“Shpëtimi, këtë parti që është ngritur me kaq mund e djersë nga komuniteti çam, e ka atrofizuar totalisht. E ka kthyer në një parti individi. Ky individ thjesht bredh me vulën e kësaj partie në xhep” – thotë në këtë intervistë dhënë në emisionin ZIP në televizionin Vizion Plus, kreu i Lëvizjes Çame, Artur Dojaka, intervistë në të cilën Dojaka sjell për publikun rezervat e mëdha që komuniteti çam ka mbi përfaqësimin e deritanishëm nga Shpëtim Idrizi.
“Çështja çame çdo ditë e më tepër është kthyer në një mbulesë për këta individë që janë vetëshpallur si përfaqësues të saj, për të përmbushur ca interesa të tyre personale, private, financiare – thotë ai dhe shton se “zoti Idrizi është një prurje që ka ardhur nga një forcë tjetër politike dhe dyshoj që të ketë marrë ndonjë votë nga komuniteti çam. Por shumë shpejt do kemi dhe rastin që ta provojmë këtë gjë. Zgjedhjet po afrojnë”.
Zoti Dojaka pse ishte e nevojshme të lindë “Lëvizja Çame”? Çamët kanë një parti që quhet PDIU dhe që është aktualisht në koalicion qeverisës, madje ditët e fundit ka ndërrmarrë dhe një hap konkret duke paraqitur dhe një rezolutë për çështjen çame?
Komuniteti çam përfaqësohet prej kohësh nga Lëvizja Çame. Është një lëvizje e përbërë nga njerëz të këtij komuniteti, të cilët pas ardhjes së demokracisë kanë dhënë kontributin e tyre të drejtëpërdrejtë në favor të çështjes çame. Ju konfirmoj në emër të komunitetit, se në gjithë këto vitet e fundit, ne çamët jemi ndjerë të papërfaqësuar. Po bëhen tre vite e gjysmë që ndjehet kjo mungesë e përfaqësimit. Është për të ardhur keq që çështja jonë është kthyer tashmë në një çështje private, të përfaqësimit të interesave private të një të vetëshpalluri si kryetar i Partisë për Drejtësi Integrim dhe Unitet, që është zoti Shpëtim Idrizi.
Çështja çame është çështje e një amaneti që buron nga dhjetra vite më parë, pra është një detyrim që ne kemi ndaj të parëve tanë, për ta çuar amanetin e tyre në vend. Që një ditë të kthehemi në tokat e të parëve tanë, ashtu siç dhe ata na e kanë kërkuar. Por, siç thashë, po shohim se çështja çame çdo ditë e më tepër është kthyer në një mbulesë për këta individë që janë vetëshpallur si përfaqësues të saj, për të përmbushur ca interesa të tyre personale, private, financiare.
Cilat janë konkretisht premtimet e pambajtura të zotit Idrizi si kryetar i PDIU-së ?
Një nga premtimet më madhore të pambajtura nga zoti Idrizi është vetë Rezoluta për Çamerinë që ju përmendët. Kemi 3 vjet e gjysëm që bëjmë presion si komunitet, pra si lëvizje çame për këtë rezolutë. Në një moment ku me sa duket nuk i rezistonte dot më këtij presioni, z.Idrizi del me një “surprizë në xhep”. Them “surprizë në xhep” sepse në mënyrë metaforike, e tillë u paraqit. Kjo që ka paraqitur ai, është e pakonsultuar me komunitetin çam, madje ky “dokument”, nëse mund ta quajmë të tillë, nuk është shoqëruar qoftë edhe me ndonjë miratim formal të strukturave të partisë që drejton zoti Idrizi sot. Dhe e dini pse? Sepse zoti Idrizi, këtë parti që është ngritur me kaq mund e djersë nga komuniteti çam, e ka atrofizuar totalisht. E ka kthyer në një parti individi. Ky individ thjesht bredh me vulën e kësaj partie në xhep.
Çfarë presioni ka bërë Lëvizja Çame ndaj zotit Idrizi? Keni kontaktuar, diskutuar për të shprehur shqetësimet tuaja?
Nëpërmjet takimeve dhe lobimit që ne bëjmë në komunitet e kemi detyruar zotin Idrizi, që ti shmanget sado pak të jetë e mundur interesave të tij private dhe të bëj diçka përsa i përket çështjes çame. Me thënë të drejtën nuk e kemi arritur që ta bëjmë zotin Idrizi të na japë një produkt konkret për çështjen çame. Së fundmi, pas këtij presioni dhe meqënëse zgjedhjet janë pranë, zoti Idrizi vendosi që ta shfrytëzonte si një kartë elektorale paraqitjen e kësaj draft-rezolute.
Ju a jeni njohur, qoftë dhe mediatikisht me këtë draft-rezolutë?
Draft-rezolutën, i gjithë komuniteti çam, sikundër dhe gjithë opinioni e ka njohur thjesht nëpërmjet medias. Kjo për arsyen e vetme se është bërë me nxitim dhe asnjë nga aktorët dhe faktorët e komunitetit çam nuk ka patur dijeni për të. Siç po e shikojmë, nuk po përmendet asnjë emër diplomati, historiani apo politikani, me të cilin të jetë konsultuar Idrizi dhe ata të cilët e kanë deklaruar këtë rezolutë.
Idrizi ka thënë se do të dorëhiqet deri në Dhjetor po nuk u miratua rezoluta…
Me sa jam informuar nga media, ka qenë edhe ky premtim i vetë zotit Idrizi pas këtij presioni që ne ushtruam që nëse deri në Dhjetor të vitit të kaluar, Rezoluta nuk do të votohej, ai do të tërhiqej tërësisht nga politika. Iku dhjetori.. Po nejse, kjo çështje për ne si komunitet çam nuk ka aspak rëndësi. Pak interes ka për komunitetin se kush do jetë karriera politike apo e ardhmja e Idrizit. Ai tashmë nuk është aspak personi i cili përfaqëson komunitetin çam. Unë këtu kam një lutje për mediat dhe gjithë opinionin mbarëshqiptarë që mos ti vënë në ballancë çamët me individë si zoti Idrizi.
PDIU është një parti që ka vetëm 2 deputetë në Kuvendin e Shqipërisë apo jo?
Ka një deputet që ka dalë nga votat e komunitetit çam. Ndërsa zoti Idrizi është një prurje që ka ardhur nga një forcë tjetër politike dhe dyshoj që të ketë marrë ndonjë votë nga komuniteti çam. Por shumë shpejt do kemi dhe rastin që ta provojmë këtë gjë. Zgjedhjet po afrojnë.
Zoti Dojaka ditët e fundit gazeta “DITA” ka botuar disa shkrime në lidhje me një padi ndaj zotit Idrizi në të cilën ai akuzohet për mashtrim dhe vjedhje. A i keni ndjekur ju këto shkrime dhe çfarë mendimi keni për to?
U falenderoj shumë për pyetjen. Kjo është një çështje shumë e mprehtë në komunitetin çam këto ditë. Do doja të theksoja së pari se komuniteti çam është totalisht i distancuar nga ky individ, i cili veç të tjerave mbart me vete një sërë historish nga jeta e tij e mëparshme të cilat nuk kanë të bëjnë fare me komunitetin çam.
Gazeta “DITA” madje ka njoftuar se kopjet e këtij shkrimi janë blerë me një shpejtësi të rrufeshme në treg duke u hequr nga tregu për lexuesin, ndaj dhe në numrin e sotëm është ribotuar…..
Kjo është e vërtetë. Na është konfirmuar edhe neve nga strukturat tona nëpër rrethe. Ka patur individë të cilët kanë blerë nga 50-70 kopje në secilën qendër të shitjes së gazetave. Kjo tregon sërish për frikësimin dhe karakterin e vërtetë të Idrizit, për arsye se njeriu nuk ka pse të ketë frikë nga e vërteta. Përballet, ka rrugë ligjore ka institucione të cilat marrin përsipër vënien në vend të drejtësisë. Por unë dua të ritheksoj edhe njëherë, çdo që që Idrizi ka bërë, bën apo do të bëjë, nuk ka lidhje absolutisht me komunitetin çam.
Edhe një pyetje të fundit, zoti Dojaka cilat do të jenë synimet e Lëvizjes Çame duke qenë se po afron dhe fushata elektorale?
Lëvizja Çame është tashmë e konfirmuar si përfaqësuesja e komunitetit çam. Synimet e Lëvizjes Çame janë pragmatiste. Ne çamët jemi kudo. Jemi të përfaqësuar majtas, djathtas, por gjëja jonë më e rëndësishme është që të krijojmë një lobim, jo vetëm brenda Shqipërisë por në në gjithë komunitetin mbarëshqiptar të kudondodhur, për zgjidhjen e çështjes çame. Për bashkëkombasit tanë kjo është një çështje kombëtare, për ne çamët nuk është thjesht një çështje por është një detyrim.
(Intervistë e dhënë në emisioni ZIP në Vizion Plus)
Jam kurioze per debatin e dites se marte, se çfare perrallash do tregoje Idrizi perpara audiences, asaj çame ne veçanti, per punen e bere qe nga momenti kur u gjend ne krye te Partise e deri me sot. Realisht, deri tani ka çuar uje vetem tek mulliri i vet. Parashikohet nje debat shume interesant. Uroj qe justifikimet s’do te jene te nivelit te sotem te presidentit te nderit Z. Muhedini, te tipit: ne i kerkuam zv ministrin e jashtem, PD-ja tha jo, ne kerkuam ambasadorin ne Amerike, PD-ja tha jo. I propozoj Altin Bashes ta fuse si humorist tek stafi i Portokallise, se me politiken s’ka patur dhe s’do kete ndonje here lidhje. Jo per gje, por aty eshte edhe si i shtepise, thone gojet e liga, eshte ai qe kuron marredhenien e PDIU-se me Top Channel.