disi absurde për dikë që investon në një skuadër. Trofetë vijnë në vazhdimësi të krijimit të strukturave”.

 

Share This Article
2 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *