(Nderim mikut të dashur dhe pedagogut të shquar, Profesor Nuri Abdiut, 1930-2014)
Lajmi për ndarjen nga jeta të Profesor Nuri Abdiut i pikëlloi të gjithë të njohurit, miqtë dhe kolegët e tij jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë e Maqedoni, në mbarë hapësirën shqiptare.
Erdhëm nga Prishtina në Tiranë, ne, miqtë e tij, për t’i dhënë lamtumirën e fundit dhe për t’i thënë dy fjalë miradije për Të, në emrin tonë dhe të gjithë atyre që të kanë njohur.
Për mua, Nuri Abdiu ishte një nga njerëzit më të mirë që kam njohur në jetë. Një njeri dhe intelektual i vërtetë, që i kishte shokët të rrallë, si njeri dhe si shqiptar; fisnik dhe fshatar, modern dhe tradicional.
Rrugëtimi i tij në jetë filloi 84 vjet më parë, në Sohodollin lindor, më 1 shkurt 1930.
Në vitet ’50 kreu studimet me sukses të shkëlqyeshëm në ish-Bashkimin Sovjetik, në Moskë (1954-1958). Ndërsa gradën shkencore “Doktor i Shkencave” e mori në Universitetin e Tiranës shumë vjet më vonë (1991).
Për merita të dalluara në fushën pedagogjiko-arsimore iu dha titulli i lartë “Mësues i Popullit”.
Vite me radhë do të jepte kontributin e vet të çmueshëm arsimor dhe shkencor në Institutin Pedagogjik të Shkodrës (sot Universiteti “Luigj Gurakuqi”), duke qenë njëherësh edhe njëri nga drejtuesit e këtij institucioni.
Fushë e specializimit të tij ishte psikologjia dhe mendimi mbi të.
Mbajti leksione e ligjërata edhe në Universitetin e Tiranës, të Prishtinës dhe të Tetovës; dha kontribut të çmueshëm sidomos në konsolidimin e këtij të fundit (USHT), edhe pse ky kontribut nuk u vlerësua sa e si duhet nga drejtuesit e tij.
Në vitet e fundit të jetës punoi në një nga universitetet më prestigjioze private (jopublike) në Shqipëri, në Universitetin Evropian të Tiranës (UET), ku drejtonte Departamentin e Psikologjisë, por karrierën e tij profesionale e shkencore e mbylli tek “Albanian University”.
Tërë jetën ia kushtoi shkollës, arsimit, shkencës, edukimit të gjeneratave të reja.
Profesor Nuri Abdiu ishte mësues, pedagog, studiues. Mbi të gjitha, ai ishte njeri me virtyte të rralla.
Karriera e tij është e gjatë dhe e pasur: një jetë në arsim, mes nxënësve, studentëve, kolegëve…
Autor i shumë artikujve shkencorë e pedagogjikë; i studimeve nga fusha e psikologjisë dhe e pedagogjisë, ndër të cilat vlen të përmenden posaçërisht libri bibliografik mbi studimet në fushën e psikologjisë, studimi gjithpërfshirës mbi historinë e mendimit psikologjik shqiptar (deri në vitin 1939) dhe monografia për Hoxhë Hasan Tahsinin.
Në Shkodër, në Tiranë, në Tetovë e gjetkë, kudo ku punoi e ligjëroi, la përshtypjet më të mira si njeri, si pedagog e studiues.
Prof. Nuri Abdiu është njeri që ka bërë shumë për zhvillimin e arsimit shqip, veçanërisht atij universitar, por kontributi i tij është po aq i madh edhe në avancimin e mendimit pedagogjik e psikologjik shqiptar. Akademikët Bedri Dedja e Pajazit Nushi, specialistë të fushës, njëri në Tiranë e tjetri në Prishtinë, e kanë cilësuar: “një nga studiuesit më të shquar në fushën e psikologjisë” dhe “kontribues themelor i mendimit psikologjik”, në teori dhe praktikë.
Takimi me të ishte jo vetëm përjetim, por edhe festë. Do të mbeten të paharruara ditët e kaluara në Strugë, ku Profesor Nuriut dhe bashkëshortes së tij, zonjës Fitnete, u pëlqente t’i kalonin, tok me miq e shokë, pushimet e verës.
Me orë të tëra kemi kuvenduar këndshëm në brigjet e Liqenit të Ohrit dhe të Drinit të Zi, rrjedha e të cilit të shpie në vendlindjen time dhe të tij, që ishte edhe vendlindja e të parëve të mi.
Me të ndjerin Prof. Nuri Abdiu kuptoheshim edhe pa folur. Ndoshta rrënjët e përbashkëta, dibrane, ndoshta edukata familjare; e familjeve tradicionale ku çmohet fjala, nderi, bujaria, na bënin aq të afërt. Por edhe pikëpamjet për jetën, artin, shkencën.
Fytyra e tij, fjala, gjesti rrezatonin dritë e mirësi. Ishte i tillë çfarë e kishte emrin, njeri plot Nur.
Si dibran që ishte, e njihte mirë traditën popullore, doket, zakonet dhe ia dinte rendin fjalës e muhabetit. Si pedagog kishte takt, kujdes, respekt për njerëzit…
S’ka as dy muaj që folëm bashkë në telefon. E mora nga Prishtina kur mora vesh se po i rëndohej gjendja shëndetësore. Por ai nuk dorëzohej. Nuk e jepte veten. Vetëm kur i thashë se verën që vjen do të shkojmë bashkë në Sohodoll, u emocionua dhe mezi e përmbajti mallëngjimin.
E ndjeva se iu mek zëri i tij i qartë, i ngrohtë e njerëzor, por as ndër mend nuk më shkonte se kjo do të ishte biseda jonë e fundit.
Kishim edhe aq shumë fjalë për t’i thënë njëri-tjetrit.
Dhe ja, tani, më duhet t’i them dy fjalë për Të, në mungesë të Tij, në këtë ditë me shi. Punë tmerrësisht e vështirë!
Por, ajme, rrugë tjetër s’ka! E tillë është kjo botë. Herët a vonë, vjen një ditë që gjithçka mbyllet me fjalën: Lamtumirë!
Lamtumirë, Mik i dashur!
Prehu i qetë në tokën mëmë, që ia blatove tërë jetën!
Qoftë i përjetshëm kujtimi për Ty, i paharrueshmi Profesor Nuri!
