Kush do të paguaj për dështimin e privatizimit “më të suksesshëm”?
Largimi, tashmë i lajmëruar, i kompanisë CEZ Group nga Shqipëria nuk është një veprim pa pasoja, siç po përpiqen ta paraqesin qeveritarët tanë. Drejtuesit e tij në Çeki kanë deklaruar kohët e fundit se vetëm gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti janë llogaritur nga kompania 119 milionë dollarë humbje operacionale në vendin tonë. Ndërkohë, veç këtyre, CEZ-it i janë faturuar dy gjoba me disa dhjetëra milionë euro, një nga ERE dhe një nga Tatimet, me argumentimin se ajo duhet të paguajë Tatim mbi Vlerën e Shtuar edhe për energjinë e shitur, por që nuk rezulton të jetë arkëtuar, në një kohë kur një nga debitorët më të mëdhenj ndaj kompanisë është vetë shteti. Vetë kompania ka hedhur 102 milionë euro për ta blerë fillimisht aktivitetin e shpërndarjes në vitin 2009 dhe në vite ka bërë shpenzime të tjera, që do të kërkojë t’i rimbursohen.
Problemi nuk shtrohet më se a do të ikë dhe kur do të ikë CEZ-i. Këto janë hollësi. Ajo që ka dalë sot në rend të ditës është pyetja se sa do të na kushtojë kjo ikje dhe kush do të mbaj përgjegjësi lidhur me kthimin e “privatizimit më të suksesshëm” të të gjitha kohërave në një imazh mjeran të shtetit shqiptar për investitorët e huaj.
“Haraçi”
Në momentin e lidhje së kontratës me qeverinë shqiptare, CEZ-i kërkoi të bllokohej një shumë në formën e garancisë bankare, mbi të cilën mund të vinte dorë në rast se pala shqiptare nuk do të plotësonte detyrimet e rëna dakord bashkarisht. Kjo garanci praktikisht është një dokument aktualisht, i vendosur në një nga bankat e mëdha të Vjenës, por ndërmjetës për të është Banka Botërore, kështu që, në rast se ky institucion do të japë OK për pagesën e tij në favor të CEZ-it, Shqipëria do të ngarkohet automatikisht edhe me 60 milionë euro të tjera borxh, që duhet t’i paguhen Bankës Botërore në vite, si një kredi e butë e marrë prej saj. Kjo sigurisht do t’u shtohej kërkesave të tjera për rimbursim nga ana e kompanisë çeke, e cila nuk mund të kuptojë se si klienti-shtet, me të cilin ajo është bashkëortake në Shpërndarje (qeveria mban 26 për qind të aksioneve) nuk pranon të likuidojë faturat e energjisë se konsumuar. Siç nuk mund të pranoj faktin se Policia e Shtetit nuk është përdorur nga kjo qeveri për të detyruar abuzuesit, që e vjedhin ndër vite, të paguajnë detyrimet, por, në të kundërt, ka ndërhyrje që zona të tëra “të mos ngacmohen” për arsye politike.
Por, sa ka të ngjarë të ndodhë që Shqipëria ta humbasë gjyqin e arbitrazhit ndërkombëtar, në rast se palët do të ndahen “me sherr” dhe jo me mirëkuptim?
Mashtrimi
Këtu, çekët kanë në dorë një “as”. Ai lidhet me mashtrimin statistikor që u është bërë, në momentin kur hynë në tregun shqiptar, me nivelin e humbjeve. Në raportin e vitit 2008, periudhë kur u shit OSSH, Enti Rregullator i Energjisë Elektrike deklaronte detyrimet e privatizuesit. “Ne gjykojmë se me detyrimet që merr përsipër CEZ-i që të zvogëlojë humbjet e energjisë elektrike nga niveli aktual prej 32 përqindësh në 15 për qind, në fund të tri periudhave të para rregullatore (në vitin 2012), si dhe me detyrimet për rritjen e arkëtimeve, futjen e teknologjive dhe
standardeve të reja të shërbimit dhe përgjegjësive ndaj konsumatorit, pritet që procesi i privatizimit të jetë i suksesshëm”. Kompania ishte zotuar se do të investonte 200 milionë euro për pesë vitet e para, në rast se palët do të binin dakord të respektonin deklaratën rregullatore. Po çfarë ndodhi? Vetëm dy muaj pas marrjes në dorëzim të OSSH, mes CEZ dhe ERE-s nisin konfliktet e para për nivelin e humbjeve, që shteti thoshte se ishin 32 për qind, kurse CEZ dyshonte. Sipas deklaratës rregullatore, CEZ kishte të drejtë të rishikonte raportet dhe bilancet e humbjeve, përmes audituesve të pavarur. E thënë më qartë, CEZ dyshonte se humbjet (pra vjedhjet, mosarkëtimet) ishin më të larta se 32 për qind. Kjo pikë ishte shumë e rëndësishme për fatin e procesit, pasi mbi bazën e këtij niveli humbjesh, CEZ do të investonte për t’i ulur deri në 15 për qind, shpenzime këto që ERE do t’ia njihte duke i dhënë mundësi për rritje të çmimit të dritave.
Bilanci u rishikua dhe audituesi i pavarur nxori, në fakt, një nivel humbjesh 37 për qind, pra 5 pikë për qind më shumë nga sa kishte deklaruar shteti shqiptar para se të shiste OSSH. Me këtë nivel të ri humbjesh, CEZ-it i lindte e drejta për rritje më të lartë të çmimit, pasi ulja e humbjeve kërkonte më shumë investime, pra nevojiteshin të ardhura shtesë. ERE nuk e pranoi këtë nivel dhe vendosi një target të ri, me përpjekjen për të zgjidhur konfliktin, që më pas (sikurse duket në ditët e sotme) do të rezultonte me shumë pasoja.
Që këtu, duket se qeveria shqiptare do ta ketë shumë të vështirë të mbrojë pozicionin e saj në këtë gjyq, që do të vendoste gati me siguri të plotë pagesën e gjobës prej 60 milionë eurosh.
Ndërkohë, as investimet e premtuara nuk u bënë, as vjedhjet u shmangën, ndërkohë që 102 milionë eurot që qeveria Berisha futi në xhep në vitin elektoral u avulluan shpejt për prerje shiritash.
Skenarët
Aktualisht, ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës po merret me skenarët post-CEZ. “Janë paraqitur disa opsione, ndër to edhe largimi, kurse vendimi final do të merret në dhjetor”, ka deklaruar së fundmi zyra e CEZ-it në Tiranë.
Po si mund të zgjidhet pjesa e aksioneve të blera nga kompania në vlerën 102 milionë euro? Skenari më i mundshëm është shtetëzimi i aseteve, pra shteti i merr me një vlerë të vogël, e administron për një periudhë të caktuar dhe më pas e nxjerr sërish në shitje.
Rrugëdalja më e pëlqyer nga qeveria është vetëlargimi i CEZ-it, që do të shmangte penalizimin. Por, çekët nuk besohet të largohen si humbës, ndërkohë që nuk i kanë ata të gjitha fajet. Që CEZ nuk ka ndërmend të largohet vetë, këtë e tregon edhe fakti që në muajin gusht miratoi projektin e ri për të investuar 5 miliardë lekë, por çdo gjë u shua brenda një kohe të shkurtër.
“Në Shqipëri ka dy probleme kryesore, niveli i lartë i vjedhjes së energjisë dhe mungesa e besueshmërisë së konsumatorëve”, tha Tomas Pleskac, anëtar bordi i CEZ-it. Ai shtoi se autoritetet shqiptare u kanë vënë shkopinj në rrota, që kur CEZ mori drejtimin e kompanisë në 2009-n dhe nuk e kanë lejuar CEZ-in që të gjenerojë fitime.
CEZ-i do të vendosë deri në fund të vitit se si do ta shesë paketën kontrolluese në kompaninë e shpërndarjes dhe ka marrë shprehje interesi nga blerës potencialë, përfshirë qeverinë shqiptare, fonde kapitali dhe tregtues energjie, tha Pleskac.
Në rast se largimi i investitorëve çekë do të kryhet “me inat”, atëhere, veç 60 milionëve euro gjobë, do të hapej edhe spiralja e kërkesave për dëmshpërblim ndaj shtetit shqiptar për të gjitha humbjet, llogaritjet e gabuara, bllokimet e ndryshimit të tarifave në bazë të kostos, mospagesave të institucioneve apo ndërmarrjeve me pronar shtetin, etj pa fund. Sido që të përfundojë procedura gjyqësore, rikthimi i shpërndarjes, qoftë edhe përkohësisht, në administrim të shtetit, do të krijonte një rrëmujë, ku mund të abuzohej lehtësisht, pasi gjynahet do t’i hidheshin pronarit të vjetër. Nga ana tjetër, dëmet i paguan buxheti i shtetit dhe çdo qeveri që do të vinte në të ardhmen do të kishte në kurriz një barrë jo të vogël për të mbartur, veç barrave të tjera të rënda që duhet të mbartë mbi shpinë.
===============
Çalik, ofertues i mundshëm për blerjen e aksioneve të CEZ-it
Gjatë një konference, të zhvilluar muajin e kaluar në Tiranë, janë takuar kryeministri Sali Berisha dhe Ahmet Çalik, biznesmen i njohur turk, i pranishëm në tregun shqiptar me investime në banka (Banka Kombëtare Tregtare), telefoni (Albtelecom dhe Eagle Mobile), etj. Lajmi është bërë i ditutr nga gazeta e Stambollit “Zaman”, ndërkohë që Kryeministria nuk dha asnjë informacion për një takim të tillë. Veç këtij fakti, gazeta turke ka shtuar edhe disa hollësi. Kështu, Berisha ka deklaruar para të pranishmëve se Çaliku është “mik i Shqipërisë”, ndonëse ka qenë ai që është përpjekur në vitin 2005 ta përjashtojë nga investimi i privatizimit të telefonisë fikse në vend, që ishte negociuar nga qeveria Nano më parë. Nga ana e tij, manjati turk ka premtuar se do të hedhë 500 milionë euro investime në sektorin shqiptar të energjetikës. Duke qenë se, pak kohë më parë, kompania e tij Çalik Enerji, në konsorcium me Limak, privatizuan distribucionin e Kosovës, janë shtuar zërat se qeveria është e gatshme t’i japë atij mundësinë për të zëvendësuar CEZ-in në Shqipëri. Ndërkohë, biznesmenë shqiptarë, të cilët aktualisht janë përfshirë edhe në shërbime përmbarimore për të grumbulluar borxhet ndaj CEZ-it, janë tërhequr nga një objektiv i tillë, mbasi kanë parë vështirësitë e pafundme që hasen në arkëtime.