I lumtur dhe entuziast me të drejtë pas fitores së lavdishme në shtëpi ndaj Kairat Almati me rezultatin 2-0, që shënoi edhe kualifikimin për në turin e tretë eliminator të UEFA Eurpa League, trajneri i skuadrës së Skënderbeut, Ilir Daja foli për vështirësitë me të cilat u përball ekipi korçar në sfidën e sotme, por gjithashtu edhe për përballjen e radhës, sikurse dhe për golin e realizuar nga Sebino Plaku, që mund të konsiderohet sulmuesi i rigjetur.
“Natyrshëm dhe emocioni shtohet kur ke përballë një ekip si Kairat Almati, me buxhet dhe eksperiencë. Na vunë në vështirësi në 15 minutat e fundit të pjesës së parë, u vumë në vështirësi edhe me daljen e Lilajt, por u treguam pragmatistë.
E njohim si emër kundërshtarin e radhës, por për praktikë të punës nuk e kemi analizuar. Nuk kemi futbollistë që të qëndrojmë në mbrojtjes. Kënaqësia është pikërisht kjo, sepse në fund fare futbolli luhet për tifozët.
Mendoj se kishim zgjedhje të detyruar me James, me Sebinon që do të ishte i gatshëm në rast se mesfusha do të ishte në vështirësi. E bëri shumë mirë punën e tij, mendoj se duhet të fitojë besimin te vetja”, deklaroi trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja.
