Kukësi kryen një tjetër goditje në këtë periudhë merkatoje, duke i shtuar sulmit një futbollist cilësor.
Me nënkampionët e vendit është afruar sulmuesi nga kryeqyteti, Mario Morina, që ka nënshkruar kontratë 6 mujore me të drejtë rinovimi për një tjetër sezon.
Në këtë mënyrë tratativa, e cila ka zgjatur disa ditë është mbyllur me shtrëngim duarsh, teksa trajneri Klodian Duro do të ketë një sulmues më shumë në skuadër dhe një element që bën diferencën, ndërsa Mario Morina skuadrën për të shpërthyer pas një periudhe jo të mirë te Flamurtari.
Që nga fillimi i janarit, Morina ishte një futbollist i lirë, ndërkohë që emri i tij u lakua shumë pasi u përfol një rikthim tek Tirana, një kalim tek Partizani, si dhe u pa si një dëshirë e Vllaznisë.
Pa harruar që bisedimet me Kukësin kishin nisur prej kohësh.
Pas Izair Eminit, nënkampionët bëjnë një tjetër goditje, teksa burime pranë klubit bëjnë të ditur se dëshirë e trajnerit dhe stafit drejtues ishte edhe sulmuesi serb Stefan Racic, për të cilin Partizani vendosi veton duke mbajtur futbollistin në organikë.
Për të kompletuar repartin e sulmit, drejtuesit e klubit janë në pritje edhe të sulmuesit Mateus Lima, i cili vijon të jetë në Brazil për të qëndruar pranë mamasë së sëmurë.
