Lorik Cana i ka varur “këpucët në gozhdë”, por në Itali nuk mendojnë kështu. Ndoshta është thjesht një hipotezë e “Il Messaggero”, megjithatë, duhet marrë në konsideratë.
Lazio është mundur 1-4 mbrëmë nga Napoli, ku mbrojtja vendase pati shumë problem, kjo edhe si pasojë e shumë dëmtimeve që ka ky repart. Dhe sipas medieve italiane, emri i Canës është në listën e përforcimeve të mundshëm në këtë pikë të sezonit, duke qenë se është pa ekip dhe lejohet.
Uollas, Basta, Bastos dhe De Vrij janë të dëmtuar. Katër mbrojtës nuk janë pak dhe kjo mund të detyrojë Lazion të bëjë ndërhyrje sa më të shpejta, pasi ekipi luan çdo tre-katër ditë për shkak të impenjimeve në Europë. “Mund të ndërhyjmë në merkaton e atyre që janë pa skuadër. Nuk është e thjeshtë të gjejmë futbollistë që mund të na ndihmojnë, por është një zgjidhje”, – deklaroi trajneri Simone Inzaghi pas ndeshjes së humbur me Napolin.
Drejtori sportiv Igli Tare ka që tani para syve një listë me futbollistë që mund t’i bëjnë punë në këtë pjesë të parë të sezonit, derisa të fillojë merkatoja e janarit. Zacardo, Sagna, Lescot dhe Basong janë disa nga emrat që qarkullojnë në klub, ashtu si edhe ai i Lorik Canës.
Ky i fundit ka më shumë se një vit që nuk shkel në fushat e lojës dhe në Itali e shohin pak të mundshëm një kthim të tijin në futbollin aktiv.
