E dashur DITA. Pak ditë më parë në Krujë u nda nga jeta veterani i Luftës Antifashiste nacional-çlirimtare, Petrit Kani. Jeta dhe veprimtaria e tij kanë qenë të lidhura ngushtë me qytetin ku lindi, Krujën dhe bashkëqytetarët e tij. Që në moshë të njomë 15-16 vjeçare u rreshtua në formacionet partizane të luftës për çlirimin e atdheut nga okupatori i huaj nazist e fashist. Brigada e parë sulmuese do të ishte formacioni partizan ku u rreshtua ai duke luftuar me armë në dorë deri në çlirimin e plotë të Shqipërisë.
Punoi pastaj në vitet e pasçlirimit në detyra të ndryshme shtetërore, ekonomike dhe shoqërore deri në daljen e tij në pension, por kurdoherë me devotshmëri dhe me vlerësime pozitive sociale. Për shume vite këto kohët e fundit ka qenë dhe kryetar i Komitetit të Veteranëve për rrethin gjer në tërheqjen nga kjo detyrë për arsye shëndetësore dhe pamundësi të moshës. Fakt është që në ceremoninë e funeralit morën pjesë shumë njerëz, bashkëqytetarë, të rinj, ish-shokë të luftës dhe të punës, natyrisht tani gjithnjë e më të pakët se koha e ka bërë të vetën, duke e rralluar atë brez.
Vlen të theksohet e të vlerësohet një aspekt i veçantë e human i qytetarëve të Krujes që i gjinden njëri-tjetrit dhe i rrijnë pranë tradicionalisht në morte pa u kursyer dhe në ndihma e solidaritet të nevojshëm.
Lidhur me këtë rast duhej që drejtuesit aktual të komitetit të veteranëve në shenjë homazhi të flisnin para të pranishmëve në ceremoni, ku të evokohej e nderohej brezi heroik i luftës antifashiste që iu bashkua Frontit të madh aleat dhe i dha vendit lirinë e fitoren, 70-vjetorin e së cilës do ta përkujtojmë sivjet me krenari. Dërguar për gazetën Dita, më datë 16.7.2014, Përparim Shullazi, Krujë.
Letër e nënshkruar
Përparim Shullazi
