Ishte data 28 tetor kur Ilir Daja mori zyrtarisht drejtimin e Tiranës, duke pasuar në këtë detyrë Shkëlqim Muçën.
Ish-trajneri kampion me Elbasanin dhe Dinamon u ul në stolin bardheblu në një moment delikat, kur kriza ishte ulur gjithashtu “këmbëkryq” në skuadër. Fjalëpak dhe i fokusuar në projektin e tij për ringritjen e skuadrës, dalëngadalë Daja arriti të fitonte besimin e klubit, skuadrës dhe stafit të tij.
Edhe pse fillimisht nuk premtoi asnjë objektiv konkret, duke preferuar të studiojë çdo ndeshje sikur të ishte një finale, trajneri kryeqytetas ka arritur të rikthejë harmoninë në një grup, ku cilësitë nuk mungojnë.
Rezultatet janë të dukshme, 5 fitore rresht mes Kupës dhe kampionatit në vitin 2016. Tani të gjithë besojnë te Tirana e Dajës që ka arritur t’i japë ekipit një filozofi loje.
Ndaj rivalëve të fortë në letër Tirana di të mbrohet mirë dhe të thumbojë me shpejtësinë e sulmuesve të saj, ndërsa ndaj kundërshtarëve të ashtuquajtur të dobët, bardheblutë nuk mungojnë asnjëherë në takimin me golin dhe fitoren. 7 janë pikët e diferencës me Partizanin pas një ecurie fantastike, një statistikë që edhe tifozi më fanatik nuk do ta kishte besuar si të mundshme përpara 4 muajsh.
8 fitore, 4 barazime dhe një humbje dhe asnjë pikë e lënë që prej 23 dhjetorit në sfidën e “Qemal Stafës” me Vllazninë.
Tirana e Ilir Dajës ka nisur një cikël të ri. Trajneri kryeqytetas ka arritur ta rregullojë lodrën bardheblu, duke e kthyer në një makinë suksesesh. Tashmë vëmendja është e përqendruar te ndeshja e kthimit në Kupë kundër Flamurtarit.
Avantazhi 1-0 i transfertës së Vlorës është një siguri më shumë për biletën e gjysmëfinales. Trajneri bardheblu nuk toleron mungesë shpërqendrimi pasi për të ndeshja e radhës mbetet më e rëndësishmja dhe ndoshta kjo është formula e suksesit për grupin bardheblu.
