Fatmir Mediu, tha sot se “dalja e Lëvizjes Socialiste për Integrim nga koalicioni qeverisës duhet të jetë një moment reflektimi për të djathtën”. Mediu ishte i pranishëm në aktivitetin e degës së Tiranës së PR-së, në një takim me drejtuesit e strukturave lokale të qytetit, gjatë të cilit u diskutuan zhvillimet politike në vend, situata pas daljes së LSI nga koalicion qeverisës, si dhe organizimi i PR-së në nivel qarku.
Në takim u diskutuan gjithashtu rrugët e bashkëpunimit politik dhe elektoral të së djathtës. Gjatë fjalës së tij, Mediu theksoi edhe një herë nevojën për një gjykim të shëndoshë nga ana e votuesve, si dhe një analizë të ftohtë e të thellë përsa i përket vlerësimit të së djathtës dhe të majtës, politikës që ata përcjellin dhe zhvillojnë, mesazhet që ata i drejtojnë elektoratit shqiptar, si dhe programet zhvilluese që kanë hartuar për mirëqënien ekonomike dhe sociale të shqiptarëve.
“Dalja e LSI nga koalicioni, në gjykimin tim nuk përbën asnjë dramë, por duhet të jetë një moment refektimi për të djathtën dhe besoj është një shans i ri për të djathtën për të fituar zgjedhje, për të gjykuar ndryshe për të ndërtuar një aleancë me shqiptarët, jo vetëm thjesht të numrave, por për atë që kemi bërë dhe atë që duhet të bëjmë më mirë, për të korrigjuar atë që nuk është bërë siç duhet”, tha Mediu.
Kreu republikan theksoi se “duhet të jetë një moment reflektimi i thellë, i një partneriteti serioz i të gjithë të djathtës shqiptare, pa përjashtim i të gjitha subjekteve, për raportin dhe detyrimet që kanë me qyetarët shqiptarë, për vizionin tonë dhe rrugën tonë të përbashkët që duhet të ndërtojmë me shqiptarët”. “Ndërtimi i partneritetit të drejtë të palëve në koalicion dhe një angazhim i gjithanshëm politik në një rrugëtim me njerëzit për të ardhmen evropiane është rruga e vetme e suksesit për të djathtën dhe shoqërinë shqiptare”, përfundoi Mediu.

1 mandat eshte i sigurt per PR ne elbasan !!!!
Fitore