Ilir Berisha, zëvendësues i Canës

anazapta

Ndeshja me Norvegjinë mund të mos jetë vendimtare për kualifikimin në kampionatin botëror, por është shumë e rëndësishme. Kuqezinjtë kanë zhvilluar gjysmën e ndeshjeve dhe do të luajnë edhe pesë të tjera, me 15 pikë në dispozicion, ndaj gjithçka mund të ndodhë, pavarësisht rezultatit të 7 qershorit. Ndaj, kapiteni Lorik Cana bën thirrje që skuadra të qëndrojë në valle deri në shtator, kur është faza më e nxehtë e kualifikueseve. “Kemi pesë ndeshje për të luajtur dhe të gjitha janë vendimtare për ne. Në tri ndeshje luajmë jashtë”, vë në dukje Cana. “Pas ndeshjes me Norvegjinë, Shqipëria luan në Slloveni, më 6 shtator, dhe në Islandë, më 10 shtator. “Duhet ta mbajmë fatin në duart tona deri në shtator. Pastaj të shohim nëse jemi vërtetë pretendentë apo jo, sepse gjërat varen edhe nga paraqitjet e skuadrave të tjera”. Kapiteni shton se Shqipëria është më e fortë tani, falë prurjeve të reja në skuadër, përfshirë edhe një nga të ardhurit e fundit, Migjen Basha, i cili debutoi në fitoren e Oslos. “Kemi përparuar me lojë dhe është duke u krijuar një bazë e lojtarëve. Basha është në nivel superior, ka sjellë qetësi në mesfushë. Por, pas fitores me Norvegjinë duhet të punojmë akoma më shumë, duhet ta shohim ecurinë e ekipit lojë pas loje”, thotë kapiteni, i cili të dielën do të ketë ndeshjen më të rëndësishme edhe me klubin, pasi Lacio luan në finalen e Kupës së Italisë, kundër Romës.

 

Zëvendësuesi

Vetë Cana nuk do të luajë në ndeshjen e qershorit, për shkak të kartonit të verdhë që mori më 22 mars në Oslo dhe pritet që në qendër të mbrojtjes ta zëvendësojë Ilir Berisha, një nga “rekrutët” e rinj kuqezi. Mbrojtësi 21-vjeçar luan me Orebron në ligën e dytë suedeze dhe është thirrur nga trajneri Xhani De Biazi. Lista zyrtare ende nuk është bërë e ditur, por thirrja e tij është njoftuar nga i ati, i cili ka folur për shtypin kosovar. “Iliri ka marrë ftesën zyrtare nga De Biazi për ndeshjen me Norvegjinë. Ai është ftuar për t’u grumbulluar më 29 maj”, ka deklaruar Sylejman Berisha për gazetën “Sport Plus”. Mbrojtësi i ri u transferua te Orebro në vitin 2011 nga Prishtina. Në sezonin e tij të parë në Suedi, skuadra ra nga liga e parë, por synon të kthehet menjëherë atje dhe aktualisht mban vendin e dytë në Superettan.

 

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *