Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, ka reaguar për nismën e paraqitur disa ditë më parë nga kryeministri për shtetësinë. Idriz tha se e mbështet nismën e Berishës, duke theksuar se në hartën e shqiptarëve që do të marrin shtetësinë të përfshihen edhe çamët ortodoksë që jetojnë në Greqi dhe arvanitasit.
“T’u japim pasaportën shqiptarëve në Greqi, të cilët deri sot kanë qenë të shtypur, pa mundur të deklarohen si shqiptarë. T’u japim kurajë çamëve ortodoksë dhe arvanitasve që ta deklarojnë veten shqiptarë. Madje, ne si shtet duhet t’i japim pasaportën shqiptare edhe presidentit grek Karolos Papulias, i cili është çam ortodoks. Ka ardhur koha për reciprocitet me Greqinë. Ka ardhur koha që edhe Greqia t’i njohë realitetet etnike dhe minoritete që jetojnë në Greqi”, tha Idrizi. Gjithashtu, gjatë fjalës së tij, kreu i PDIU-së theksoi se qeveria nuk ka bërë ende asgjë për çështjen çame, përveç zhvillimeve që ka pasur falë nismave të PDIU-së.