IFFHS: Flamurtari klubi më i mirë shqiptar për 2014

redaktor

Projekti për të ndërtuar një skuadër për të fituar titullin kampion, dështoi në gjysmë të rrugës, por Flamurtari mund të ngushëllohet me një tjetër fakt. Sipas IFFHS , Federatës Ndërkombëtare të Historisë dhe Statistikave në Futboll, klubi vlonjat është më i miri në Shqipëri për 2014 është Flamurtari.

Është ky verdikti i IFFHS që publikoi klasifikimin e klubeve për vitin që lamë pas, renditje ku ndër skuadrat shqiptare, Flamurtari, gjendet më i mirëpozicionuar në vendin e 346 në botë me 67 pikë.

Skuadra vlonjate, fituese e Kupës së Shqipërisë dhe që u eliminua në raundin e dytë paraeleminator të Europa League nga rumunët e Petrolul Ploestit pasi kishin kaluar në raundin e parë përballë gjeorgjianëve të Sioni Bolnis, ka lënë pas nënkampionët e Kukësit që renditen të 357 në klasifikimin global me 66 pikë, ndërsa interesant është fakti se Skënderbeu që në 2014 mbrojti me sukses titullin kampion, është i treti ndër skuadrat shqiptare dhe pozicionohet në vendin e 369 në renditjen globale me 65 pikë.

Pas ekipit korçar vjen Tirana në vendin e 473 me 55 pikë dhe në fund nga skuadrat e superiores renditet Laçi, që ndodhet në shkallën e 483 të klasifikimit botëror me 54 pikë, ndërkohë që emra të tillë me peshë të futbollit shqiptar si Partizani, Vllaznia apo Dinamo nuk figurojnë fare në 500 klubet e para të botës për 2014.

Si funksionon klasifikimi i IFFHS? Renditja bazohet mbi rezultatet e arritura përgjatë gjithë 12 muajve të fundit, sa më shumë fitore, aq më shumë pikë dhe një vend më i lartë në klasifikim.

Për sa i përket gjigantëve të vërtetë të futbollit, klasifikimi dominohet nga Reali i Madridit, kampionët e Europës dhe të Botës renditen të parët pasi kanë shënuar një rekord prej 381 pikësh, duke lënë pas në distancë Bajernin e vendit të dytë që kryesonte në 2013 ndërsa sot me 276 pikë është më tepër se 100 pikë pas Realit, në vendin e tretë gjendet Atletiko e Madridit dhe në të katërtin Barcelona.

Pas katalanasve ndodhet Atletico Nacional de Medellin, që në vendin e pestë është klubi më i mirë amerikan i klasifikimit dhe ka lënë pas edhe Juventusin, Arsenalin, Napolin, River Plate dhe Salzburgun që kompletojnë dhjetëshen më të mirë të klubeve në vitin që u mbyll para pak ditësh.

Klasifikimi i IFFHS ofron zhgënjim për disa klube evropiane me emër apo dhe shumë histori pas shpatullave por që vuajnë në këtë renditje si në rastin e Manchester City që ndodhet në vendin e 32-të, Interit që ndodhet në të 56-in apo akoma më keq Manchester United që ndodhet në vendin e 128 dhe mbi të gjitha Milani që renditet i 159 në botë.

Share This Article
4 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *