Frymëzuar nga tregimi i Dr. Petrit Rexhepit, i shoqi i Elit, për jetën dhe ikjen e saj të papritur…
Nga Arben DUKA
Syri natë e ditë,
Tek dera më ngeli,
Pres i dëshpëruar,
Se mos hyjë Eli…
Mbeti duke pritur,
Dhe sot edhe dje,
Po Eli ka ikur,
Në shtëpi të re…
Ike – Eli – ike
E bardhë si pëllumb
Petritin dhe djemtë,
I vrave pa plumb…
Ecët dorë për dore,
Dyzetë e dy vite
Ndaj qe shumë e zezë
Orë e asaj dite…
Orë e asaj dite,
Që bëri hatanë,
Dorit dhe Elvisit,
U mori mamanë…
Veç për një sekondë
E ditëve të Vitit
Dritëzëri e sytë
I mori Petritit…
Dyzet e dy Vite
Asgjë nuk është tretur,
Trëndafili i ndjenjës,
Po njëlloj ka mbetur…
Po njëlloj ka mbetur,
Si ditën e parë,
Ndaj Petriti i shkretë,
Plasi duke qarë…
Se në këto raste,
S’bën punë burrëria,
Edhe më i forti,
Vajton si fëmija…
Vargjet si zogj lodrojnë në kokë,
Sythet e bardha çelin,
S’ka dashë njeri mbi këtë Tokë,
Si desh Petriti , Elin…
Vehten pyesja shpesh,
Të shihja në sy:
“Si do qe kjo Botë,
Po mos ishe Ti?!…”
E di si do ishte,
E di fare mirë,
Do jetoja unë,
Në një errësirë.
Ndaj të desha shumë,
Shpirt – o shpirti im,
Se nga jeta jote,
Imja kish kuptim…
Si njerëz lotojnë,
Muret e shtëpisë,
Për Elin s’mbaron
Kurrë kohë e zisë…
Në 20 Janar,
Elin kush shikonte,
Veç fustani i bardhë,
Asaj i mungonte…
Dhe pse 60 Vite,
Mbante përmbi shpinë,
Asnjë çast të vetëm,
S’e humbi freskinë…
Moshën e vërtetë,
Askush s’ja besonte
Rininë e përjetshme
Eli po jetonte…
Ajo dukej ëndërr,
Trëndafil me vesë,
Po fati ja preu,
Ëndrrën në mes…
Burrë i saj i shtrenjtë,
Çfarë s’do dhuronte,
Dhe një orë më shumë,
Në jetë ta shikonte…
Dyzet’ e dy Vite,
Shpirt e xhan e kishte,
Dashuri e parë,
Dhe e fundit ishte…
Kur po më tregonte,
Tok në jetë ç’i mbante,
Ky burrë fisnik
Fliste edhe qante…
Fliste edhe qante,
Tamam si fëmijë,
Kush s’e ka provuar,
Asnjë s’mund të dijë…
Nga syri i Elit,
Vetëm një e parë,
Për shokun e jetës,
Vlente një thesar…
Se Petriti, Elin
E desh si i marrë,
Dhe ditën e fundit,
Si ditën e parë…
Një jetë të tërë,
S’e kuptova dot,
Si një sy njeriu,
Mund të derdhë kaq lot…
Aq sa mund të mbushet,
Me lot një ujëvarë,
Vetëm tek Petriti,
Këtë e kam parë…
Thotë ndonjë i rrjedhur,
Kush qan, nuk është burrë,
Mbasi si dhimbjen,
S’e provoi kurrë…
Unë për herë të parë,
Në gjithë këtë jetë,
Pashë te Petriti,
Dhimbjen e vërtetë!
Dhimbjen e vërtetë,
Pashë tek ata sy,
Kurrë s’kisha menduar
Të tillë dashuri…
Dhe tani Petriti,
Fill i vetëm ngeli,
Gjithë ç’kanë mbetur pas,
Nuk vlejnë sa Eli…
Tek dy djemtë lisa,
I shtrenjti miku im,
Edhe tek dy mbesat,
Nuk gjen dot ngushëllim…
Që të gjithë këta,
I do me gjithë zemër,
Po Eli qe e tëra,
Dritë edhe ëndërr…
Një dritë e rrallë,
Ishte pa u fikur,
Një ëndërr pa fund,
Tani që ka ikur…
Një ëndërr e ndritur,
Që kurrë s’mbaron,
Ndaj dhe Petriti,
Loton e loton…
Loton e loton,
Sa që s’pushon dot,
Aq sa mund të mbushi,
Liqene me lot…
Tani rrugë e tija,
Zgjatet në të pjerrët,
Sepse Eli ishte,
Mbi gjithë të tjerët…
Dhe njerëz të tjerë,
I duam si sytë,
Po s’janë njëlloj,
Gjithë dashuritë…
Shumë njerëz janë,
Si mishi me thuan,
Po askush nuk është,
Si burri me gruan…
Dy që s’njihen fare,
Bëhen kaq të shtrenjtë,
Zoti s’bëri tjetër,
Lidhje më të shenjtë…
Ju që jini kundër,
Dhe si unë s’mendoni,
Fisnikun Petrit,
Një ditë takoni…
Mbasi ta takoni,
E kuptoni vetë,
Dashuri e madhe,
Ç’do të thotë në jetë…
Dashurinë e madhe,
Edhe të bekuar,
Jo të gjithë në Botë,
E kanë provuar…
Unë që e kam parë,
I gdhendur më ngeli,
Si i dridhej buza,
Kur thosh emrin Eli…
Është tek të 70-tat,
I shtrenjti miku im,
Dhe në këtë moshë,
Më ngjan si jetim…
Se jetuan tok,
Ditë të mëdha,
E kishte Petriti,
Dhe Nënë dhe Baba…
Mike edhe shoqe,
Motër dhe vëlla,
Ndaj ikja e saj,
Shumë plagë i la…
Një gjë sot Petriti,
Po e kupton vetë:
“ Të bën më të fortë,
Ajo që s’të vret…”
Sado të mundohesh,
Do mundohesh kot,
Fjala është e varfër,
Dhimbjen s’e shpreh dot…
Mendimet si zogj,
Më venë e më vinë,
Nuk e shpreh dot dhimbjen,
Por as dashurinë…
Sado të kem thënë,
Shumë pathënë më ngeli,
Sepse një të dytë,
S’ka në Botë si Eli…
S’ka në Botë si Eli,
Dhe si Petriti burrë,
Mbi ndjenjën e tyre,
Harrimi s’bie kurrë…
Mbi ndjenjën e tyre,
S’bie kurrë harrimi,
Ata janë për mua,
Një det frymëzimi…
Lamtumirë – moj Eli,
Mos u harrofsh kurrë,
S’harrohesh kur ke,
Një të tillë burrë…
Një të tillë burrë,
Një të tillë njeri,
Që Elin e kishte,
Zot dhe Perëndi…
Zot dhe Perëndi,
Dritë edhe Diell,
Do mbetet përjetë,
Një yll lart në qiell…
Sot Petriti – sytë,
Mban çdo çast tek dera,
Se njerëzit e shtrenjtë,
S’ikin përngahera…
Ai pret ngahera,
Loton si fëmijë,
Pret të hapet dera,
Dhe Eli të vijë…
Arben Duka
Tiranë,13.02.2021

Një përshkrim poetik sa i vërtetë, aq edhe prekës!
Rrallë herë gjen çifte kaq të përkushtuar për njëritjrtrin dhe për jetën e përbashkët.
Ngushëllime për dr Petrit Rexhepi dhe fëmijët e tij!
Lidhja e shenjtë jetoi për 42 vjet, ndërsa përshkrimi kaq i detajuar dhe me ndjenja i poetit unikal, Arben Duka, e bën këtë bashkim dinjitoz të pavdekshëm…
Ky fakt është një ngushëllim me vlera të pallogaritëshme për qetësimin e zemrave të tronditura.
Nderime, Arben Duka, më i madh se Esenini!…
Mos është ai që merrte lek në maternitet
Shume poezi e ndjere, ndonese pak e gjate!