Ilion Lika i jep një dorë Tiranës, thyhet Flamurtari

redaktor

Një ndeshje futbolli mund të fitohet dhe pa goditur asnjëherë kuadratin, si në rastin e Tiranës që mundi Flamurtarin në ndeshjen më të rëndësishme të javës së dytë të Superiores pas një gabimi të rëndë të portierit Ilion Lika, që shënoi një autogol të pabesueshëm në portën e tij duke I dhënë zgjidhje një ndeshje shumë të luftuar, nervoze dhe me pak raste.

Tifozët e Tiranës ashtu si dhe një javë më parë me Apoloninë sërish nuk “tradhtuan” duke mbushur shkallët e “Qemal Stafës” e për më tepër duke dhuruar dhe një dekor të jashtëzakonshëm, të denjë për ndeshje të mëdha, siç në fakt ishte dhe ajo me Flamurtarin.

Gjithsesi dy ekipet u kujdesën që në fillim për të mos pësuar, dhe dominoi përgjithësisht loja e kujdesshëm me Ndikumanën që u përpoq të jepte ndonjë shkëndijë me zbritjet e tij ndërsa në krahun tjetër ishte Gilberto, që rrezikoi në të 12-ën, por marrja me gjoks nuk ishte ajo e duhura.

Bardheblutë rastin më të mirë e patën në minutën e 20-të, kur Ndikumana la mbrapa për Bulkun, që goditi por jo saktë.

Frika për të mos humbur prodhoi pak raste dhe takimi rrodhi pa shumë raste dhe tejet i ekuilibruar, me ndonjë tension të zakonshëm në të tilla ndeshje, deri në momentin kur në 30 minutat e fundit të lojës, kur Ndikumana dhe Veliu u bënë protagonist të një episodi të pakëndshëm duke u ndëshkuar me të kuq nga kryesori Jemini që vuri re gjithçka që ndodhi mes dy futbollistëve.

Dhe pse me më shumë hapësira në lojë, ritmin nuk ndryshoi por rezultati po. Në minutën e 67-të, ende pa goditur njëherë të vetme kuadratin Tirana kaloi përpara, pasojë e një gafe të rëndë të Ilion Likës, që shënoi ndoshta autogolin e vitit.

Në një ndeshje me pak raste, Flamurtari e pati megjithatë mundësinë për të shënuar, teksa në të 85-ën, Gelashvili zbriti mirë në krah duke lënë në qendër për Abilaliajn, që përballë Frashërit e ngriti gabim topin duke ngrënë golin e sigurt të barazimit me Tiranën që fërkoi duart për fitoren e dytë në kampionat.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *